EKSKLUZIVE/ U shkarkua nga detyra e trajnerit, mësohet cili do të jetë pasuesi i Klevis Dalipit te Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 22:35

EKSKLUZIVE/ U shkarkua nga detyra e trajnerit, mësohet cili do të jetë pasuesi i Klevis Dalipit te Apolonia

Klevis Dalipi nuk do të jetë më trajner i Apolonisë. Nuk ka zgjatur as tre muaj aventura e 46-vjeçarit në krye të pankinës fierake. Erdhi në fund të qershorit dhe largohet pa u mbyllur ende shtatori.

Klevis Dalipi

Klubi e ka shkarkuar dhe shkak është bërë humbja me përmbysje përballë Besës, që përkonte vetëm me javën e tretë të Kategorisë së Parë.

Presidencës nuk i ka pëlqyer aspak si shkoi ndeshja në Peqin (që u kthye vetëm 9 minutat e fundit të lojës, ndonëse ishin në avantazh deri në të 83-ën), ndaj ka marrë këtë vendim drastik dhe në mënyrë të menjëhershme.

Edhe pse elbasanasi mori përsipër që të drejtonte një ekip ku dominonin të rinjtë dhe pa përvojën e duhur, drejtuesit prisnin tjetër gjë.

Në të parën humbje, kanë bërë këtë zgjidhje: ta largojnë nga stoli.

MUNGESA NË STËRVITJE

Stërvitja e së mërkurës dhe të enjtes nuk është drejtuar prej Klevis Dalipit, por nga drejtori sportiv Maringlen Kule dhe përgatitësi atletik Dario Dian, të cilët kanë asistuar vazhdimisht në përgatitjet e Apolonisë.

Nëse mungesa e teknikut nuk bëri fort përshtypje në ditën e parë, në të dytën u kuptua se diçka kishte ndodhur.

Para se të merrte “dhenë” lajmi, gazeta u interesua se çfarë po ndodhte te zyrtarë të klubit të pranishëm gjatë seancës së djeshme.

E megjithatë, askush nuk dha detaje dhe e vetmja gjë që thanë ishte: “Mungon”.

MESAZH I KODUAR NGA DALIPI

Lajmin e ka bërë të ditur vetë tekniku, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Ai ka falenderuar futbollistët me të cilët kishte nisur këtë sezon:

“Projekt i papërfunduar! Një falenderim për impenjimin dhe seriozitetin e treguar nga ju djema. Suksese… Jeni më të mirët”.

Në një bisedë me “Panorama Sport” nuk ka dashur të flasë më shumë për këtë histori, duke shtuar misterin e gjithçkaje. Por diçka e tha ama: “Realisht më vjen shumë keq që u mbyll këtu”.

ECURIA NË 270 MINUTA

Apolonia nuk e ka nisur keq sezonin, për të mos thënë që ka “fotokopjuar” sezonin e kaluar. Në 270 minuta lojë, kanë vetëm 4 pikë.

Pas barazimit në start me Korabin, fitoi në shifrat 5-2 me Turbinën dhe u mposht 2-1 nga Besa.

Gjithsesi, pritshmëritë e klubit janë të tjera. Ata pretendojnë që veç projektit që kanë nisur më të rinjtë, të ngjiten në elitë.

mariglen kule

PASUESI DHE KUPA

Çështja është kush do ta pasojë Klevis Dalipin? Zyrtarisht nuk është marrë asnjë vendim, ndonëse drejtuesit diçka e kanë në mendje.

Me Kupën e Shqipërisë, që për ta nis vetëm të dielën, kohë nuk kanë në fakt.

Gjasat janë që në Lezhë kundër Besëlidhjes, skuadra të drejtohet pikërisht nga drejtorit Mariglen Kule, derisa të zgjidhet përfundimisht trajneri i ri i Apolonisë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

E papritur në Kategorinë e Parë, shkarkohet trajneri i pretendentëve për ngjitjen në Superiore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"