EKSKLUZIVE/ Skënderbeu tenton dy lojtarët e Superiores, ja situata me Pëllumbin dhe Elezin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2020 | 23:49

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu tenton dy lojtarët e Superiores, ja situata me Pëllumbin dhe Elezin

Pasi emëroi Julian Ahmatjan në stol, Skënderbeu po hedh hapat e parë edhe për ndërtimin e skuadrës për sezonin 2020-2021. I pari lojtar që u është afruar në stërvitje është Silvestër Shkalla, mbrojtësi që sezonin e fundit e mbylli te Bylisi. Gazeta “Panorama Sport” mëson se shtatlarti nga Durrësi është vënë nën urdhrat e stafit teknik, e megjithatë është ende herët për të folur për firmë. Ndërtimi i skuadrës duket se do të nisë nga prapavija, derisa drejtuesit kanë kontaktuar edhe një tjetër lojtar për qendrën. Bëhet fjalë për Dajan Shehin, i cili mbrojti ngjyrat e Vllazninë në kampionatin e kaluar.
pjimage

SHITJET

Mbeten pezull shitjet e bujshme që korçarët thuajse i kishin mbyllur në këtë sesion merkatoje. Bëhet fjalë për Agon Elezin dhe Jorgo Pëllumbin, të cilët ishin një hap larg transferimit te Boavista dhe Shturm Grac. Por çështja e ndërlikuar që korçarët janë duke kaluar në këto ditë pas dënimit të lënë në fuqi nga Gjykata Federale ka frenuar edhe tratativat.
pjimage-3

Si Elezi dhe Pëllumbi janë “ngrirë”, ndonëse ishin duke negociuar vetëm detajet e fundit për kalimin te klubet e reja. Gazeta mëson se mbrojtësi korçar është bashkuar prej dy ditësh me ekipin në Durrës, për të vijuar stërvitjen prej dy ditësh. Nga ana tjetër shkupjani erdhi në Shqipëri vetëm për të takuar Ardjan Takajn pak ditë më parë dhe palët janë riakorduar që ai të vijojë përgatitjet në Maqedoninë e Veriut derisa të finalizohet transferimi. Frika për ndonjë dëmtim ndoshta ka bërë që palët ta ndërmarrin këtë hap.

FALIMENTI

Historia e falimentit dhe e ndërtimit të një ekipi të ri duket se ka marrë të tjera përmasa. Ardjan Takaj dhe drejtuesit e tjerë të klubit janë të bindur për hapin e radhës dhe shumë pak ditë ndajnë nga një vendim që do të merret për këtë çështje. Por kjo zgjidhje ndikon negativisht edhe në merkaton në dalje. Një shtije e mundshme e Agon Elezit dhe Jorgo Pëllumbit te Boavista dhe Shturm Graci do të arkëtonte një shumë që shkon gati një milion euro.

Nëse këto operacione mbyllen me sukses, nuk mund të shpallet dot as falimenti. Pasi, me shumën që mund të përfitojnë nga këto transferime, nuk mund të mund të justifikohet as falimenti. Për këtë arsye duket se presidenti i Skënderbeut është i gatshëm të “djegë” dy transferimet që ishin thuajse të kryera, për të vënë në skenë planin për ringritjen e futbollit korçar.

Të paktën për momentin të dyja tratativat janë ngrirë nga ana e Skënderbeut deri në një vendim në lidhje me të ardhmen e klubit. Gjithsesi, Takaj është duke menduar edhe një zgjidhje alternative, për të mos humbur të ardhurat nga transferimi i dy lojtarëve dhe që këto të mos ndikojnë te një faliment i mundshëm.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"