EKSKLUZIVE/ “Skandal me arbitrat dhe delegatët”, shpërthen presidenti i Bylisit: Drejton Shijaku apo FSHF? (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2021 | 20:59

EKSKLUZIVE/ “Skandal me arbitrat dhe delegatët”, shpërthen presidenti i Bylisit: Drejton Shijaku apo FSHF? (E PLOTË)

Plas në Kategorinë e Parë! Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka shpërthyer dje në akuza të forta për garën që po zhvillohet mes klubit të tij, i cili kryeson renditjen, si dhe Erzenit të Shijakut, skuadrës që ndjek ballshiotët me vetëm 3 pikë më pak. Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Kapllanaj ka treguar atë që ndodhi me arbitrin Orlando Kuka në ndeshjen e fundit ndaj Butrintit në Sarandë, ku sipas tij Bylisit iu mohuan tri penallti neto. Ai hedh dyshime të forta për favorizimin që po i bëhet klubit shijakas, ndërsa thekson se ka tendencë jo vetëm me arbitrat, por edhe me delegatët që dërgon FSHF-ja. Presidenti i ballshiotëve është i ashpër edhe me shefin e gjyqtarëve, Sokol Jareci, duke thënë se po i bën qejfin çdo javë Erzenit.

Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj logo

AKUZAT DHE ERZENI

“Dua të denoncoj me forcë atë që po na bëhet me gjykimin. Vetëm në ndeshjen e fundit në Sarandë na janë mohuar tri penallti neto nga gjyqtari Orlando Kuka. OK, nuk dha një 11-metërsh, por kur janë dy dhe tre, pse nuk i jep, çfarë e pengon këtë arbitër?! Ky gjyqtar duhet të dënohet minimalisht deri në fund të kampionatit të mos arbitrojë asnjë ndeshje ose ne do të bëjmë vetëgjyqësi.

Edhe në sezonin e kaluar që ishim në Superiore, na bënë pa fund padrejtësi dhe nuk folëm. Ndërsa skuadrat e tjera që mbijetuan, e dini shumë mirë se çfarë bënë…

I bie të bëjmë edhe ne si ato tani, se nuk mund të tolerojmë kështu. Pastaj më habit edhe diçka tjetër. Luajmë në Pukë, delegati është nga Shijaku. Më pas shkojmë në Sarandë, sërish delegati është nga Shijaku… Po pse nuk mund të çojë FSHF-ja delegat nga Gjirokastra, Vlora apo Fieri, në ndeshjet tona?! Si ka mundësi që na vendosin vetëm delegatë nga Shijaku?! Kjo më bën shumë çudi.

Nuk e kuptojmë çfarë po ndodh, pasi rivali ynë, Erzeni, në çdo ndeshje merr penallti në minutën e 95-të, duke ngrënë nga një karamele çdo javë. Ndërsa neve na bëjnë të kundërtën! Një pyetje kam, garën e Kategorisë së Parë e komandon Shijaku apo FSHF-ja? Bylisi ka barazuar edhe në Pukë, por nuk kemi bërë asnjë ankesë, pasi gjykimi ishte korrekt. Kam 16 vjet që drejtoj klubin dhe e di shumë mirë si funksionojnë gjërat. Jam realist në këto që po them.

Kjo situatë duhet parë me shumë seriozitet dhe mjafton të vëzhgosh se çfarë arbitrash i vendosin çdo javë Erzenit. Gjithashtu, shikoni se cilët caktojnë në ndeshjet e Bylisit. Nuk shkon më kështu, bën arbitri çfarë të dojë, duke na mohuar jo një, por 3 penallti. Kush e çon këtë arbitër në dëmin tonë? E di mirë ai që i cakton, Sokol Jareci, se çfarë arbitri i ka dërguar Erzenit në Sarandë dhe tani neve…”, ka thënë fillimisht për gazetën kreu i klubit ballshiot.

INJORIMI NGA JARECI
Kapllanaj tregon se është ankuar zyrtarisht në institucionin e futbollit për ndeshjen e fundit, ndërsa ka një mesazh edhe për disenjatorin e arbitrave, Jareci. “Ajo ndeshje në Sarandë ka pasur edhe shumë probleme të tjera, të cilat ia kam komunikuar personalisht shefit të sektorit të garave në FSHF, Marius Sulejmani, i cili është një njeri shumë korrekt në të gjitha drejtimet dhe për këtë e falënderoj publikisht. Ankimimet, ne si klub i kemi bërë zyrtare në FSHF për ndeshjen e fundit, pasi kishte edhe gjëra të tjera problematike, por që nuk është etike t’i them.

Ndërsa ai që cakton arbitrat, Sokol Jareci, nuk më përgjigjet prej një viti. Nuk e përfill skuadrën tonë dhe ky është problem i madh, sepse do të detyrohemi të bëjmë vetëgjyqësi si skuadrat e tjera, të cilat në sezonin e kaluar mbijetuan, ndërsa ne që u treguam profesionistë dhe ulëm kokën, na rrëzuan nga elita.

Pra, bëmë një garë perfekte në të gjitha drejtimet dhe na rrëzuan, ndërsa tani nuk lejojmë asnjë të tallet me ne. Situatën e fundit duhet ta analizojë mirë FSHF-ja dhe të marrë masa, nuk kërkojmë asgjë më shumë. Duhet të monitorohet çdo gjë dhe ne të marrim atë që meritojmë në fushë. Deri tani kemi parë tendencë, jo standarde. E përsëris, shikoni arbitrat që vijnë në ndeshjet tona dhe kush gjykon Erzenin dhe kuptohet lehtësisht. Janë nga Ziri e me radhë…”.

MONITORIMI I KAMPIONATIT

Në fund presidenti i Bylisit ka një mesazh edhe për mediat, duke qenë se tani nuk transmetohen më direkt në TV ndeshjet e Kategorisë së Parë. “Për habinë e të gjithëve, nga tri raste që janë gjatë ndeshjes, televizioni që transmeton kronikat e Kategorisë së Parë, ka publikuar vetëm një.

Edhe këtu ka diçka që nuk shkon, pasi ose jepen të gjitha pamjet, ose i bie që unë të mos lejoj asnjë kamera në stadiumin e Ballshit për të filmuar ndeshjet. Nuk janë dhënë dy rastet e tjera, që janë edhe më shumë penallti se ai moment i publikuar”.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"