EKSKLUZIVE/ “Xixa” te Tirana, Ngo përplaset me dy të rinj dhe acaron Ahmatajn (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2019 | 22:12

EKSKLUZIVE/ “Xixa” te Tirana, Ngo përplaset me dy të rinj dhe acaron Ahmatajn (E PLOTË)

Majkëll Ngo bëhet protagonist në stërvitje. Edhe këtë herë duke treguar nervin e tij sportiv, por duke e kaluar sërish masën. Gjatë ndeshjes brenda grupit mes formacionit titullar dhe rezervave, Majkëll Ngo, që njihet si një nga ata që lufton për çdo top, është përplasur dje me dy lojtarë nga ekipi i dytë.

ngooo

Si fillim ka përplasur në tokë Eldis Krajën. Lojtari është rrëzuar dhe pas ndërhyrjes së Julian Ahmatajt ai është çuar në këmbë. Trajneri e ka këshilluar Ngonë që të mos e përsërisë më veprimin, ndërsa anglezi ka bërë me shenjë se kundërshtari e ka mbajtur me duar prej fanelle. Nuk ka kaluar shumë dhe Ngo është përplasur edhe me Alban Çejkun.

74275421_2420276258228482_6859457324587679744_o

Mesfushori ka rënë në tokë dhe mezi është ngritur. Në këtë moment, Ahmataj i ka shkuar pranë Ngosë dhe e ka këshilluar që të mos luajë më fort, në të kundërt do ta përjashtojë nga stërvitja. Menjëherë pas këshillës së Ahmatajt, sulmuesi ka ulur ritmin e lojës. Edhe pse anglezi nuk i ka bërë veprimet me dashje, loja ka qenë e rrezikshme dhe mund të dëmtonte ndonjë prej lojtarëve të rinj. Për më tepër që Ngoja ka histori të vjetra me përplasjet në stërvitje.

E fundit ka qenë ajo me Imamin, por në atë moment anglezi nuk reagoi. Kohë më parë Ngo u përplas me Klisman Caken dhe Ardian Memën, ku si fillim u pezullua një ditë nga stërvitja dhe më pas u stërvit një muaj te Tirana B, duke marrë edhe një gjobë të majme. Gjithsesi, e djeshmja ishte një ditë stërvitjeje, por që zakonisht te Tirana kthehet si një moment sherri mes lojtarëve nëse drejtuesit nuk janë të vëmendshëm.

STËRVITJA – Në stërvitjen e djeshme, sërish është punuar shumë nga ana taktike. Julian Ahmataj u ka mëshuar lëvizjeve në fushën e lojës, duke punuar në fushë të vogël dhe të madhe. Këshilla pafund, ndërkohë që formacioni pritet të mos ketë shumë ndryshime nga planifikimi javor.

Ngo Osmani

Si zakonisht, nuk është stërvitur Tefik Osmani dhe Ismael Dunga. Ky i fundit ka qenë i pranishëm si civil për të parë shokët e skuadrës gjatë stërvitjes. Bardheblutë luajnë të shtunën një nga ndeshjet më të rëndësishme të fazës së dytë. Nëse fitojnë, ia dalin të mbajnë ritmin me Partizanin e vendit të parë dhe mundin një nga pretendentët kryesorë në renditje.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"