EKSKLUZIVE/ Trashi humb derbin, mjeku i Partizanit: Ju tregoj dëmtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 0:25

EKSKLUZIVE/ Trashi humb derbin, mjeku i Partizanit: Ju tregoj dëmtimin

Problemet për Partizanin e këtij sezoni nuk kanë të sosur, pasi sapo shuhet diçka, një tjetër shqetësim del në skenë. Sikur të mos mjaftonte lënia e dy pikëve ndaj Bylisit, të kuqtë nga kjo ndeshje kanë pësuar edhe një humbje tjetër, Lorenc Trashin, që mund të ndikojë në derbin e 28 shkurtit. Pas dëmtimit që Trashi mori nga përplasja me portierin Hoxha në minutën e 26- të të ndeshjes, ka përfunduar në spital.

trashiii

27-vjeçari ka dëmtuar mollëzën e majtë dhe mbivetullën e që nga e shtuna ai ka qenë nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të spitalit. Fillimisht u fol për një dëmtim të rëndë, që mund të çonte deri në ndërhyrjen kirurgjikale për të riparuar problemin. Por stafi mjekësor nuk është nxituar dhe ka vijuar monitorimin dhe ekzaminimet e specializuara. Trashi i ka shpëtuar ndërhyrjes dhe sot do të lërë spitalin.

lorenc trashi

 

Këtë gjë e konfirmoi për “Panorama Sport” mjeku i skuadrës së kuqe, Dhimosten Gjini. Mjeku, gjithashtu, sqaroi dëmtimin që ka pësuar lojtari, procedurat spitalore të ndjekura, si dhe çfarë do të ndodhë me Trashin pasi të dalë sot nga spitali. Për një njeri me aktivitet normal, dëmtimi i Trashit nuk përbën problem, por duke qenë futbollist ku gjatë ndeshjes përplasjet janë të paevitueshme, 27-vjeçarit do t’i këshillohet që për disa ditë të qëndrojë pushim dhe nga java tjetër do të nisë periudha e riaftësimit.

Kështu që, Lorenc Trashi konsiderohet mungesë e sigurt për Partizanin në derbi. Pa dyshim që kjo është një humbje e madhe për “demat”, pasi Trashi është një nga shtyllat e skuadrës, por para shëndetit nuk vlen asgjë. Kur të rikthehet, me gjasa Trashi do të luajë me maskë mbrojtëse.

dhimosten-gjini1

SQARIMI I MJEKUT 

Dhimosten Gjini, mjeku i skuadrës së Partizanit, për “Panorama Sport” ka sqaruar dëmtimin e Trashit, që nuk është problematik, por i duhet të pushojë disa ditë. Mjeku i të kuqve tregon se lojtari ka zhvilluar dje një konsultë me neurokirurgun dhe okulistin dhe gjithçka ka dalë në rregull.

“Lojtari është në spital. Ka dëmtime në pjesën e sipërme të nofullës, te mollëza e majtë dhe mbi vetull. Ka bërë skaner dhe ekzaminimet e tjera që verifikuan këtë dëmtim. Ai u është nënshtruar vizitave mjekësore dhe sot (dje) ka bërë konsultën me neurokirurgë dhe okulistë dhe gjithçka ka dalë në rregull. Nesër (sot) Trashi del nga spitali. Gjendja e përgjithshme është e rregullt dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rrezik. Por problemi për këtë dëmtim ka lidhje për një sportist, ndaj e ka të detyruar që të rrijë disa ditë pushim. Pastaj periudha e rikuperimit është një dinamikë që do të monitorohet dhe për rikthimin në fushë do të veprohet duke parë gjendjen hap pas hapi”, sqaroi mjeku Dhimosten Gjini në prononcimin e tij për gazetën.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"