EKSKLUZIVE/ “Tripletë e arbitrit kryesor, i takonte topi”, akuzon Albpetroli: Vetëm sazet mungonin në Maliq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2019 | 14:56

EKSKLUZIVE/ “Tripletë e arbitrit kryesor, i takonte topi”, akuzon Albpetroli: Vetëm sazet mungonin në Maliq

Albpetroli u mund 3-2 të dielën në transfertën e Maliqit në një ndeshje plot tension. Drejtuesit patosarakë kontestojnë fuqishëm gjykimin e treshes nga Elbasani me kryesor Silvio Dyrmishin, pasi ai dha dy penallti të paqena dhe e shtoi lojën pa fund, derisa Maliqi shënoi golin e fitores.albptroli

SHEFI I KLUBIT, ÇELA – Për “Panorama Sport” është shefi i klubit, Hiqmet Çela, i cili denoncon me detaje atë çfarë ndodhi në Maliq: “Çfarë ndodhi në Maliq? Aktorët e asaj ndeshjeje ishin delegati, vëzhguesi, trajneri i Maliqit dhe 4 arbitrat, të gjithë dukeshin si një familje dhe dihet që në një familje i bëhen favore njëri-tjetrit. Të gjithë qeshnin për fitoren e Maliqit pa u luajtur ndeshja, mungonin vetëm sazet që të fillonte kënga. Të gjithë ata nga Korça dhe Elbasani dhe që dhanë një shfaqje të shëmtuar, ku s’kishte asgjë të përbashkët me futbollin. Edhe ne do të donim delegat dhe vëzhgues nga Fieri dhe arbitra nga Lushnja… Kamikazi i ndeshjes, nën dirigjimin e delegatit dhe vëzhguesit, dha një shfaqje të turpshme, penallti e paqenë që në minutën e 3-të.

Pas protestës sime te zyrtarët e ndeshjes, jo që nuk reaguan, por njëri asistent gangster qëlloi me kokë lojtarin tonë dhe sërish asgjë. Në minutën e 15-të kam biseduar në telefon me sekretarin e FSHF-së, Ilir Shulku, ndërsa delegati dhe vëzhguesi urdhëruan arbitrin e 4-t të ndalte lojën që t’i kërkonte kryesorit të mblidhte telefonat e stolit tonë, me frikën se po filmonin shfaqjen e tyre të turpshme. Po bisedoja me z.Shulku, por arbitri më nxori karton të kuq.

Penalltia dhe kartoni im ishin sinjale të qarta. E kthyem rezultatin në 1-2, por kamikazi Dyrmishi shfaqi talentin e tij me një tjetër penallti të paqenë dhe 2-2. Më pas ai nuk e hiqte bilbilin nga goja, duke dhënë faulle inekzistente afër zonës sonë dhe duke u bërtitur lojtarëve të stolit tonë. Akordoi 6 minuta shtesë, por loja u mbyll në minutën e 97-të e 40 sekonda, kur kryesori shënoi golin e tij të 3-të për ta marrë edhe topin me vete. Më befasoi gëzimi i vëzhguesit, i cili në dakordësi me delegatin, bëri që goli të shënohej në minutën e 94-t.

Këta zyrtarë të korruptuar prishin futbollin me raportimet e tyre të deformuara, i shërbejnë keq FSHF-së. Si është e mundur që Maliqi në 3 ndeshje ka marrë 5 penallti nga arbitra të kontestuar? Si është e mundur që ndeshjet vendimtare të tij me Tomorin dhe Albpetrolin i ka gjykuar i njëjti arbitër, Silvio Dyrmishi? Kur do të shpëtojmë nga Dyrmishët e Shqipërisë”.

AMARILDO GROPA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"