EKSKLUZIVE/ “Tirana do tre trofetë”, Orges Shehi: Mos ma prekni Xhixhën! Skuadra dobësohet shumë po t’i heqësh Redonin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 20:30

EKSKLUZIVE/ “Tirana do tre trofetë”, Orges Shehi: Mos ma prekni Xhixhën! Skuadra dobësohet shumë po t’i heqësh Redonin (E PLOTË)

Pas një jave pushim dhe qetësie totale Tirana është kthyer në stërvitje. Edhe Orges Shehi është aty me ekipin, duke qetësuar ndonjë fanatik me fantazi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i bardhebluve foli për përgatitjet e skuadrës. Mundësinë që ekipi të fitojë Superkupën dhe tre trofetë e sezonit. Kampionatin e quajti një maratonë të gjatë, ndërsa largimi i Xhixhës do të ishte në njëfarë mënyre fatal për ëndrrën “titull”. Shehi dribloi punën e merkatos si dhe pranoi se Tirana lufton vetëm për trofe.

ORGES SHEHI

Pas futbollit të luajtur dhe pushimeve, keni nisur një fazë të re përgatitore me skuadrën, duke u grumbulluar në Tiranë?

Ishte një periudhë pushimi, që nuk është shumë e gjatë. Sidomos për ne që e fillojmë më herët se të tjerët, sepse kemi Superkupën dhe duhet të jemi gati për këtë ndeshje. Këto ditë që kemi pushim, t’i shfrytëzojmë me masë, sepse gjendja fizike duhet të jetë maksimale brenda datës 30 nëntor.

Ju e rinisni sezonin me Superkupën. Keni mundësi që të fitoni të tre trofetë këtë sezon?

Superkupa është një ndeshje që fillon më shpejt nga të gjitha përballjet e tjera. Ne po merremi me këtë sfidë. Për ne është një trofe që për nga rëndësia është simbolik, por do ta vlerësojmë maksimalisht. Gjithmonë është trofe. Dhe ne si klub duam të fitojmë çdo trofe që na del përpara. Jemi më të titulluarit. Më pas për Kupën dhe kampionatin ka kohë. Kupa ka specifikë tjetër, ndërsa kampionati është maratonë e gjatë. Kemi bërë shumë pak rrugë, por na pret një histori e gjatë përpara.

Meqenëse ju thatë maratonë, çfarë prisni nga janari, flas për merkaton e futbollistëve?

Ne nuk duhet të fokusohemi te merkatoja derisa të hapet zyrtarisht. Na duhet të luajmë edhe 5-6 ndeshje dhe duhet të fokusohemi te këto sfida me kontingjentin e lojtarëve që kemi. Sigurisht që do të ndërhyjmë në merkato për të plotësuar nevojat dhe pikat ku kemi probleme.

Ku për shembull?

Çdo ekip do të përmirësohet dhe do të ketë më shumë lojtarë në organikë. Sigurisht që kemi nevojë. Specifikisht nuk mund të them, por dihet ku është epiqendra apo nëse gjejmë lojtarin e duhur dhe të mos kemi përshtatje repartesh, sepse deri diku e kemi bërë një gjë të tillë.

Flasim për ide merkatosh, por në janar ju mund të humbisni Redon Xhixhën. Çfarë mendimi keni?

Derisa nuk ka asgjë konkrete apo reale është e kotë të flasësh. Ne luftojmë për titullin kampion. Kësaj skuadre, pas gjithë atyre ndryshimeve në verë, në këtë moment t’i heqësh edhe Xhixhën do ta dobësonte shumë. Ama nuk ka asgjë konkrete.

Ju vjen keq që Partizani në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares kishte katër lojtarë dhe Tirana asnjë?

Çfarë rëndësie ka kjo. Ne lojtarët tanë i kishim. Futbollistët tanë janë shumë cilësorë. Nga momenti në moment mund të jenë në Kombëtare. Nuk duhet të krijojmë këtë ndasinë. Tirana është e të gjithëve. Kombëtarja është edhe moment. Një lojtar e ka tani momentin. Një lojtar e ka momentin më pas. E rëndësishme, tej të gjithave, është fakti që edhe në gjirin e skuadrës sime ka lojtarë që ishin në përfaqësuese dhe janë e ardhmja e futbollit tonë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"