EKSKLUZIVE/ Të fshehtat e “magjistarit” Daliç, ish-kapiteni Pisha kujton kroatin që drejtoi Dinamon: Një detajist super!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2022 | 20:25

EKSKLUZIVE/ Të fshehtat e “magjistarit” Daliç, ish-kapiteni Pisha kujton kroatin që drejtoi Dinamon: Një detajist super!

“Detajist dhe i veçantë”. Ky është përkufizimi i ishkapitenit të Dinamos, Arjan Pisha, teksa portretizon ishtrajnerin e bluve, Zllatko Daliçin, sot numrin një të Kroacisë. Trajneri 56-vjeçar, që ka drejtuar blutë e kryeqytetit gjatë sezonit 2008-2009, dje ka çuar për herë të dytë rresht kombëtaren sllave në gjysmëfinalen e Botërorit.

dalic

Nënkampioni i botës me Kroacinë në “Rusi 2018” u largua nga Shqipëria me një trofe të fituar, pikërisht Superkupën më 17 gusht 2008- të, duke mundur Vllazninë në finale me shifrat 2-0. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni Pisha rrëfen çdo detaj të Zllatkos, që nga ai vit te Dinamo dhe deri te magjitë e tij me Kroacinë.

Arjan, dje Kroacia e drejtuar prej tij mposhti Brazilin, por si e kujtoni ju Zllatko Daliçin në aventurën te Dinamo?

Daliç është trajner i veçantë. Pas stërvitjes që zhvillonim, diskutonim shumë bashkë. Kemi pasur marrëdhënie të ngushtë trajnerkapiten dhe për çdo lloj informacioni, unë komunikoj shumë me të. Shkonim shumë bashkë. Diskutonim për shumë gjëra edhe në kafe, pasi ai nuk e njihte ambientin dhe donte të dinte më tepër. Kam kaluar shumë trajnerë dhe të gjithë janë të mirë, por nga të huajt ky ishte më i veçanti. Më ka lënë mbresa jashtëzakonisht të mëdha, jo për sukseset që ka sot, por atë që ne kemi kaluar te Dinamo dhe që e njohim.

Është koincidencë apo trajneri i ka pasur merak penalltitë që i përgatit kaq mirë?

(Qesh)… Shiko, ne zakonisht nuk na ka qëlluar të luajmë dhe të gjuajmë penallti në kohën e Daliç. Veç një Superkupë të fituar me të, nuk është se jemi përgatitur për 11- metërshat. Ishte trajner që u krijonte lojtarëve besim të veçantë.

Kishte komunikim dhe prodhonte ngrohtësi të veçantë mes ekipit dhe trajnerit. Edhe pse erdhi atëherë, ai nuk e çoi deri në fund aventurën, pasi siç e dini, presidentët tanë duan vetëm kampionatin. Nuk e arriti objektivin, por për mua është një trajner i veçantë. Ishte i kompletuar në të gjitha drejtimet. Kishte merita dhe që kur e mori Dinamon, isha i bindur se ai në karrierë do të ecte përpara.

Çfarë natyrë ishte dhe si e përgatiste skuadrën?

Ishte një natyrë shumë i sjellshëm me lojtarët. Në komunikim ishte po ashtu korrekt. Ishte serioz në stërvitje, shumë i rreptë dhe mbi të gjitha ishte detajist. Çdo gjë e kërkonte me detaje dhe të rrinte te koka. Po jap një shembull. Ai solli ndryshim edhe në seancat stërvitore dhe ne e vumë re që në fillim. Dukej se ishte shumë ndryshe nga trajnerët e tjerë.

Keni komunikuar me të pas aventurës te Dinamo?

Në fillim kam komunikuar shumë me Daliçin. Edhe kur doli nënkampion bote. E kam uruar dhe gjithashtu më ka uruar. Është shumë njerëzor, pasi ka ruajtur marrëdhëniet me mua, edhe pas shumë vitesh, por di që edhe me të tjerë në Shqipëri, me të cilët ka miqësi apo ka punuar. Më bëhet qejfi për arritjet e tij dhe e uroj me gjithë zemër.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"