EKSKLUZIVE/ “Stërvitemi me nga 3 lojtarë”, ish-mbrojtësi i Flamurtarit izolohet në Maqedoninë e Veriut prej koronavirusit  

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2020 | 20:19

EKSKLUZIVE/ “Stërvitemi me nga 3 lojtarë”, ish-mbrojtësi i Flamurtarit izolohet në Maqedoninë e Veriut prej koronavirusit  

 

Fjoralb Deliaj vendosi në verën e vitit 2019 t’i falte disa rroga Flamurtarit, me të vetmen e arsye se kërkonte të largohej nga Vlora, aty ku problematikat ishin të mëdha. Mesfushori shkatërrues, që luan edhe në të gjitha pozicionet e repartit mbrojtës, këtë sezon është pjesë e Strugës në Superligën e Maqedonisë së Veriut.

Deliaj

Deliaj ka mbetur i bllokuar në shtetin fqinj që prej përhapjes së koronavirusit. Ai tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” izolimin në qytetin piktoresk që banohet në shumicë nga shqiptarët, por jo vetëm.

Deliaj, ku gjendesh në këtë periudhë karantine?

Për momentin ndodhem në Maqedoni dhe si të gjithë të tjerët shumicën e kohës e kaloj në shtëpi.

Pse nuk u riktheve në Vlorë për të kaluar këto ditë izolimi?

Qëndrova këtu, sepse nuk e dija si do të shkonte situata dhe mendova se kampionati do të niste më herët dhe jo të kishte një pauze kaq të gjatë.

Është shqetësuar familja juaj në Shqipëri për faktin se keni mbetur në Maqedoni?

Normale, si çdo familje edhe ata kanë merak për mua. Flasim shpesh gjatë ditës dhe më thonë që të mos dal shumë nga shtëpia dhe të kujdesem për higjenën.

Sa ndikon kjo situatë te ju si futbollistë?

Besoj se gjithë kjo kohë pushimi ndikon shumë tek çdo futbollist, pasi e humbet komplet ritmin. Besoj se do të jetë e vështirë nëse kampionati rifillon, mirëpo kjo është njësoj për çdo lojtar.

Si po e vazhdon stërvitjen në Strugë?

Shumicën e ditëve, klubi cakton oraret dhe grupe nga tre lojtarë që të stërviten bashkë me praninë e përgatetitësit atletik. Po ashtu, ka raste që stërvitemi “online” në shtëpi, ku trajneri na shikon në video gjatë kohës që bëjmë ushtrimet.

Si po ecën aventura te Struga Trim Lum?

Aventura këtu po ecën shumë mirë. Stafi teknik dhe drejtuesit më respektojnë. Shoqëri kam me shumë lojtarë këtu, por Klisman Cake është miku im më i mirë me të cilin njihem që tek Tirana dhe me të kaloj shumicën e kohës.

deliajaaaa

Po me shokët te Flamurtari ruan ende kontakte?

Flas me disa lojtarë. Me Hoxhajn, Ribajn, Muçollarin dhe Harunin komunikoj disi më shpesh.

Sa e keni ndjekur ekipin e vendlindjes dhe mendon ka rënë nga kategoria tashmë apo mund të ndodhë një mrekulli…?

E kam ndjekur Flamurtarin në disa ndeshje. Mendoj se do të jetë e vështirë, por ata kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira në këtë fazë. Nuk i dihet, fati mund të jetë me ta.

Do ta dëshiroje një rikthim te Flamurtari?

Normal që do ta dëshiroja, ndoshta në një të ardhme do të rikthehem, pasi është klubi i vendlidjes dhe kam dhënë maksimumin tim. Prandaj, dua që sërish një ditë ta përfaqësoj me dinjitet atë fanellë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"