EKSKLUZIVE/ Vasil Ruci apel 4 ish-lojtarëve: Jepni dorëheqjen! 5 arbitra administrojnë 10 mln euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 23:13

EKSKLUZIVE/ Vasil Ruci apel 4 ish-lojtarëve: Jepni dorëheqjen! 5 arbitra administrojnë 10 mln euro

Legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, u kërkon katër anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së që të largohen sa më parë nga ky funksion, pasi vetëm kështu mund t’i bëjnë nderin më të madh situatës që po kalon kampionati i Kategorisë Superiore. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Flamurtarit thekson se futbolli shqiptar ka mbetur në duart e pesë arbitrave, që, sipas tij, administrojnë çdo sezon 10 milionë euro që investojnë klubet.

vasil-ruci

LETRA E HAPUR

“Përmes gazetës suaj, dua t’u drejtohem miqve të mi të vjetër, që prej vitesh janë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. E kam fjalën këtu për katër ish-futbollistë si Muhedin Targaj, Fatbardh Jera, Vasil Bici dhe Abdyl Kuriu. Këtë apel të ndjerë e bëj për ju, sepse kemi derdhur djersë bashkërisht dhe ndershmërisht në fushën e blertë për vite të tëra. U drejtohem juve, sepse është shpresa e vetme që kam si një mundësi për t’u dëgjuar zëri i futbollit, duke qenë se anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv nuk i njoh dhe nuk e di se çfarë i lidh ata me futbollin.

Konstatoj me keqardhje se çdo vit që po kalon, futbolli në Shqipëri po merret gjithnjë e më shumë peng nga njerëz që e shikojnë si biznes për të vjedhur në çdolloj forme. Ata nuk e shikojnë futbollin si një garë unike në llojin e vet, ku paraja dhe pasioni ndërthuren natyrshëm me njëra-tjetrën. Ju të nderuar miqtë e mi, jeni zgjedhur në këtë detyrë nga votat e të gjithë ekipeve. U bëj apel që të mos vazhdoni të bëheni pjesë e këtij faji të madh. Të jeni ju të parët që, për hir të asaj djerse të derdhur ndër vite, të tregoni se e keni për detyrë të respektoni djersën e një brezi të ri. Ju ftoj t’i thërrisni ndërgjegjes dhe të jepni sa më parë dorëheqjen nga këto struktura, të cilat po prekin fundin e një reputacioni tejet të ulët, që është i korruptuar fund e krye.

stadiumi flamurtari

Ky është i vetmi gjest që mund të bëni në këto momente dhe që mund t’u nderojë juve si ishfutbollistë me emër. Ky gjest mund t’i shërbejë realisht, por qoftë edhe sadopak futbollit shqiptar. Nëse bëni këtë akt qytetar, do të mbeteni po ata njerëz që kemi njohur në fushat e blerta. Nëse jepni dorëheqjen, do të respektoni djersën e derdhur nga një brez i tërë dhe do të shërbeni si shembull kundër abuzimeve të pafundme në futbollin shqiptar.

Nëse këta zotërinjtë bëjnë hapin e parë, atëherë bie edhe FSHF. Shokët e mi nuk duhet të presin muajin mars, nuk kanë pse bëhen pjesë e fajit. Unë e di që ata janë të pafajshëm, por për të ruajtur dinjitetin e tyre, duhet të largohen që tani. Është një logjikë shumë e thjeshtë, sepse në këtë lloj sporti duhet një ngacmim dhe pse të mos bëhen shkas katër ish-futbollistë që janë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Me dorëheqjen e tyre, e kupton fare qartë edhe UEFA që këtu nuk funksionon më FSHF. Pra, ju bie njerëzve të sportit për detyrë nëse e duan futbollin të ndershëm dhe të pastër”, është shprehur fillimisht ish-sulmuesi i famshëm i Flamurtarit të viteve ’80.

SITUATA

Natyrshëm që meraku i Rucit është Flamurtari, ndërsa nuk ngurron t’i cilësojë arbitrat si pjesa më e keqe e këtij sistemi. “Po marr vetëm një shembull të vogël. Nëse kjo garë që po bëhet, do të ishte e ndershme, atëherë Flamurtari do të ishte në vendin e dytë, jo në të tretin. Edhe Luftëtari është si Flamurtari dhe ka të drejtë në shqetësimin që ka ngritur.

Pesë arbitra administrojnë 10 milionë euro që qarkullon çdo vit në kampionat shqiptar. Po a ka më turp që këto miliona euro që hidhen të mbeten në dorën e Zirit me shokë, që janë injorantë me katër klasë shkollë. Ata që mbajnë këtë futboll gjallë është turp të gjykohen nga të paaftë, që marrin në qafë qytete të tëra. Kjo është çmenduria më e madhe që ndodh në Shqipëri”, ka përfunduar legjenda e futbollit vlonjat.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"