EKSKLUZIVE/ “Vllaznisë i duhen 3 blerje”, rrëfimi special i Djarmatit: Ekipi ka humbur kreativitetin, ju tregoj Indinë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2022 | 21:01

EKSKLUZIVE/ “Vllaznisë i duhen 3 blerje”, rrëfimi special i Djarmatit: Ekipi ka humbur kreativitetin, ju tregoj Indinë (E PLOTË)

Nga Shkodra, në Kalkutë të Indisë. Matko Djarmati nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të shkonte për të punuar si zëvendëstrajner rreth 7 mijë kilometra larg Shqipërisë, pikërisht në një klub që ndodhet në Azinë Jugore dhe që përfaqëson një qytet me rreth 15 milionë banorë.

Djarmati

Kroati ishte pjesë e Vllaznisë si drejtor sportiv në dy vitet e fundit dhe dy muaj më parë iu bashkua ishtrajnerit të kuqebluve, Tomas Brdariç, te klubi Chenain FC. Dje Djarmati ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport” për herë të parë që pas largimit nga Vllaznia, duke treguar gjithçka qoftë për zgjedhjen e tij, por edhe se si e ka parë skuadrën shkodrane në dy ndeshjet që zhvilloi me Universitatea Kraiovës. Djarmati flet hapur këtë herë për ish-skuadrën, ku në rolin e drejtorit arriti të fitojë dy herë radhazi kupën e Shqipërisë.

Matko, nga Shkodra në Indi. Shumë larg besoj, por rëndësi ka të dimë në këtë moment, si po shkon eksperienca juaj e re te Chenain FC?

Deri më tani nuk them dot asgjë të keqe për eksperiencën këtu. Kam rreth dy muaj që punoj te Chenain FC. Për momentin jemi në javën e tretë të përgatitjeve në qytetin e Kalkutës. Skuadra stërvitet në një kompleks ku edhe përgatitet kombëtarja e Indisë.

Do të punoni sërish me Tomas Brdariçin, ishte gjermani që ju bindi?

Sigurisht, sepse kisha njohje më përpara me Tomasin dhe eksperienca 2-vjeçare që kemi punuar bashkë te Vllaznia, patjetër lehtësoi gjërat edhe për mua. Dua të kujtoj se në bashkëpunimin që pata me presidentin e Vllaznisë, vendosëm të sjellin Tomasin në Shkodër. Ndërsa në këtë rast, ai ka kërkuar mua për një aventurë të re në Indi. Në fillim nuk isha i vendosur, sepse kisha tri oferta nga klubet shqiptare. Megjithatë, aspekti financiar dhe eksperienca e re në një shtet si India, më bëri të vendos t’i bashkohem Tomasit. Tashmë do të provojmë të vazhdojmë me sukses njëlloj siç kemi bërë te Vllaznia.

djarmati

 

Jeni ambientuar me jetën në Kalkuta, si është një ditë për ju në këtë qytet që lidhet fort me Nënë Terezën?

Jam ambientuar mirë, por vetëm kam vështirësi në lëvizjen që bëj me makinë në qytet. Lëviz gjithnjë me një shofer, sepse këtu është në krahun e kundërt lëvizja e makinave. Kjo ndodh pasi vendi këtu është koloni angleze dhe të gjitha makinat janë me timonin në krahun e djathtë. Jetoj në një hotel me 5 yje për momentin dhe jemi përqendruar vetëm në stërvitje, në njohjen e ekipit dhe analizat që bëjmë. Ditët kalojnë shpejt.

Si është realiteti atje nëse bëjmë një krahasim me Shqipërinë?

Kushtet në krahasim me Shqipërinë janë të një niveli më të lartë. Për shembull në aspektin sportiv, mund të them që stërvitemi në një fushë që mirëmbahet nga 10 persona. Pastaj, stafi ynë në çdo seancë përbëhet nga mbi 20 veta. Çdo gjë lidhur me ekipin e parë, ka personin e duhur për punën e caktuar. Profesionalizmi është në maksimum.

Ku ndryshon roli që bëni tani te klubi indian me atë që kishit në Shkodër?

Puna ime në fillim ishte kërkesa për lojtarët të huaj. Pra, kam qenë skaut i lojtarëve të huaj. Jepja vlerësimet dhe si do përshtaten me lojën që preferon trajneri. Puna nuk ishte e lehtë, sepse kisha të njëjtin problem si në Shqipëri. Pra, duhet të bindja lojtarët cilësorë për të ardhur në Indi. Lehtësia këtu është se buxheti është tri herë më i madh se te Vllaznia. Kur ke një buxhet të mirë është më lehtë të sjellësh lojtarë cilësorë. Që nga dita kur kemi ardhur në Indi, kam mbyllur disa kontrata me lojtarë që na duheshin. Tashmë jam krahu i djathtë i trajnerit. Jam përshtatur shumë shpejt, pasi edhe kur punova në Shkodër si drejtor sportiv, isha çdo ditë në stërvitjen e ekipit.

Të flasim pak për Vllazninë, besoj se e keni ndjekur në Europë…

Po, i kam ndjekur të dyja ndeshjet, edhe pse ishte shumë vonë. Duhet të prisja orën 1 të natës, por i kam parë me shumë interes.

Si ju duk skuadra, ku mendoni se gaboi?

Unë mendoj se nuk duhet bërë dramë ky eliminim. Nuk mund të quhet gabim kur të eliminon një klub tjetër, që ka një buxhet 5-6 herë më të madh se Vllaznia. Cilësia e lojtarëve të Kraiovës ishte më e lartë. Besoj se ndeshja në Shkodër ishte maksimumi i Vllaznisë, ndërsa në takimin e luajtur në Rumani, u pa diferenca e madhe mes dy skuadrave.

Pas këtij eliminimi, çfarë mund të rregullojë Vllaznia për vazhdimësinë, që të ketë sukses në kampionat?

Edhe në kohën kur isha te Vllaznia, në merkaton e dimrit kemi kërkuar një sulmues me cilësi më të lartë se ekzistuesit, por është vështirë të gjesh lojtarë lojtar potentë dhe shënues të mirë. Edhe kur e gjen, duhet ta bindësh që të vij në Shqipëri, pasi nuk është e lehtë. Vllaznia më duket se ka humbur shumë kreativitetin dhe nuk ka lojtarë që krijon hapësira në lojën një kundër një, pra të krijojë superioritet numerik.

Mungon shumë shpejtësia e Latifit dhe një lojtar tjetër krahu që ka karakteristikat e tij dhe është i shpejtë. Vllaznia deri tani ka vazhduar si skuadra kur isha unë, me të njëjtën strategji. Në ndeshjen e parë ishin vetëm dy emra të rinj në krahasim me finalen e Kupës ndaj Laçit. Ishte Juriç dhe Boshnjaku të cilët kanë zëvendësuar Adilin dhe Krymin. Unë gjykoj se do ta kenë të vështirë për t’i zëvendësuar këta dy lojtarë kaq cilësorë.

Ju gjykoni se Vllaznisë i duhen disa afrime për të qenë për titull?

Mendoj se i duhet diçka më shumë se në 2 vitet fundit. Duhet një sulmues, që shënon afërsisht 20 gola në sezon. Gjithashtu, duhet një sulmues tjetër krahu apo gjysmësulmues. Një lojtarë që mund të krijojë kreativitetin në skuadër.

Po të shohësh mesfushën e ekipit, të gjithë lojtarët i ka punëtorë. Pra, Marku, Jonuzi, Heriç apo Boshjanku, janë punëtorë, por nuk kanë kreativitet që kishte Da Silva për shembull. Kam frikë se nëse nuk sjellin 2 ose 3 lojtarë, do të jenë sërish aty ku ishin sezonin e fundit. Superliga është kampionat shumë i vështirë, pasi janë 36 javë, plus 6 ndeshje në Kupë, kështu që nuk do ta ketë aspak të lehtë. Duhet të kesh 20 lojtarë cilësorë për titullin.

Po skuadra juaj e re me çfarë objektivash është në kampionatin indian?

Me FC Chenain objektivat i kemi njëlloj si me Vllazninë. Këtu kemi kualifikimin në Kupat e Azisë. Problemi është se këtu patjetër duhet të fitosh ose kampionatin ose Kupën, pasi vetëm 2 ekipe nga Superliga Indiane shkojnë në Kupat e Azisë. Presioni është njëlloj si në Shkodër. Pastaj, kur kalon presionin dhe eksperiencën në Shkodër, çdo punë në çdo ekip tjetër duhet shumë më e lehtë (qesh).

Keni një mesazh për shkodranët?

Dua t’u dërgoj të fala shumë të gjithëve në Shkodër. Kam lënë shumë miq atje dhe çdo ditë jemi në kontakt me njëri-tjetrin.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"