EKSKLUZIVE/ Shkaku që u bë pretekst, biseda me Osmanin dhe takimi me Halilin. Zbulohen prapaskenat e largimit të Dedes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2021 | 23:48

EKSKLUZIVE/ Shkaku që u bë pretekst, biseda me Osmanin dhe takimi me Halilin. Zbulohen prapaskenat e largimit të Dedes

Tirana, edhe kur bën gabime apo çështje jo të hijshme, i bën me bujë të madhe. Është rast unik që në Kategorinë Superiore, një skuadër e saj të mbetet pa trajner vetëm 10 minuta para nisjes së një ndeshjeje shumë të rëndësishme. Nevil Dede nuk ishte dje në stolin e Tiranës në startin e ndeshjes, pasi vetëm 10 minuta para nisjes së saj la stadiumin dhe u largua. “Panorama Sport”, zbardh prapaskenat dhe shkakun që u bë pretekst për përplasjen e mendimeve dhe filozofisë së punës mes klubit dhe trajnerit që solli edhe ndarjen finale.

Nevil Dede

* Tirana e nis nxehjen me 11 lojtarë, ndërsa përgatitësi i portierëve Osmani bën gati Bekajn. Hoxhallari, Toshevski, Najdovski; Vrapi, Kuka, Torasa, Toli, Ismajlgeci; Muçi dhe Seferi janë skema 3-5-2 e zgjedhur nga Dede për të startuar përballjen ndaj kurbinasve. Mirëpo, në nxehmje është edhe Danso i sugjeruar nga drejtori Tefik Osmani.


* Dede shfaqet në stol, ashtu si edhe homologu i tij Duro. Mirëpo, trajneri i bardhebluve largohet menjëherë nga stoli sapo e sheh Dansonë duke bërë nxehmje.

PRAPASKENAT

Trajneri i Tiranës bën një bisedë me drejtorin Sportiv, Tefik Osmani, pikërisht për këtë çështje: Pse është edhe Danso në nxehmje, kur nuk ishte përzgjedhur nga trajneri. Drejtori ia sugjeron si lëvizje që duhet për këtë ndeshje, duke hequr Kukën dhe aktivizuar Dansonë. Kjo e detyron Deden të largohet nga stoli dhe menjëherë shkon për të biseduar me presidentin Halili. Këtë lëvizje, Osmani dhe klubi ia kishin komunikuar delegatit Marjus Sulejmani për ta shenjuar në protokoll si formacionin shartues, pra pa marrë miratimin e trajnerit Dede.

Ishte Dede që pasi flet me Osmanin, në të njëjtën kohë i drejtohet menjëherë Sulejmanit që duhet bërë një ndryshim. Pra që të rikthehet në protokoll zgjedhja e trajnerit. Mirëpo, pas këtij momenti, kur shihet insistimi i drejtorit Osmani, Dede takon Halilin në ambientet e brendshme të stadiumit. Pas një bisede pak çaste, kur duheshin vetëm 10 minuta që të niste ndeshja, shihet që Dede dhe ndihmësi i tij, Olsi Uku, marrin çantat dhe largohen menjëherë nga stadiumi “Selman Stërmasi”.

* Gati për të nisur ndeshja dhe protokolli i shpërndarë për mediat është ai finali, siç edhe ishte kërkuar nga drejtori Osmani, i cili drejton ndeshjen përballë Laçit: Në fushë është Danso dhe jo Kuka.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"