Shuplakë djaloshit të topave në Shkodër, Sejdini: Si më dënuan me burg dhe mbylla karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2019 | 23:57

Shuplakë djaloshit të topave në Shkodër, Sejdini: Si më dënuan me burg dhe mbylla karrierën

UVIL ZAJMI

Sezoni 1978-’79, e diel 6 maj, 1979, faza e dytë, java e 23-të e Kategorisë së Parë. Në “Vojo Kushi” të Shkodrës luhet Dinamo-Vllaznia. Dy formacione të traditës, me kampionë, emra legjendarë, nga Jareci te Shaqiri, nga Zhega te Halluni. Një histori pa fund… Dy skuadra me filozofi të njëjtë, ku spektakli është i garantuar, veçanërisht në përballjet midis tyre. Interesim i jashtëzakonshëm, si zakonisht në ato vite, aq më shumë kur në Shkodër luanin skuadrat kryeqytetase.faruk sejdini

Por ai 90-minutësh, përveç atmosferës sportive dhe rivalitetit do të kujtohet edhe për një episod që e ka zanafillën në minutat e fundit, të cilat do të jenë fatale për mbrojtësin dinamas Faruk Sejdini. “Nuk kishte lidhje me ndeshjen, lojtarët, arbitrat, apo tifozët. Por me një fëmijë që kapte topat pas porte. E godita në fytyrë, një veprim i nxituar i imi ndaj tij, një reagim, emocional”, kujton Faruk Sejdini. Por cili ishte shkaku dhe çfarë kishte ndodhur, nga u nxit ai veprim?

Një tifozëri e revoltuar, procesi gjyqësor dhe dënimi i paprecedent: tre muaj burg për futbollistin, duke e detyruar të braktisë futbollin. Me një karrierë të jashtëzakonshme, titullar dhe kapiten i Dinamos për 15 vite, lojtar i Shpresës, i Kombëtares, trajner me ekipet kombëtare, me disa klube, personazh publik, sot pas 40-vitesh, nga ajo Vllazni-Dinamo e majit të 1979-ës, Faruk Sejdini i rikthehet rastit me një rrëfim unik. “Gjykoj se pati më shumë tendencë politike sesa sportive.

Nga burgu më shpëtoi Aranit Çela”, thotë ai për “Panorama Sport”. Ndërkohë, gazeta do të sjellë për herë të parë një tjetër protagonist, Zamir (Bashli) Hoxha, djalin topapritës, në një intervistë të rrallë për lexuesit. Nga veprimi, rreziku për ta dënuar dhe si u bë “i njohur” në qytetin e tij? Pastaj “show” në Champions, kur në Totenhem-Olimpiakos, Murinjo shfaqet një “Special One” edhe me fëmijët.

Sejdini, ajo ishte një ngjarje e veçantë në karrierën tuaj apo jo?

Nuk dua ta trajtoj si ngjarje se më duket fjalë e rëndë. Thjesht ka qenë një reagim ndaj një fëmije, nerva loje, që u transformua duke marrë përmasa të tjera. Pati pasoja për karrierën time, ndonëse asnjëherë nuk kam qenë protagonist për keq si futbollist dhe as si trajner. Duke qenë se jam sportiv, i hapur, le ta rikujtojmë.sejdini

Ju kujtohet ndeshja?

Ka qenë ndeshje kampionati, faza e dytë. Unë isha i dëmtuar dhe nuk do shkoja. Takimi kishte rëndësi për Vllazninë në vendin e dhjetë me 19 pikë, ndërsa ne të katërtit me 28 pikë. Në finalen e Kupës ishim ndeshur, Dinamo-Vllaznia 1-1 në Tiranë dhe 0-0 në Shkodër. Vetëm në shtesë Vllaznia fitoi dhe mori trofeun.

Ishit i dëmtuar, por pse u nisët për në Shkodër?

Isha me një shok te Liqeni, rreth orës 4 në mesditën e së shtunës dhe teksa skuadra do të nisej, i mora biçikletën atij dhe shkova te stadiumi për t’i përcjellë. Sa më panë, nga trajneri dhe futbollistët ngulën këmbë që të shkoja edhe unë me ta. Dhe ashtu bëra, pa asnjë veshje sportive, u nisëm. Shkodra më pëlqente që të luaja, por edhe për miqësitë që kisha aty.

Gjithçka normale deri këtu. Po më pas?

Deri kur shkuam në stadium, që ishte plot me shikues, gjithçka normale. Para takimit u organizua një manifestim festiv me fëmijë. Ndërkohë, ende pa filluar loja, duke qëndruar në pistë dhe pasi u ula në stol, ashtu siç isha, civil, herë pas here gjatë ndeshjes, nga tifozët e sektorit mbrapa, dëgjoja pa asnjë shkak ofendime në drejtimin tim, por nuk reagoja.

Vijmë në pjesën e dytë…

Vllaznia ishte në avantazh 2-0, me dy gola të Zhegës e Axhanit, por sapo nisi e dyta, Përnaska shënoi. Minutat kalonin, ne po humbisnim raste, pak i nervozuar nga fyerjet, pak nga rezultati, i them trajnerit Shehu se “dua të luaj, ta barazojmë rezultatin”. Ai më pa i habitur, pasi e dinte që nuk mund të vrapoja as edhe një metër nga dëmtimi.

Dhe ai ju futi në lojë apo jo?

Po. Dumja e njihte sedrën time dhe nuk kundërshtoi. Këpucët ia mora portierit rezervë, një fanellë një tjetri dhe u bëra gati. Sigurisht që aktivizimi im i nxiste lojtarët e Dinamos dhe rreth 65′-të jam futur në fushë. Nuk e kujtoj në vend të kujt.

Momenti fatal, në çfarë rrethanash? Kanë qenë minutat e fundit, në një moment kur topi doli jashtë vijës fundore, nga porta jugore. Unë nxitova për ta marrë dhe për të rifilluar sa më shpejt lojën. I drejtohem një djali që mbante në duar topin, i bëj me shenjë “ma jep”, por ai e hodhi në drejtim tjetër. Fëmija… donte të vononte lojën. Pa kontrolluar nervat e godita në fytyrë.sejdini

Ju vazhduat lojën?

Veprimi ishte i shpejtë, askush për momentin nuk e kishte parë, e nuk i dha rëndësi. Ishin minuta të tensionuara, të gjithë të përqendruar drejt fundlojës. As arbitri beratas, Konomi, asistenti i tij nga tribuna nuk reaguan. I pandëshkuar, u riktheva në fushë dhe vazhdova lojën.

Po publiku e vuri re?

Fëmija, që mund të ishte 10- 11 vjeç, u gjakos në hundë dhe një polic, e mori dhe duke parakaluar te tribuna anësore dhe ajo qendrore, ngjalli një reagim të madh nga spektatorët kur e panë të gjakosur. Sigurisht u shqetësova dhe deri në përfundim ndoshta ato minuta kanë qenë më të vështirat e karrierës sime. Më vriste sedra. Fitoi Vllaznia 2-1.

sejdini (1)

Çfarë ndodhi në dhomat e zhveshjes pasi mbaroi ndeshja?

Pas një takimi të humbur, në dhomat e zhveshjes ka gjithmonë atmosferë të rëndë. Kjo u shtua më shumë nga situata e krijuar. Një popull që priste jashtë stadiumit. Drejtuesit e klubit nuk e kishin parë dhe nuk dinin realisht çfarë kishte ndodhur. Kur dikush më pyeti, i tregova pak shkurt trajnerit dhe lojtarëve. Ata ende ishin të habitur, sepse nuk e kuptonin se nga vinte ai acarim, ai reagim aq i ashpër i tifozërisë.

Më pas ju shoqëruan në Degën e Brendshme, apo jo? 

Më kanë marrë dhe me një gaz policie dhe më kanë dërguar te Dega e Brendshme. Më futën në një dhomë dhe më lanë aty. Nga brenda dëgjoja zëra, ndieja një qytet që ishte grumbulluar para dyerve të saj. Në një çast hapet dera dhe vjen shefi i degës e më thotë: Çfarë na bëre dhe njëkohësisht urdhëroi forcat e rendit të shpërndanin qytetarët që nuk largoheshin. Tamam si një revoltë e vogël popullore.

Dhe si vijoi? 

Aty kam qëndruar deri vonë. Sigurisht ishin njoftuar të gjithë, deri në Tiranë. Ngjarja ishte zmadhuar, kishte marrë dhenë. Skuadra me autobusin kishin qëndruar me orë te stadiumipa lëvizur, plot ankth dhe të shqetsuar për mua. Nga mesnata u dha urdhri për t’u nisur. Na kanë nxjerrë nga një rrugë e Vaut të Dejës dhe në Tiranë kemi mbrritur në 3 të mëngjesit.

Çfarë ndodhi të hënën, një ditë pas incidentit?

Të hënën paradite më vjen Gon Hazbiu, e kisha shumë mik, lojtar i Dinamos, por që në atë ndeshje nuk luajti dhe më thotë: “Faruk do të dënojnë, këtë e dëgjova në shtëpi në bisedat telefonike të babait”. E kishte fjalën për ministrin Kadri Hazbiu. Ngjarja e kishte tensionuar situatën, një opinion i tërë që fliste vetëm për mua. Isha kudo në qendër të bisedave. Vetëm “Sporti”, asnjë koment, vetëm një shkrim të shkurtër për takimin, pa e trajtuar rastin.

Si reaguan institucionet?

Më njoftuan se do hapet e zhvillohet një proces gjyqësor. Them se ka qenë fundi i majit, kur bashkë me një mik timin, Beb Deliun, me motorin e tij, u nisëm për në Shkodër.

Asnjë kontakt më parë me familjarët e djalit?

Sigurisht që u kërkova falje dhe kur gjakrat bien, gjërat gjykohen ndryshe. Edhe familjarët e tij ishin të shqetësuar, ashtu si mori rrjedhëngjarja. Duke parë se unë mund të dënohesha, nuk donin ta vazhdonin. Djali e kishte tërhequr padinë, duke e konsideruar një prekje pa dashje të paqëllimshme në fytyrë në tentativë për të marrë topin.

Shkuat në gjyq… Çfarë ndodhi në proces?

Prokurori ka qenë një basketbollist i Dinamos. Në vijim të tij, në seancën e paradites, ai lexoi deklaratën e djalit, e ndërsa menduam se çështja do mbyllej, ata e morën djalin për në Degë, siç më thanë për dëshmi të rremë. Kjo edhe për të më kërcënuar mua.

Ju akuzuan për “Rrahje të bërë botërisht”, apo jo?

Në seancën e pasdites, thashë realisht si kishte ngjarë, pasi doja që djali të mos kishte asnjë pasojë. Dhe me vendim gjykate u dënova 3 muaj burgim. Akuza? “Rrahje e bërë botërisht”. Më kujtohet mirë ky nen, pasi unë isha djalë avokati dhe diçka kisha lexuar. Ju duket çudi, diçka absurde apo jo kur e tregon sot?

U kthyet në Tiranë… Çfarë bënit ndërkohë që prisnit ekzekutimin e vendimit?

Në pritje të ankesës për një shyrtim në një shkallë më të lartë, siç veprohej atëherë, babai jurist në profesion, rastësisht takon Aranit Çelën, Prokurorin e Përgjithshëm dhe i tregon ngjarjen. “Pse djali juaj është ai Sejdini e pyet”? I befasuar nga dënimi, aq më shumë i një sportisti, i thotë që të shkoja ta takoja. Ai thiri edhe Kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, bëmë një ballafaqim dhe vendimi ndryshoi nga 3 muaj burg, në tri vjet kondicionel. Pra në rast përsëritjeje, gjatë kësaj kohe, dënoheshe me burgim.

Pati reagim nga klubi, apo nga federata? 

Në federatë e interpretuan si një rast, apo trajtim që kishte dalë nga juridiksioni i saj. Pati tentativa nga Petrit Arbana, shef i klubit të cilit i jam mirënjohës, pa mundur të bëjë gjë se urdhrat vinin nga lart. Sigurisht, unë isha automatikisht i larguar, por edhe Andrea Markon e paralajmëruan për ta përjashtuar, se gjatë lojës, duke larguar topin, ai goditi rastësisht në gjoks një nga forcat e rendit që qëndronte në tribunën përballë, që u interpretua si e qëllimshme.

sejdini 2 (1)

Faruk, a ishte ky fundi i karrierës suaj? 

Këtu u mbyll gjithçka për mua. Në qershor më ndodhi edhe aksidenti i tmerrshëm dhe në spital i shtruar kam qëndruar shumë kohë. Pra gjithçka në maj-qershor të 79-ës. Më pas vazhdova si trajner, nga Dinamo te Shpresat, në Kombëtare me Hafizin dhe me disa klube. Nëse i riktheheni sot, si do e trajtonit rastin? Nëse e rikthej filmin, kujtoj se si ndryshoi dhe si u trajtua çështja. Më shumë pati kah dhe tendecë politike sesa sportive. Inati ishte më shumë si Dinamo klub i Ministrisë së Brendshme, jo me mua si Faruk.

Pse gjykoni kështu? 

Siç më kanë thënë më vonë, për të justifikuar protestën e njerëzve, për të shmangur pasojat dhe për të ulur tensionin e një qyteti, nga drejtues partie u kërkua një mënyrë, dikush duhet të ishte fajtor. Më implikuan mua, ndonëse ai ishte vetëm një reagim spontan ndaj një fëmije në një ndeshje, që mund t’i ndodhë çdo sportisti.

Si u mbyll ai kampionat dhe kur jeni rikthyer në Shkodër për çështje sporti?

Kampion doli Partizani, Dinamo siguroi pjesëmarrrjen në Spartakiadë, edhe Vllaznia nuk pati problem. Në Shkodër jam rikthyer vite më vonë, por si trajner e rasti në fjalë ishte lënë pas. Ruaja miqësinë me Zhegën, Rragamin, I. Hoxhën P. Ndojën, Bizin e të tjerë, bashkë me mjedisin sportiv e qytetar. Futbolli shkodran me atë dinamas kanë pasur të njëjtën shkollë, dorën e Skënder Jarecit, dikur trajner i Vllaznisë dhe raportet midis lojtarëve e klubeve ishin normale. Ndeshjet midis tyre nuk kanë qenë të tensionuara.

E keni parë veprimin e Murinjos te Totenhem-Olimpiakos?

Sigurisht dhe më ka emocionuar, por pa bërë analogji me rastin tim. Kanë kaluar shumë vite. E them se ai ka qenë një moment i veçuar i karrierës, formimit dhe edukatës familjare. Unë kam punuar si mercolog, e në jetë e sport me miq, shokë, kundërshtarë, tifozë, arbitrat, drejtues, trajnerët kurrë të kem pasur probleme. Edhe kur drejtoja nga stoli.

E keni takuar Zamirin, topapritësin, që pavarësisht nga incidenti, thotë se e bëtë të njohur në Shkodër?

Jo, asnjëherë. Asnjë kontakt me të edhe për të mos e vënë në pozitë. Djalë i familjes Hoxha, portier i njohur, edhe ai vazhdoi traditën më kanë thënë. Pastaj koha na ndau. Më vjen mirë që më kujton, edhe për atë fakt, që siç thotë i dha “famë”. Ndodh edhe kështu. E përshendes, me kënaqësi do ta takoja. 

Sejdini, si njeri shumë popullor, por kavaljer. Na tregoni pak historinë e këpucëve 47-të të Netzerit?

Kur luajtëm me Gjermaninë në Karsruhe në qershor të 71-shit, kam qenë në formacion. Në përfundim, i kërkova Gynter Netzerit këpucët dhe ai më dhuroi dy palë. Por, duke qenë numër i madh, them 47, askush nuk i përdori. Vetëm Përnaska, në një takim, me gishtin e dëmtuar. Iliri, me sedrën që kishte donte të ishte në fushë. Mori vetëm të majtën nëse nuk gaboj dhe me atë luajti. Pastaj ato përfunduan te miku im, Leka Kosta, dashamirës i njohur i sportit, me profesion arkitekt. Nuk e di i ka akoma apo jo.

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"