EKSKLUZIVE/ Teuta shkarkoi Bledi Shkëmbin, zbulohen prapaskenat e largimit të trajnerit korçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 20:25

EKSKLUZIVE/ Teuta shkarkoi Bledi Shkëmbin, zbulohen prapaskenat e largimit të trajnerit korçar

Bledi Shkëmbi nuk është më trajner i Teutës, pasi presidenti Edmond Hasanbelliu ka vendosur të shkarkojë 43-vjeçarin korçar.

BLEDI SHKEMBI 1

Burime në klubin durrsak treguan dje për gazetën se gjithçka ka ndodhur pak minuta para se skuadra të niste stërvitjen, teksa vinte pas një jave pushim prej ndërprerjes së kampionatit.

Kreu i klubit, pasi ka biseduar rreth një orë kokë më kokë me trajnerin, i ka komunikuar vendimin.

Palët janë ndarë me një shtrëngim duarsh, në një kohë që ekipi dhe pjesa tjetër e stafit janë kapur disi në befasi për faktin që Shkëmbi nuk ka zbritur në fushë për të drejtuar stërvitjen.

Humbja e fundit me përmbysje ndaj Erzenit vulosi gjithçka, edhe pse vendimi ka ardhur një javë pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje.

Klubi durrsak ka marrë kohën e nevojshme për të nxjerr konkluzione dhe kësisoj, Shkëmbi bëhet trajneri i dytë që shkarkohet nga Teuta në këto 12 javë kampionat.

Pas publikimit të lajmit gjatë drekës së djeshme për largimin e korçarit në faqen zyrtare të gazetës në internet (panoramasport.al), klubi durrsak doli me një komunikatë për mediat, duke sqaruar vendimin.

“Teuta njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Bledi Shkëmbi.

Bashkëpunimi ndërpritet me marrëveshje të dyanshme, pasi klubi dhe trajneri kanë konsideruar se në këtë moment është në të mirë të të dyja palëve.

Me këtë rast, KF Teuta falënderon Shkëmbin për kontributin e dhënë gjatë periudhës qe drejtoi skuadrën dhe i dëshiron shëndet dhe shumë suksese në të ardhmen”, citohej ndër të tjera në njoftimin e Teutës.

Shkëmbi mori drejtimin e “djemve të detit” në javën e katërt të kampionatit ndaj Kukësit, duke e nisur me një barazim 0-0 në Durrës.

Në nëntë ndeshje me korçarin në krye, Teuta grumbulloi 6 pikë (3 barazime dhe një fitore), ndërsa kaloi turin e parë në Kupë pas dueleve me Luzin.

Aktualisht durrsakët janë të fundit në renditje me tetë pikë, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën në Superiore, paçka se mbeten për t’u luajtur edhe 24 ndeshje.

Edi Martini

RIKTHIMI – Presidenti i Teutës ka vendosur të rikthejë Edi Martinin në krye të skuadrës.

“Panorama Sport” mëson se 47-vjeçari shkodran do të bëjë prezantimin zyrtar para skuadrës vetëm ditën e nesërme.

Kjo është hera e katërt që Martini drejton Teutën.

Fillimisht e ka bërë në sezonin 2010-2011, ku ekipi luftoi për mbijetesë. Më pas nga fundi i vitit 2019 deri në nëntor 2021 ai fitoi gjithçka në drejtimin e Teutës (titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën).

Në herën e fundit që ka qenë në drejtim të ekipit për afro dy muaj, bëhet fjalë për periudhën dhjetor 2021-janar 2022.

Tashmë shkodrani ulet në stolin durrsak për herë të katërt dhe misioni është të ringrejë skuadrën pas këtij momenti delikat që po kalon.

Duke qenë se ai e njeh mirë ambientin dhe grupin e lojtarëve, klubi i ka dhënë sërish besim, nisur edhe nga raporti i shkëlqyer që ka me presidentin Hasanbelliu.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Teuta pa trajner, klubi durrsak shkarkon Bledi Shkëmbin

EKSKLUZIVE/ Teuta rikthen trajnerin që fitoi titullin pas dy dekadash, nesër prezantimi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"