EKSKLUZIVE/ Superbuxheti dhe plani i të ardhmes te Lushnja, flet presidentja Sefa: Objektiv Superiorja!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Superbuxheti dhe plani i të ardhmes te Lushnja, flet presidentja Sefa: Objektiv Superiorja!

Ersileda Sefa nuk ka në plan që të dorëzohet, derisa ta realizojë me sukses misionin që i ka vënë vetes: ringritjen e futbollit lushnjar. Ëndrra është elita, por në të njëjtën kohë po punohet për të ndërtuar një akademi dinjitoze, pasur një infrastrukturë model dhe afruar bizneset që të investojnë.

sefa eriselda

Është thënë dhe stërthënë që Lushnja ka një superbuxhet prej 575 milionë lekësh, e megjithatë kryebashkiakja kërkon që të sqarojë një herë e mirë këtë histori për “Panorama Sport”. Në një intervistë të dhënë enkas për gazetën, ajo saktëson se ky fond nuk është vetëm për ekipin e parë, por për të gjithë sh.a-në.

Zonja presidente, jeni e kënaqur me nisjen e sezonit futbollistik?
Ekipi i futbollit, por edhe e gjithë akademia, kanë qenë në një vëmendje të vazhdueshme nga ana ime. Këtë gjë e tregojmë si me terrenet sportive, por edhe me ngritjen e ekipeve të moshave, sikurse dhe të tria ekipeve, U-7, U-9, U-11, që më parë nuk kanë ekzistuar. Regjistrimi masiv i fëmijëve ka bërë që edhe qytetarët lushnjarë ta përkrahin këtë iniciativë që unë kam marrë. Patjetër që jam edhe në përkrahje të djemve të ekipit të parë. Këtë gjë e kam treguar duke i ndjekur ata, si brenda fushës edhe jashtë saj, në çdo ndeshje që ata kanë zhvilluar.

sefa

Të ndalemi pak te fitorja kundër Besëlidhjes. Me atë që patë në fushë, mendoni që misioni “Superiore” do të realizohet?
Fitorja e tyre e parë në shtëpinë e tyre është një ogur i mirë. Objektivat që i kemi vendosur këtij ekipi kanë si qëllim që të bëjë pjesë në grupin e ekipeve më të mira, i renditur dhe më pas në Superiore. Shpresojmë që ta arrijmë.

Lushnja ka një buxhet të konsiderueshëm dhe të shumtë janë ata, të cilët mendojnë që ngjitja nuk duhet të diskutohet…
Unë dua të bëj një sqarim, që shpeshherë e lexoj në mediat sportive në lidhje me fondet e ekipit të futbollit, Lushnja. Vërtet ka një buxhet që është marrë edhe nga gazeta “Panorama Sport”, por aty është një planifikim dhe jo një shpenzim i këtyre buxheteve. Të gjitha këto fonde nuk shkojnë vetëm për ekipin e parë. Pra, duhet qartësuar, shkon për të gjithë sh.a-në e futbollit. Që do të thotë për administratën, për investimet që janë bërë në terrenet sportive, për ngritjen e akademisë dhe patjetër, për të gjithë elementët e nevojshëm, që ka dhe ekipi i parë.

sefa lushnja

Çfarë po ndodh me investimet, cilat janë planet e bashkisë?
Investimi, ashtu siç është parashikuar në kontratë, do të vazhdojë. Pas përfundimit të terrenit, i cili është duke u punuar, do të vazhdohet me terrenin sportiv që është pranë spitalit. Kurse për sa i përket terrenit tjetër, ai mund të shtyjë pak afatet, pasi aty janë të përqendruar tregtarët e markatës së fruta-perimeve. Pa u mbaruar investimi në markatë, ne nuk kemi mundësi që të ndërhyjmë në atë fushë, duke qenë se paralelisht është edhe procesi i shpronësimeve. Një pjesë e asaj prone është e privatizuar dhe në pronësi të disa pronarëve privatë.

Në “Roza Haxhiu” pamë reklama të vendosura në pistën e stadiumit. A është ky një sinjal për privatizimin?
Unë jam e hapur për çdo investitor, të cilët duan që të ngrenë lart emrin e ekipit dhe Lushnjës. Banderolat në stadium kanë qenë si pasojë e një thirrjeje që u kemi bërë bizneseve lushnjare, për t’i promovuar. Për t’i treguar që të vijnë të reklamojnë dhe të marketojnë bizneset e tyre. Ajo që duam në fund të gjësë është që të kemi edhe zhvillim ekonomik, edhe promovim të Lushnjës, por edhe aktivitete sportive.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"