EKSKLUZIVE/ “Tirana është bërë si koshere”, Ambasadori i Holandës “sfidon” Ramën: Le të bëjë tifo për Romën, fiton Fejnordi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2022 | 20:23


EKSKLUZIVE/ “Tirana është bërë si koshere”, Ambasadori i Holandës “sfidon” Ramën: Le të bëjë tifo për Romën, fiton Fejnordi (E PLOTË)

Holandezët mund të kenë më pak lidhje me Shqipërinë, ndryshe nga Italia fqinje, por kur vjen fjala për futbollin, Fejnordi do të mbërrijë për herë të dytë në Tiranë. Këtë herë ndryshe, sepse do të diskutojë një finale të Ligës së Konferencës kundër Romës. 

REINOUT VOS

Në lidhje me këtë “Panorama Sport” ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me ambasadorin holandez në Shqipëri. “Për habinë time, kam gjetur shumë tifozë futbolli holandez këtu në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që Tirana do të presë këtë ndeshje interesante”, shprehet fillimisht Reinout Vos, i cili tregon edhe virtytet e shqiptarëve, por ka edhe një koment sa i përket mbështetjes publike ndaj Romës që ka bërë kryeministri i vendit, Edi Rama.

Përshëndetje zoti ambasador, Tirana do të presë një finale ku një ekip holandez si Fejnordi do të vijë në Shqipëri për të diskutuar një trofe si Liga e Konferencës. Për tifozët e futbollit këtu është një ngjarje e madhe, por nga pikëpamja juaj a është gati Tirana të presë një event të këtyre përmasave?

Për habinë time, kam gjetur shumë tifozë futbolli holandez këtu në Shqipëri. Futbolli është një nga gjurmët e Holandës jashtë vendit, së bashku me tulipanët, biçikletat, digat e ujit dhe piktori Rembrandt. Jam shumë i lumtur që Tirana do të presë këtë ndeshje interesante të Ligës së Konferencës nesër në stadiumin “Air Albania”. Kam vënë re se të gjithë aktorët, Federata Shqiptare e Futbollit, policia e shtetit shqiptar dhe bashkia po punojnë fort për t’u përgatitur për këtë ngjarje, e cila është më e gjerë se vetë ndeshja.

Deri tani duket se çdo gjë është nën kontroll dhe të gjitha përgatitjet po ecin si duhet. Ka një atmosferë vibruese sikur të ishte një koshere bletësh dhe kjo falë autoriteteve shqiptare të cilat do të doja t’i komplimentoja për koordinimin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer deri tani. Në ambasadë gjithashtu po përgatitemi.

Do të ketë një numër të lartë qytetarësh holandezë që do të udhëtojnë për në Shqipëri. Kjo është e mrekullueshme, sepse jam i sigurt që do të zbulojnë një vend që shkon përtej pritshmërive të tyre. Ndërsa ne do të jemi të gatshëm të ndihmojmë këdo që do të ketë nevojë për shërbimet tona në ambasadë.

Ju personalisht, fans i cilit ekip holandez jeni?

Personalisht jam tifoz i kombëtares holandeze të femrave. Në Holandë skuadrat dhe kampionatet e futbollit të femrave janë po aq të mira sa edhe klubet e meshkujve. Kështu që unë bëj tifo për ekipin holandez të femrave për Kampionatin Botëror të ardhshëm të vitit 2023.

Jeni në dijeni që Kombëtarja shqiptare është drejtuar nga një holandez si Arie Haan, i cili po ashtu ka drejtuar Fejnordin, dhe gjithashtu që ekipi i Roterdamit ka luajtur edhe më parë në Tiranë kundër skuadrës së Partizanit në 1991-shin?

Po, kam dëgjuar. Futbolli holandez është një nga temat e para për të nisur një bisedë me një person të ri që takon në Shqipëri. Ndeshja e vitit 1991 mes Fejnordit dhe Partizanit e luajtur në Tiranë ka qenë shumë mbresëlënëse. Së fundmi në Holandë u përgatit një dokumentar që na kthen në Tiranën e vitit 1991. Është mbresëlënëse të shikosh se sa ka ndryshuar qyteti që atëherë. Tifozët e Fejnordit e mbajnë mend ende portierin Lekbello, i cili ndaloi të gjithë topat në portë. Ai u bëri përshtypje shumë njerëzve në Shqipëri dhe Holandë gjithashtu.

Cilat janë pyetjet më të shpeshta që ju bëjnë tifozët holandezë?

Kemi marrë pyetje të ndryshme këto ditë. Interesi i tifozëve holandezë është shumë i lartë. Shumë prej tyre nuk mund të udhëtojnë drejt Tiranës për ndeshjen, por do ta ndjekin atë drejtpërdrejt nga ekranet. Ashtu si në çdo ndeshje të rëndësishme futbolli, ndjenja e tifozëve është e lartë, pritshmëritë për fitore janë të larta dhe entuziazmi shpërndahet te njëri-tjetri.

Nëse një tifoz i Fejnordit do t’ju pyeste se çfarë vendi është Shqipëria, çfarë do t’i thoshit?

Këtë dimër, disa miliona holandezë panë për 10 fundjava me radhë bukuritë e Shqipërisë – falë një “reality shoë” që u xhirua këtu. Ishte një reklamë për Shqipërinë dhe për atë çka ajo ofron. Ajo që mund të shtoj është se njerëzit e Shqipërisë që kam njohur gjatë këtij viti janë shumë të mirë. Mikpritja është fantastike, ushqimi është i shkëlqyer, njerëzit janë të mrekullueshëm. Shumë tifozë holandezë do të vijnë në Tiranë edhe pse nuk ia kanë dalë të sigurojnë një biletë për në stadium, keni një këshillë për ta? Të brohorasësh për Fejnordin është më e mira që një tifoz mund të bëjë, pavarësisht se ku ndodhet.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur publikisht mbështetjen për skuadrën e Romës, keni një koment për këtë?

Secili është i lirë të zgjedhë dhe të mbështesë ekipin e zemrës ose preferencës së tij. Unë gjithashtu mund të deklaroj publikisht mbështetjen time për skuadrën e Fejnordit.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL