EKSKLUZIVE/ Takaj projekton Skënderbeun e së ardhmes, Gugash Magani drejt pankinës së korçarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2022 | 14:46

EKSKLUZIVE/ Takaj projekton Skënderbeun e së ardhmes, Gugash Magani drejt pankinës së korçarëve

Përtej largimeve të shumta dhe zbrazjes së ekipit nga lojtarët për sezonin e ri, Skënderbeu është duke nxituar edhe në krijimin e një skuadre kompetitive për Kategorinë e Parë.

MAGANI

Me objektivin e qartë të rikthimit menjëherë në Superiore, korçarët duket se nuk kërkojnë të humbasin kohë, por do të duhet të mbyllin gjithçka më herët. Kjo për vetë faktin se në momentin kur të fillojnë përgatitjet gjithçka duhet të jetë gati.

Në kushte të tilla, gjëja e parë që duhet të zgjidhet është çështja e trajnerit, se kush do të jetë timonieri i Skënderbeut për sezonin e ri.

Për momentin janë dy pista të nxehta, në njërën anë qëndron Liçi si i gatshëm për të drejtuar korçarët drejt ringritjes, ndërsa pista tjetër është ajo që të çon te Gugash Magani si trajner i ri i Skënderbeut.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” bënë me dije për gazetën se Magani dhe Takaj kanë diskutuar rreth kësaj piste.

Trajneri peqinas do të pranonte me dëshirë të ishte pjesë e Skënderbeut në ringritjen e ekipit nga e para dhe duket se Takaj e sheh si personin më të duhur për të bërë një gjë të tillë.

Ende për momentin nuk ka asgjë zyrtare, por dukshëm që po shkohet drejt kësaj zgjedhjeje. Vetë presidenti kërkon një trajner me eksperiencë në këtë kategori, por edhe me vizion të qartë.

Ndaj, edhe zgjedhja e tij do të ishte ajo e Maganit. Të njëjtat burime tregojnë se pas konfirmimit të tij në krye të Skënderbeut do të nisin edhe përgatitjet për ekipin e sezonit të ri.

Do të jetë Magani dhe Takaj ata që do të selektojnë lojtarët për t’i pasur në ekip, me synimin e vetëm rikthimin e shpejtë të Skënderbeut në elitë.

LARGIMET – Deri në momentin që flasim janë plot dhjetë ojtarë që kanë shpallur zyrtarisht divorcin me ekipin bardhekuq të Skënderbeut menjëherë sapo ka përfunduar sezoni.

Divorce këto që ose janë bërë publike zyrtarisht nga vetë futbollistët përmes postimeve në rrjetet sociale ose kanë ardhur si pasojë e fundit të kontratës mes palëve.

Nga porta në sulm duket se Skënderbeu tashmë ka humbur pjesët më të rëndësishme, duke nisur nga Rexhepi në portë dhe së bashku me të edhe Ruci ka një kontratë të skaduar.

Për të vijuar me Sadriun e Zguron në mbrojtje, repart i cili është boshatisur më shumë edhe nga largime të tjera si Dajan Shehi, Leonat Vitija dhe Jorgo Meksi që nuk kanë më një kontratë me korçarët.

Në mesfushë Skënderbeu humbet dyshen braziliane Moraesh dhe Zhan Viktor, ndërsa Pusi në sulm është i larguari i vetëm në këtë repart.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"