EKSKLUZIVE/ “Titullin e dua në shkodër”, Hamdi Salihi: Sot fiton Vllaznia, Shehin e ngushëlloj unë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2021 | 12:08

EKSKLUZIVE/ “Titullin e dua në shkodër”, Hamdi Salihi: Sot fiton Vllaznia, Shehin e ngushëlloj unë (E PLOTË)

Vllaznia-Tirana është gjithnjë një ndeshje e rëndësishme në Shqipëri, edhe në kohë pandemie pa tifozë, edhe kur shkodranët luajnë për titull dhe Tirana ka dalë jashtë garës… Madje, edhe kur luhet 4 herë në vit. Ka persona si Hamdi Salihi që e përjetojnë ndryshe atë, sepse jo vetëm që kanë veshur fanellën e të dyja skuadrave, por janë sportistë të cilët kanë lënë gjurmë në të dyja ekipet e mandej edhe në Kombëtaren shqiptare. Kjo e sotmja është delikate për të dyja skuadrat, por Salihi është i drejtpërdrejtë kur thotë: “Dua të fitojë Vllaznia. Tiranën e dua shumë, por është ora e Vllaznisë”.

Salihi

Në intervistën për “Panorama Sport” ish-sulmuesi i shquar skanon “klasiken” e Shqipërisë dhe argumenton me detaje se pse Vllaznia mund t’ia dalë për titull. Si pjesëtar i stafit të Kombëtares, ka edhe një mesazh për Sadikun dhe Muçin, që së fundmi kanë ndryshuar ekip.

Hamdi, si po ju shkojnë gjërat në Amerikë?

Si kohë pandemie që është, po themi mirë. Nuk kam pasur mundësi të angazhohem në futboll, pra si trajner, por jam marrë me disa gjëra personale. Po përpiqem të investoj në një biznes dhe pres t’i rikthehemi normalitetit edhe në sport.

Ju jetoni në Kaliforni. Si janë masat anti- COVID atje? 

Të rrepta, por jo edhe aq sa në shtete të tjera. Kur del dielli dhe bën ngrohtë, njerëzit dalin pa hezitim. Natyrisht, me maska dhe me distancë, por dalin. Megjithatë, jam i lumtur që edhe vaksinimi po ecën me ritme shumë të shpejta. Kjo ka sjellë shpresë të madhe këtu.

A e ndiqni kampionatin shqiptar?

Po, rregullisht. Sot (dje) më shpëtoi pa parë Teuta-Kukësi, por me sa lexova në portalin “panoramasport.al”, kishte qenë ndeshje e bukur. Për fat të keq, nuk i organizova dot oraret.

Po sot e dini cilat luajnë?

Patjetër, i di të gjitha ndeshjet, por ju besoj se më keni telefonuar për Vllaznia-Tirana… (qesh).

Pikërisht

Eh, është ndeshje e komplikuar, por unë mendoj se Vllaznia mund t’ia dalë. Ka skuadër të mirë dhe e ka treguar se di të marrë veten edhe pas ndonjë hapi fals që ka bërë.

Cila fiton?

Nuk di ta them me saktësi, por do të doja të fitonte Vllaznia. U bë shumë kohë që titulli nuk shkon në Shkodër dhe mendoj se janë në rrugën e duhur.

salihi

A e mund dot Vllaznia këtë Tiranë?

Mendoj se po. Jo sepse kanë shumë diferenca, por sepse Vllaznia ka një grup më të konsoliduar dhe natyrisht një arsye dhe motivim madhor siç është titulli.

Si mund ta thyejë Vllaznia Tiranën?

Ka një avantazh: është madhështia e Tiranës. Në kuptimin që shumica e skuadrave që luajnë kundër Vllaznisë sot mbyllen dhe përpiqen ta godasin me ndonjë kundërsulm. Tirana nuk luan kështu. Tirana gjithnjë ka luajtur për të fituar, në çdo rrethanë ose ndaj çdo kundërshtari. Rrjedhimisht, lë edhe hapësira mbrapa. Kështu që, nëse Vllaznia luan me kujdes dhe pa shumë eufori, besoj se mund t’ia dalë.

Kjo që sapo thatë do t’i trishtojë disi jo vetëm tifozët e Tiranës, por edhe Shehin e Osmanin, miqtë tuaj te Skënderbeu, që sot janë te Tirana…

Oh, pa problem. Ata e dinë prej kohësh se nga anoj unë këtë vit… (qesh). Flas shpesh me ta, madje kam folur edhe sot (dje) dhe u kam thënë hapur se bëj tifo për Vllazninë. E rëndësishme është që të fitojë Vllaznia, sepse nëse pastaj kanë nevojë për ngushëllim, unë jam gati t’u telefonoj edhe t’i ngushëlloj… (qesh).

Hamdi, a mund ta fitojë kjo Vllazni vërtet titullin?

Unë besoj se po. Më ka bindur me atë që ka bërë deri tani.

Po, por kanë pësuar një rënie, ndërkohë që Partizani u është afruar shumë…

Dakord, por me gjithë këto luhatjet e fundit, ata janë sërish +4 në renditje. Nuk është pak, por nuk i referohem vetëm renditjes, pasi e kam fjalën edhe për mënyrën se si luajnë, cilësitë që kanë dhe harmoninë që kanë. Mua më kanë bindur se me pak kujdes mund ta  çojnë deri në fund misionin.

Çfarë ka Vllaznia më shumë se Partizani?

Ka një grup më të konsoliduar. Patën fatin që para se të fillonte sezoni, punuan për një kohë të gjatë bashkë dhe kjo i ndihmoi të ishin një skuadër kompakte. Morën pikët dhe krijuan një distancë që i vuri në vështirësi të mëdha të tjerët. Ndërkohë, Partizani hasi në disa probleme në fillim me një grup jo edhe aq të kompletuar, por edhe skuadrës iu desh më shumë kohë se Vllaznia që të funksiononte si duhet. Për këtë arsye la pikë të rëndësishme. Megjithatë, ata mbeten një skuadër shumë e mirë dhe kanë një trajner të shkëlqyer si Ilir Daja. Unë ruaj respekt të madh për Dajën, sepse kam punuar me të dhe e di se çfarë është në gjendje të bëjë.

Partizani-Vllaznia Elbasan Arena

A ju shqetësojnë këto luhatjet e fundit të Vllaznisë

Jo edhe aq. Është normale që do të kalonin një moment të vështirë. Madje edhe ata vetë e prisnin që do të vinte dita kur edhe gjërat nuk do të shkonin si duhet. Tani e rëndësishme është që të mos vihen nën presion dhe të kërkojnë t’i zgjidhin gjërat si në ndeshjet e fundit. Besoj se me pak fat mund ta kalojnë shpejt këtë moment jo edhe aq të mirë.

Pse, çfarë ju ka rënë në sy gjatë ndeshjeve të fundit?

Kam parë se skuadra ka dashur t’i shënojë golat që në fillim dhe më shumë është përpjekur të shënojë me forcë, ose me grintë se sa me qetësi dhe me mençuri. Ata duhet të kuptojnë se janë po e njëjta skuadër si në fillim të sezonit. Kanë cilësi dhe rivalët nuk janë më të frikshëm se më parë. Por duhet të kuptojnë se tani primar është rezultati. Nuk u kërkon më njeri të jenë spektakolarë. Luaj si të duash, bëj çfarë të duash, por në fund merr rezultatin. Këtë duhet ta kenë të qartë.

Në Shkodër thonë me batutë se Vllaznia është si Milani këtë vit, por edhe Milani po vuan shumë…

Po, por Vllaznia është ende në krye dhe luhatjet nuk i ka pasur si Milani. Më duket më mirë… (qesh).

Ju kanë quajtur shpesh “Gerd Myleri” shqiptar për golat e shumtë që shënonit dhe për nuhatjen e frikshme para portës. Na thoni pak, a e fiton dot titullin një skuadër kur sulmuesi kryesor i saj nuk shënon prej 10 ndeshjesh…?

E kuptoj ku doni të dilni, por po ju them se unë Dilaverin në mendjen time nuk e kam konsideruar që në fillim si një qendërsulmues goli. Ai është i fortë, krijon hapësira dhe tërheq shumë skuadrën, por nuk është nga ata që shënojnë shumë. E megjithatë, unë prapë them se Vllaznia i ka mundësitë t’ia dalë edhe pa pasur një bomber race. Nuk ka pse të jetë fotokopja e dikujt, pra të kesh patjetër dikë që të zgjidh ndeshjet. Fitohet edhe duke i shpërndarë golat. Më pëlqen shumë Ardit Hoxhaj. Është i zhdërvjellët, ka cinizëm dhe po të ndihmohet pak më shumë, mund të bëjë diferencën. Por, e këshilloj të mos bjerë në pesimizëm edhe kur nuk shënon. E rëndësishme është që të japë gjithnjë më të mirën e tij në fushë.

Çfarë këshille keni për Vllazninë sot?

Të luajë me zgjuarsi dhe me qetësi. Të japin gjithçka në fushë për ta fituar, sepse nëse fitojnë, rikthehen në pozita komode. Teuta u ndal, por nëse ndalet edhe një mes Partizanit ose Laçit, ose edhe një barazim i tyre, sërish Vllaznisë i bën punë nëse fiton. Por, duhet të jenë të qetë.

Si shkodran, çfarë këshille do t’i jepnit kapitenit Gurishta?

Shikoni, unë Gurishtën e njoh personalisht sepse kishte periudha kur unë vija me pushime në Shkodër dhe stërvitesha me të rinjtë e Vllaznisë. Aty kam njohur Gurishtën, Krymin, Çinarin e shumë të tjerë. Gurishta është një lojtar i fortë, është djalë i mirë dhe me karakterin e duhur për të qenë lideri i atij ekipi. Kam besim se është kapiteni i duhur i atij grupi lojtarësh. Më duhet ta përgëzoj trajnerin Luan Zmijani që ka bërë një punë të shkëlqyer me brezin e Gurishtës, sepse 80% e asaj skuadre sot luajnë në nivele të larta. Ishte edhe meritë e tij, pa dyshim.

Dakord pra, por çfarë këshille do t’i jepnit?

Që të japë sa më pak intervista, qoftë edhe në gazetën tuaj dhe të dëgjojë sa më pak emisionet apo edhe ju personalisht kur flisni në studio… (qesh).

Gurishta Vllaznia

Po pse?

Sepse janë djem të rinj që ndikohen shumë nga një opinion dhe unë e di se gazeta juaj ka shumë ndikim në Shkodër. Më mirë ta evitojë këtë pjesë… (qesh).

Pra, ne gazetarët jemi problemi…?

Nuk thashë këtë, por mediat kanë shumë influencë në Shkodër dhe jo vetëm te skuadra, por edhe tek ambienti që i rrethon. Duhet të kesh eksperiencë që të përballosh si duhet edhe pjesën mediatike, por nuk kam asgjë me ju apo me kolegët tuaj.

Ju thoni se Vllaznia ka një grup më të konsoliduar dhe disa pikë më shumë, por Partizani nga ana tjetër ka lojtarë që e kanë fituar një herë titullin. A ndikon kjo gjatë garës së një sezoni?

Po, ka një ndikim, por unë jam optimist për Vllaznisë, sepse disa gabime i kanë bërë së fundmi. Nuk do vazhdojë pafundësisht gabimet dhe të presin që të tjerët vetëm të fitojnë. Pastaj shkëndija mund të nisë që këtë javë, nëse fiton me Tiranën, atëherë Partizani me Laçin do përplasen mes tyre…

Nëse fiton Partizani titullin, a do të ishte një “ngushëllim” për ju që dy shkodranë si Çinari dhe Hakaj do të shpalleshin kampionë?

Ata janë djem dhe lojtarë shumë të mirë. Do më vinte mirë për ta, por edhe për Ilir Dajën që e respektoj shumë për profesionalizmin që ka, por të them të drejtën nuk do të gëzoja njësoj sikur ta fitonte Vllaznia. Unë shpresoj shumë që titulli të shkojë në Shkodër.

Ju jeni pjesë e stafit të Kombëtares. Si po ecën aventura e re?

Shumë mirë. Jam i kënaqur sepse gjëja më e mirë që mund të më ndodhte pasi lashë futbollin ishte që të punoja në stafin e Kombëtares. Ndihem jashtëzakonisht mirë aty dhe, për fat, kam pasur në krah edhe Bulkun që ka më tepër vite sesa unë. Por, më besoni, është fat i madh të punosh me Edi Rejën.

Pse?

Sepse të bën të ndihesh i vlerësuar. Pra, nuk pyet nëse je i ri apo i vjetër. Të dëgjon me vëmendje dhe një ide jotja apo edhe një propozim nuk shkon dëm. Merr në konsideratë gjithçka dhe kjo e ndihmon që të imponojë respekt te të tjerët, por edhe të ngjallë besimin se gjërat bëhen mirë dhe drejt.

Ju keni luajtur në Austri, Kinë, në SHBA dhe në Izrael. Së fundmi, Sadiku shkoi akoma më larg, në Bolivi… A përbën problem kjo për një sulmues në ekipin kombëtar?

Nuk besoj. Sadiku mund të jetë pjesë e rëndësishme e Kombëtares nëse ai është në formë, luan rregullisht dhe shënon. Nuk është problem distanca.

Mavraj thotë se i vjen keq për sulmuesit sepse ata sakrifikojnë shumë dhe janë mbrojtësit e parë për shkak të modulit tonë të lojës që bën Kombëtarja…

Dhe në fakt Mavraj ka të drejtë. Kështu ka ndodhur thuajse gjithnjë, por sa më shpejt sulmuesit ta kuptojnë këtë gjë, aq më mirë për ata edhe për shokët e tyre në skuadër. Shqipëria shpeshherë mungesën e cilësive përpiqej ta kompensonte me shpirtin e sakrificës dhe duke dhënë 120% në fushë. Kjo, besoj, ka ndikuar që sforcoja të niste fillimisht nga sulmi e më pas nga gjithë pjesa tjetër.

salihi reja

Së fundmi, një tjetër sulmues i ri nga skuadra e Tiranës, Muçi, ka nisur një aventurë jashtë Shqipërisë. Çfarë duhet të bëjë ai te Legia e Varshavës që të ecë ndoshta në gjurmët e Salihit?

Së pari, duhet ta mbledhë mendjen mirë se do të hasë shumë vështirësi. Kur ikën nga Shqipëria nuk ta shtron njeri rrugën me tapet të kuq. Përkundrazi, aty fillon malorja. Ai duhet ta dijë se do të ketë vështirësi dhe pak minuta në fillim. Prandaj, së pari, nuk duhet të dorëzohet edhe nëse i japin shansin me pikatore. Ama në ato pak minuta që do ketë në dispozicion ai duhet të japë gjithçka nga vetja. Të jetë i përmbajtur dhe të mos demoralizohet edhe kur diçka shkon mirë. Të mos kalojë në eufori edhe pas ndonjë goli apo pas një periudhe të mirë, sepse gjithnjë dalin vështirësi. Jashtë e humb vendin shumë shpejt, sepse konkurrenca është e pamëshirshme. Muçi është një djalë me potencial të madh dhe nëse punon me përkushtim, unë kam besim se do t’ia dalë.

Shorti i Botërorit duket shumë i vështirë, ju si mendoni?

Angli, Poloni, Hungari, Andorrë, San Marino… Kur e sheh nga jashtë, të duket vërtet i frikshëm, por ne kemi besim se mund të bëjmë gjëra të mira. Nuk kemi asgjë për të humbur dhe mbi të gjitha kemi një skuadër të mirë. E rëndësishme për mua është që të japim gjithçka që të mos kemi asnjë pishman në fund të edicionit. Pastaj të shohim se deri ku mund të mbërrijmë.

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"