EKSKLUZIVE/ Tifo për Partizanin nga Suedia, Jasir Asani: “Demat” e fitojnë derbin, ja kush e vendos sfidën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 18:49

EKSKLUZIVE/ Tifo për Partizanin nga Suedia, Jasir Asani: “Demat” e fitojnë derbin, ja kush e vendos sfidën (E PLOTË)

Jasir Asani vijon të jetë në pronësi të Partizanit, ndonëse të kuqtë që nga janari e kanë huazuar në Suedi te skuadra e AIK-ut. Sulmuesi ndihet i lumtur në Stokholm dhe shpreson që e ardhmja të jetë me lajme të reja për të, që lë të kuptohet se suedezët do ta blejnë kartonin nga të kuqtë. Në dy derbet e fundit që janë fituar nga Tirana, Asani nuk ka qenë në fushë, por ai ka besim se kësaj radhe Partizani do të kthehet te fitorja.

jasir asani 1

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Asani tregon emocionet e fitimit të titullit në derbin e 12 majit të vitit të shkuar dhe arsyet që e bënë Partizanin të suksesshëm vjet. Pa dyshim superlativat shkojnë për trajnerin Gega, që diti si t’i motivojë. 24-vjeçari pohoi se “demat” dinë si fitohet derbi dhe sipas tij, njëri mes Melos dhe Bardhit do ta zgjidhë këtë radhë. Me triumfin ndaj Tiranës ai e shikon Partizanin të pandalshëm deri në fund duke siguruar edhe pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Jasir, si po ju shkon aventura tek AIK-u?

Gjërat deri tani kanë shkuar shumë mirë dhe jam i lumtur për aq kohë sa jam këtu. Besoj në vazhdimësi gjërat do të vazhdojnë akoma më mirë.

Sa e keni ndjekur futbollin shqiptar në këtë periudhë dhe cila është përshtypja juaj për Partizanin pas periudhës “COVID-19”?

E kam ndjekur çdo javë Partizanin. Për mua, në këto javë të fundit ekipi po bën shumë mirë, por nuk e meriton vendin që mban tani në renditje. Partizanin jemi mësuar ta shikojmë në vend të parë.

Të premten luhet derbi, çfarë ndeshjeje prisni kësaj radhe?

Normal çdo derbi është i rëndësishëm, por besoj se Partizani mund ta fitojë këtë takim. Për mua do të jetë një ndeshje shumë e bukur.jasir asani

Një vit më parë ju me Partizanin e siguruat titullin në derbi, por Tirana nuk mund ta realizojë një qëllim të tillë pas humbjes me Kukësin. A e bën ky fakt Partizanin që të jetë më i qetë në përballjen e radhës me bardheblutë?

Ishte një arritje e bukur, pasi pati vlera të dyfishta duke e festuar titullin në derbi. Por vjet kishim një ekip shumë të fortë, ndoshta sepse kemi qenë të gjithë bashkë si grup, ose më mirë si një familje. Askush nuk mund të na shkatërronte, sepse ishim të gjithë për një qëllim, që të fitonim kampionatin. Kemi qenë një ekip shumë i fortë vjet ndaj edhe suksesi erdhi në derbi. Pa dyshim që fakti i mësipërm e qetëson, por unë mendoj se Partizani mund ta fitojë derbin, pasi ka lojtarë shumë të mirë.

Partizani është mundur në dy derbet e fundit, që për koincidencë ju nuk keni qenë në fushë. Madje disfata e fundit ka qenë shumë e thellë. A është ky rasti që “demat” të marrin hak, ku mund t’i prishin edhe punë Tiranës në luftën për titull?

Futbolli i pranon të gjitha rezultatet, humbje, fitore dhe barazim. Por i mëshoj mendimit tim se Partizani i ka të gjitha shanset për të fituar derbin e radhës. Gjithsesi, duhet pranuar se Tirana këtë sezon ka ecur shumë mirë, ndaj e shikoj si një ndeshje shumë të fortë.jasir asani

Si mund t’ia dalë Partizani që të kthehet te fitorja në derbi, aq më shumë që bëhet fjalë për një takim që luhet pa praninë e tifozëve?

Thjesht duhet ta përgatisin maksimalisht për ta fituar derbin. Partizani e di se si fitohet derbi dhe besoj se do të dalë triumfues. Do të jetë pak e vështirë pa tifozë, sepse është shumë ndryshe kur luan para shumë mbështetësve. Pa tifozë nuk shijon. Ke tjetër adrenalinë kur shikon stadiumin plot me tifozë. Nëse do të luhej me tifozë, pa dyshim derbi do të ishte më i bukur dhe spektakolar.

Keni një parashikim për takimin dhe sipas jush, kush mendon se do ta zgjidhë për Partizanin?

Parashikimi im është se do të jetë ndeshje e fortë dhe me rivalitet. Mendimi im është Melo ose Bardhi mund ta zgjidhin këtë radhë për Partizanin.

A rrezikon Partizani që të mbetet pa Europë këtë sezon dhe si i shpjegohen luhatjet e mëdha këtë vit?

Unë mendoj se Partizani do të dalë në Europë dhe për këtë as që bëhet fjalë. Ekipi ka nisur ta marrë veten dhe qëllimin do ta realizojë, pasi e ka grupin për të dalë në Europë. Po fitoi derbin, Partizani i fiton më pas të gjitha ndeshjet e mbetura.

Gjatë kësaj periudhe që ndodheni në Suedi, a keni pasur komunikim me ishshokët e skuadrës dhe çfarë ju kanë thënë për situatën ku ndodhen?

Normal që flas shumë me shokët te Partizani, por edhe me lojtarë të ekipeve të tjera pasi kam bërë shumë miq në futbollin shqiptar. Te Partizani më shumë flas me Alban Hoxhën, Besnik Feratin, Amir Bilalin, por edhe me të tjerët kam komunikim.

Nëse do t’ju kërkohej një mendim, do të ishit që Partizani të vijonte me trajnerë italianë, apo duhet besuar te teknikët shqiptarë?

Nuk më takon mua që të flas për trajnerët se duhet të jetë shqiptar apo italian. Por me trajner shqiptar ne dolëm kampionë vjet. Skënder Gega ka qenë trajneri i duhur për Partizanin. Ai arriti që të na bashkonte të gjithëve si lojtarë dhe u bëmë si një familje e madhe. Gega ishte një trajner shumë i madh dhe me thjeshtësi dinte se si të na motivonte për të arritur qëllimin. Nuk kam fjalë për ta përshkruar profesor Gegën.

Huazimi juaj tek AIK-u është zgjatur deri në fund të gushtit. Keni ndonjë ide apo plan për të ardhmen tuaj?

Nuk dua të flas, sepse ka kohë deri atëherë. Tani jam i fokusuar te ndeshjet e radhës që kemi në kampionat, por së shpejti do të ketë lajme të reja.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"