EKSKLUZIVE/ “U dënova me Mingën se humbëm ndaj Anglisë”, Josa: Partizani është trajtuar njësoj si ekipet e tjera (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2020 | 0:27

EKSKLUZIVE/ “U dënova me Mingën se humbëm ndaj Anglisë”, Josa: Partizani është trajtuar njësoj si ekipet e tjera (E PLOTË)

Mirel Josa është i bindur që Tirana e ka merituar në fushë titullin kampion në vitin 1989. Ish-futbollisti i shquar i bardhebluve dhe i Kombëtares në ato vite pohon se çdo skuadër e kryeqytetit në periudha të caktuara ka pasur mbështetjen jo vetëm të publikut, por edhe të instancave që i drejtonin. Por, mohon kategorikisht që Tirana të ketë qenë e preferuara e Partisë apo të ketë fituar një trofe pa meritë.

Josa

“Tiranës nuk i kanë falur asgjë. Gjithçka e kemi fituar me meritë dhe me sakrifica”, thotë Josa në intervistën për “Panorama Sport”. Më tej, i jep edhe një përgjigje Neptun Bajkos: “Në monizëm nuk drejtonte vetëm Partia, por edhe ushtria me policinë… Nuk mund të thuash kurrsesi që Tirana ishte ekip i privilegjuar. Është e padrejtë”, shprehet Josa, një ndër trajnerët më fitues të dekadave të fundit.

Josa, ka një debat së fundmi për titullin e vitit 1989. A përfitoi Tirana nga penalizimi që iu bë disa lojtarëve të Partizanit?
Unë e mbaj mend mirë se çfarë ka ndodhur e çfarë jo. Nuk mendoj se është kështu. Po ju flet një njeri që atë titull e ka jetuar dhe e ka fituar në fushë.

Nga kampi i Partizanit pretendojnë që janë shpikur teste vetëm për të kuqtë. Ju keni bërë teste?
Natyrisht që kemi bërë. Të gjithë… Testet ishin shpikur më parë, jo atëherë. Në atë periudhë në drejtimin e ekipit kombëtar pritej të vinte një trajner gjerman dhe me sa mbaj mend unë testet u shpikën për këtë arsye. Deri atëherë bëheshin dy herë në vit.

Po, por sipas Perlat Mustës, atë vit u bënë tri teste dhe pati tendencë për të dënuar disa lojtarë të dalluar të Partizanit, çka më pas i penalizoi në rrugën drejt titullit…
Atë vit mund të jenë bërë tri herë testime, por unë nuk mendoj se ka qenë kjo arsyeja. Shifrat dhe statistikat janë aty: thuajse gjatë gjithë kampionatit ne kemi qenë në kryesim. Tiranës nuk i ka dhuruar asnjeri asgjë. Megjithatë, Perlati ka mendimet e veta. E lexova intervistën e tij në “Panorama Sport”, sepse unë e blej gazetën. Jam i qartë për të gjitha pretendimet dhe opinionet që janë shprehur ditët e fundit, por unë nuk besoj se këto gjëra janë bërë për arsye që Partizani të mos ketë ecuri të mirë gjatë kampionatit.

Ndërkaq, edhe profesor Bajko ka dyshime të forta se ka pasur penalizime dhe dënime me hile që të mos dilte Partizani kampion, sepse nuk luanin dot në Europë pas ngjarjes në Portugali. Ju, si mendoni?
Nuk më duket bindëse kjo. Natyrisht, secili ka mendimin e tij sipas njohurive që ka. Por, sa për ilustrim, ne të gjithë e dimë se dënimi ka ardhur në shtator të vitit 1987. Madje, para ndeshjes kundër Benfikës, është luajtur Partizani-Tirana dhe kemi fituar ne me rezultatin 3-1. Më pas është nisur Partizani drejt Portugalisë për përballjen me Benfikën. Ndërsa tani flitet për dy sezone më pas, titullin e vitit 1989. Bëjini vetë llogaritë…

BAJKO-JOSA

Po, por Bajko thotë që Partizani vazhdonte të ishte i dënuar nga UEFA dhe dyshon se ka pasur “kalkulime” nga zyrtarët e lartë që drejtonin sportin që ta evitonin daljen e të kuqve kampion, pasi nuk luanin dot në Europë…
Vazhdimi i vuajtjes së dënimit nga UEFA është normale që mund të ketë qenë në fuqi, por nuk mund të them që kjo është bërë që Partizani të mos dilte kampion. Në luftë për titull ka qenë edhe Dinamo. Dhe ne jemi mundur 0-1 nga Dinamo. Madje, kjo ka qenë para se ekipi kombëtar të shkonte në Angli. E meqë ra fjala te dënimet, po ju them se ndëshkime nuk ka pasur vetëm për lojtarët e Partizanit, por për të gjithë.

Që do të thotë?
Tiranës ia dënuan tre lojtarë dhe ua ndaluan të udhëtonin me ekipin kombëtar kundër Anglisë në transfertë. Ndeshjen e kthimit pra…
minga1
Cilët ishin lojtarët?
Portieri Mersini, unë dhe i ndjeri Minga nuk udhëtuam për në Angli. Pse? Sepse pas ndeshjes që luajtëm këtu, u dënuam për mosimpenjim dhe ndeshja luhej pas dy muajsh. Këtu u mundëm nga anglezët 0-2 dhe Ben Minga, unë dhe Mersini jemi dënuar, nuk shkuam në “Uembli”. E kuptoni çfarë ndodhte atëherë apo jo? Na dënuan se gjoja nuk u impenjuam kundër anglezëve. Po a ka lojtar normal që të mos jepte gjithçka kundër tyre? Mezi i prisnim ato ndeshje sepse ishim në kulmin tonë. Por ai ishte sistemi. Ne nuk themi që na dënuan që të përfitonin të tjerët. Prandaj, të them të drejtën nuk dua t’u futem këtyre gjërave, sepse në drejtim të Partizanit në atë kohë ka pasur një trajtim normal si çdo klubi tjetër. Por ka pasur edhe një rast kur u dënua edhe E. Shehu për mosimpenjim në Suedi.

A është e vërtetë që shpeshherë dënimet e këtyre lojtarëve vinin për t’i nxjerrë në “pension”. Pra, gjendej një motiv pothuajse “banal” për t’i aneksuar që të mos luanin më?
Jo. Nuk besoj te kjo. Unë them se kanë pasur synimet e tyre për faktin se donin të aktivizonin ndonjë lojtar të ri. Por, që një lojtar i ri të futej në Kombëtare duhet të dënoheshin futbollistë që militonin në të dhe vendin e tyre ta zinin të rinjtë.

Dakord, pra, por kjo ishte mënyra më e mirë për t’i larguar?! Nuk mund t’i thuhej një lojtari thjesht fare: “Nuk do të luash më me Kombëtaren!” Duhej patjetër ta dënonin për diçka…?
Po, nuk kishin mënyra të tjera për t’ia thënë këtë një lojtari. Atëherë nuk procedohej kështu. Ne ishim bërë të palëvizshëm në skuadër, titullarë të padiskutueshëm, sepse e meritonim.
neptun bajko
Si një bardheblu safi, si u ndiet kur dëgjuat nga një personalitet i futbollit si Bajko të thoshte: “Tirana ka qenë ekip i Partisë”?
Po pse, vetëm Partia drejtonte atëherë? A nuk drejtonin njerëzit e tjerë që ishin në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes? Ne kemi pasur kryetarin e komitetit dhe zv.kryetarin e Komitetit Ekzekutiv që kujdeseshin për Tiranën dhe Komitetin e Partisë së rrethit. Kjo, sepse vareshim nga këto dy institucione. Por ama nuk jam dakord fare me këtë qëndrim, sepse precedentët ju i dini shumë. Ju e dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur më parë. Kështu që jo, unë nuk mendoj se Tirana ka qenë e privilegjuar. Ne nuk kemi qenë ekip Partie. Kemi pasur dhe ne problemet tona, sidomos kur dilnim jashtë. Çdo ekip ka pasur komisarin. Atë komisarin “e kujdesshëm”, i cili merrej me anën organizative të skuadrës ose se si funksionon kjo skuadër brendapërbrenda. Ky komisar, po. Ka qenë njeri i Partisë dhe futej në skuadër dhe këtë e ka pasur çdo skuadër. Kështu që, nuk besoj që kemi qenë ekip Partie. Tirana ka pasur skuadrën më të mirë në atë periudhë në ’80-’90 dhe ka dalë katër herë kampion. Tiranës nuk i ka falur njeri asgjë. Madje, këtu nuk përmenda dhe tri Kupa të Shqipërisë. Atë sezon me Partizanin jemi ndeshur katër herë dhe na kanë mundur dy herë e kemi barazuar dy herë të tjera. Na kanë pasur në fushë, mund të fitonin titullin.

A ka pasur ndonjë trajtim preferencial të ekipeve kryeqytetase në atë sistem?
Kjo që thoni ju ka ekzistuar, por në periudha të ndryshme për çdo ekip. Tirana ka pasur njëfarë preferencë sepse kishim shumë lojtarë në ekipin kombëtar. Por edhe ekipeve të tjera nuk u ka munguar preferenca. Kështu, për shembull, Dinamoja ka qenë e privilegjuar në ’85-’86 ose siç ka qenë i privilegjuar Partizani në ’87. Tirana në këtë vit nuk mori as Kupë, as kampionat. U eliminua që në gjysmëfinale nga Vllaznia. Kështu që, unë ngul këmbë që nuk kemi pasur asnjëherë përkrahje nga Partia. Lojtarëve të ekipit kombëtar u jepej një prioritet më i madh dhe kjo bëhej për të pasur ecuri Kombëtarja.

Një pyetje jashtë kësaj teme: Çfarë mendimi keni për rifillimin e futbollit në këtë kohë pandemie? Është më mirë për ju që po rifillon apo është e rrezikshme për kushtet tona?
Pavarësisht kushteve që kemi, unë mendoj se duhet të rifillojë. Do të jetë e vështirë, sepse ky pushim i detyruar ka bërë që skuadrat të dalin nga ritmi. Kjo që ndodhi ka qenë e paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë. Stafet do ta kenë shumë të vështirë, sepse tani duhet të karikojnë skuadrat, qoftë fizikisht apo mendërisht për të rifilluar dhe kjo në Shqipëri, por edhe në Europë. Do të luhet në kushte të vështira, problemi i tifozërisë është një problem tjetër më vete. Ana ekonomike është një tjetër problem i madh, sepse të ardhurat varen nga shitjet e biletave. Problemet me traumat do të jenë të mëdha.
Josa1
Ku do ta shohim Mirel Josën në të ardhmen, pas këtij pushimi absolut që po bëni?
Absolut po, pasi unë e kam filluar karantinën që në shtator (qesh). Jam në pritje, nuk më nxiton gjë. Po të kem propozime, do t’i diskutoj dhe do të vendos. Nuk është dhe shumë në dorën tonë. Mireli është i gatshëm të punojë, por të shohim si do të shkojnë gjërat sepse nuk mund të flas tani për parashikime mbi të ardhmen. Por, po e përsëris, jam i gatshëm për të punuar.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"