EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Duka duhet të largohet, ka 20 vite që e mjel futbollin si lopë! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2022 | 19:33

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Duka duhet të largohet, ka 20 vite që e mjel futbollin si lopë! (E PLOTË)

Rudi Vata është gjithnjë i drejtpërdrejtë. Ish-kapiteni i Kombëtares thotë se duhet ndryshim në futbollin shqiptar dhe se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk ka çfarë të japë më, sepse deri tani vetëm e ka shfrytëzuar postin që mban. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai argumenton në detaje se çfarë i duhet futbollit shqiptar sot dhe se si mund të ndryshojë situata në të cilën është.

RUDI VATA

Rudi, po afrojnë zgjedhjet në FSHF. Ju jeni një prej zërave më kritikë për mënyrën se si e ka udhëhequr institucionin e futbollit kreu aktual, Armand Duka, në këto 20 vite. Tashmë  ai ka shpallur sërish kandidaturën për një mandat të pestë…?

Kur ke një lopë të mirë që vetëm bën qumësht dhe këtë lopë nuk e ke pasur kurrë tënden, por ta kanë dhuruar, sigurisht që ti do ta mbash këtë lopë, sepse prodhon dhe qumështi është i mirë. Po të dish ta mjelësh si lopçar, futbolli kështu është.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Si çdo institucion në Shqipëri që milet nga ata persona që janë në krye të tyre, kështu është edhe puna e futbollit. Është mjelë për 20 vjet në mënyrën më barbare të mundshme. Kaq. Këtu nuk bëhet më fjalë për futbollin. Këtu flitet për lopën dhe biznesin e tyre, sepse këta nuk e kanë mendjen të bëjnë futboll.

Nuk kanë si të ndërtojnë futboll, sepse e para, nuk vijnë nga shkolla e futbollit. Futbolli, përveçse është pasion, është edhe një lloj dashurie për lojën. Këtu nuk bëhet fjalë për dashurinë për lojën, këtu bëhet fjalë për të mjelë lopën. Institucioni i futbollit është lopë e mirë shumë, duke filluar nga të gjitha grumbullimet e grupmoshave të Kombëtares. Çdo vit dalin grupmosha të reja, çdo sezon ndryshojnë disa rregulla. Pra, kjo është historia e lopës. Këtyre që ia kanë dhënë lopën, jo se e kanë merituar t’ia japin.

Gjithsesi, ju keni qenë vetë kandidat për kreun e FSHF-së përballë presidentit aktual…

Unë sigurisht që kam qenë kandidat për të qenë president i FSHF-së, por unë si Rud jam mësuar t’i fitoj gjërat me ndershmëri, me punë, me djersë e me sakrifica dhe këtë ia transmetoj edhe fëmijëve të mi, edhe brezave. Sepse, gjëja më e bukur në botë, gjëja që të shijon më shumë është kur t’i nëpërmjet punës, nëpërmjet sakrificave, nëpërmjet qëllimit tënd, nëpërmjet asaj që t’i bën për të dalë te suksesi, e arrin me meritat e tua.

Unë çdo gjë jam munduar ta arrij me forcat e mia dhe e kam arritur gjithmonë dhe sot kam, si të thuash, një pozicion komod dhe nuk kam pritshmëri prej askujt, sepse kam punuar për të dalë te qëllimi im. Në Shqipëri, ty ta dhurojnë postin e ministrit, ta dhurojnë postin e zv/ministrit, por edhe postin e kryeministrit. Nuk ka moral në Shqipëri, është vend rrenash. Shqipëria nuk është vend burrash të ndershëm. Diku e kam lexuar, e ka thënë Faik Konica: “Shqipëria nuk bëhet kurrë pa u bërë mashkulli burrë”. Dhe kjo, pa u bërë mashkulli burrë, ka domethënie të madhe. Për t’u bërë burrë i mirë, sepse ka me shumicë meshkuj të këqij.

Ne ankohemi shumë prej grekut e serbit, por të këqijat Shqipërisë ia kemi bërë ne, ata që kanë pasur mundësi të kontribuojnë për Shqipërinë këto vitet e fundit. Aty janë bërë masakrat prej shqiptarëve, jo nga serbi dhe jo nga greku.

Kështu që, futbolli shqiptar për mua është kthyer në një matrapazllëk ta pashoq, siç është kthyer drejtësia në matrapazllëk, siç janë kthyer pronat në matrapazllëk. Siç është kthyer çdo institucion, nuk ka si të jetë ndryshe FSHF-ja.

Ju si Rudi Vata, nuk e keni pritur kurrë një tërheqje të Dukës pas këtyre 20 viteve?

Nuk e kam pritur normalisht, sepse është një pozicion komod. Ai nuk ka arritur asnjë në jetë dhe futbolli atë e bën të ndihet mirë. Si Armando Duka ka biznesmenë me qindra Shqipëria. Ai në futboll ndjehet si burrë i fuqishëm, me pushtet, që ka gjetur disa njerëz mediokër që i mban nën kontroll, sikurse i mban çdo pushtetar shqiptar.

Sepse, Shqipëria është një vend që është akoma nën sundimin e diktatorëve. Të gjithë këta burra që hiqen si demokratë, janë pak a shumë produkt i shkollës së Enverit, nuk janë produkt i shkollës moderne që këto vitet e fundit u edukuan në Europë, u edukuan në Amerikë, erdhën në Shqipëri dhe sollën ndryshimin. Jo, këta janë të gjithë pjesë e shkollës së diktaturës së Enverit. Ne shqiptarët në përgjithësi jemi diktatorë dhe diktatura ne gjithnjë na ka pëlqyer.

Kemi qenë gjithmonë të nënshtruar dhe shumë lehtë e kanë t’i nënshtrojnë njerëzit, sepse njerëzit i nënshtrohen kollaj dhe bëhen vegla të këtyre, kështu që mua nuk më bën përshtypje.

OK, por si e shpjegoni faktin që askush nga rivalët e presidentit aktual nuk ka arritur ta mposhtë me votë?

Dukën nga ky pozicion e largon vetëm komuniteti i futbollit, ata djemtë që kanë sakrifikuar dhe që sot janë një moshë si puna ime, ndoshta edhe pak më të mëdhenj. Ata që me të vërtetë e duan futbollin, ata që zgjedhin një burrë të mirë, të moralshëm mes tyre dhe e promovojnë, e mbështesin dhe dalin me fakte konkrete pse duhet një njeri i botës së futbollit që ka vlerat e një njeriu me moral të mirë, njeriut që ka parë arritjet, njeriut që mundet dhe të japë një kontribut special për ndërtimin e futbollit mbi baza normale dhe profesionale.

Këta burrat që kanë për ta mbështetur, sigurisht që duhet të jenë të gjithë pjesë e ndërtesës së futbollit. Sepse, ç’kuptim ka për të qenë FSHFja e ngarkuar me njerëz anonimë dhe asnjë njeri të qëlluar dhe mos të kesh performancën e atyre që faktikisht i kanë dhënë të hajë lopës. Dalim sërish te lopa… Këta që e mjelin lopën, nuk i kanë shërbyer asnjë ditë lopës dhe e mjelin. Dakord se po e mjel lopën Sokol Kushta, por ama i ka dhënë të hajë, ka futur veten dhe i ka shërbyer atij qëllimi.

Duhen ata që mund të jenë figurat e rëndësishme që jetojnë në Shqipëri ose jashtë saj, që mundet të vijnë të sakrifikojnë, të kontribuojnë e të bashkohen. Futbolli mundet të ndryshojë nëse këto burrat që kanë sakrifikuar bëhen bashkë, nxjerrin një kandidat të përbashkët, e mbështesin moralisht pa pasur nevojë të dërgojnë për të blerë vota.

Pra, vetëm komuniteti i futbollit, i bashkuar dhe me një kandidat serioz dhe me integritet, e bën patjetër ndryshimin që duhet bërë medoemos.

Pse nuk iu mbështetën juve në kohën kur kandiduat përballë Dukës?

Unë kur kam ardhur në Shqipëri për të kandiduar, kam mbledhur të gjitha figurat e futbollit. Kam bërë bashkë Sokol Kushtën, Sulejman Demollarin, Fatbardh Jerën, Hysen Zmijanin dhe Altin Rakllin. Jemi ulur dhe iu kam thënë kështu: “Unë kthehem në Shqipëri për t’ju përfaqësuar ju, që të jeni pjesë e rëndësishme e institucionit të futbollit. Hajde ta mundim këtë burrin me një mashë…” Kam shkuar dhe në stadium me ta dhe të gjithë ishin dakord, por a e di se vetëm kush më mbeti në krah?

Kush?

Vetëm Sokol Kushta. Të gjithë m’u larguan, të gjithë i bleu Duka. I ke në Shqipëri këta burrat, shokët e mi që kam luajtur futboll. Kjo është histori e vërtetë, sepse unë e kuptova që këtë burrin ne e mundim vetëm me një mashë… Sepse unë mendova që, po të mbledh 20 burra, unë si Rudi Vata, Sokol Kushta, Sulejman Demollari, Altin Raklli, Hysen Zmijani, Agustin Kola, etj, isha gati që të gjithë këta me i dhënë pozicionet e tyre dhe t’i vlerësoja në institucionin e futbollit.

Në fund fare mbeti krah meje vetëm Sokol Kushta, të gjithë u blenë dhe u shitën, të gjithë m’u larguan. Mbeta vetëm… Unë kërkova të takoj Sali Berishën, nuk ma hapi derën, edhe pse familja ime historikisht ka votuar Sali Berishën.

Ky i fundit bërtiste me të madhe “Duka i krimit” dhe nuk ma hapi derën, ndërsa ishte kryeministër. Nga ana tjetër, kryeministri i sotëm ishte në bashki dhe më priti në zyrë dhe e di çfarë pyetje më bëri?

Jo, mund të na e tregoni?

“Rudi, – më tha mua, – kërkon të lësh Skocinë për të ardhur në Shqipëri?!” Pra, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë më bëri mua këtë pyetje. Unë i thashë: “Me siguri e ke menduar veten se s’ke pasur çfarë të bësh në Francë. Po kthehem prej pasionit, qëllimit që kam për të kontribuar ndershmërisht”. Dhe ai, në fakt, më tha si burrat: “Unë jam në opozitë dhe nuk mundem të të mbështes…”

Dhe unë mbeta… as me mbështetje të shokëve, këtyre burrave që unë shkova t’i përfaqësoj dhe t’i jap një shans për të kontribuar për ata që kanë sakrifikuar, as me mbështetje politike. Çuditeshin që po kthehesha unë në Shqipëri, sepse mendonin se kisha mbetur pa bukë në Skoci! Kurse një mik imi i ngushtë, që vazhdon edhe sot të jetë në politikë, e di çfarë më tha: “Duhen minimumi 2 milionë euro t’i marrësh me vete për zgjedhjet…!” I thashë, për çfarë lum miku… “Për të blerë vota”, më tha.

Aty kuptova se sa të dobët janë njerëzit në Shqipëri. I thashë, nëse duhet të vijë me 2 milionë euro për të blerë vota, i bie që unë duhet të vjedh se nuk bëhen llogaritë ndryshe. Unë futbollit i kam dhënë maksimumin dhe i kam marrë maksimumin. E kuptova që aty askush nuk ka qëllim të bëjë gjëra të ndershme dhe profesionale.

Aty çdo gjë ishte me blerje vote. Ti ia blen atij tjetrit votën dhe ai nuk voton për të ardhmen e fëmijës së vet, e nipit të vet, e stërnipit të vet, por ai voton për atë paranë që t’i i jep të hajë bukë e të helmojë familjen për të ardhmen.

Thatë që ju mbeti vetëm Sokol Kushta, po me të tjerët që u zhgënjyet, a keni diskutuar më pas…?
Demollari, shoku im i ngushtë, u bë direkt trajner i U-15 vetëm dy ditë pas zgjedhjeve. Unë për respektin që kam për Zmijanin, për Demollarin, nuk mundem t’i diktoj këta njerëz, sepse janë më të mëdhenj se unë, i kam gjetur në ekipin kombëtar. Ata do t’i bënin shërbimin Kombëtares dhe vendit njëlloj si unë. Ne mund edhe të bënim gabime, por do të ishim më të ndërgjegjshëm, sepse jemi pjesë e atij komuniteti që kemi sakrifikuar dhe këtyre do t’i shkonte dinjiteti në vend.

Këta do të ndiheshin krenar edhe në familjen e tyre dhe në shoqërinë e tyre, por u blenë. U blenë, sepse ky është ndryshimi: Rudi Vata nuk blihet, se nuk ka bir kurve që më blen, sepse unë jam burrë që punoj, unë nuk shes. Unë nuk jam tradhtar, unë jam ai që ato që kam t’i them në sy dhe nuk kam frikë. Unë Ilir Metën e kam mik shtëpie, por unë presidentit të Shqipërisë nuk kam shkuar kurrë t’i kërkoj një favor, e jo më t’ia kërkoj presidentit të FSHF-së. Pse unë duhet t’ia di për nder presidentit për të më bërë një favor… Unë jam ky njeri.

Unë kam studiuar Shekspirin kur jam larguar nga Shqipëria. Jam shumë i lumtur, se nuk kam pritshmëri, sepse pritshmëritë janë ato që na lëndojnë. Gjithsesi, humbjet ndonjëherë njeriu duhet t’i festojë më shumë se fitoret. Sepse, ajo humbje për mua ka qenë fitore e madhe.

Imagjino se çfarë problemesh do të kishte pasur zhvillimi i familjes sime, nëse unë do të kisha fituar dhe do të sakrifikoja me ato që merren me shitblerjet e ndeshjeve, t’i korrektoja unë trurin atyre në një shtet të korruptuar dhe të transformuar në të gjitha drejtimet për negativitet.

Nuk prisni të ketë asnjë surprizë në këto zgjedhje…?
Po pyetja është kush ka për të qenë në vend të Dukës, se ikën një Dukë dhe vjen një tjetër.

Deri tani kanë shpallur kandidaturën Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova…
Pyetja ime është, a do të ketë një grup njerëzish të interesuar për të bërë një ndryshim radikal? Ndryshimi fillon te mendja dhe mendjen këta njerëz që duan të kandidojnë e kanë për të bërë lopçarin apo kanë programe që të faktojnë që duan të bëjnë një ndryshim për të mirën e futbollit shqiptar.

Sepse kur unë dëgjoj masivitet të futbollit, në një tokë që prodhon shumë pak talente, mua më duket e çuditshme. Si ka mundësi që një tokë, që historikisht nuk ka prodhuar talente, siç ka bërë toka kroate apo serbe, me futbollistë të niveleve botërore, të flitet për masivitet?!

Ne si Shqipëri maksimumi kemi mbërritur në nivelet e klubeve mesatare, ku jemi ushqyer e kemi rritur cilësinë tonë nëpërmjet punës e sakrificave, sepse si racë ne nuk jemi aq të talentuar sa na duket vetja. Këtu flitet masivitet, pse flitet për këtë, sepse duan të fusin formulën e korrupsionit.

Në Shqipëri duhet të punohet për kualitetet, jo për kuantitetet, sepse ti nuk mundesh të bësh grumbullime siç bëjnë ekipet kombëtare, nga 200 vetë. Po çfarë grumbullon ti nga 100 futbollistë për të nxjerrë 11, gjoja se po i seleksionojmë?!

A mund të na e specifikoni pse jeni kundër kësaj ideje?
Sepse kjo është për qëllimin korruptiv, për të mjelë lopën. Sepse, ti kur ke specialistë të mjaftueshëm, sistemin e skautingut që shkon e identifikon ato pak talente që luajnë nëpër grupmoshat e ndryshme në Shqipëri ose jashtë Shqipërie, ti nuk ke nevojë për të harxhuar energji dhe t’i harxhosh kohën njerëzve dhe t’i bësh të kujtojnë se mundet fëmijët e tyre të bëhen dikush në jetë. Se këto seleksionime kanë 20 vjet që bëhen.

Janë bërë seleksionime në Itali, Greqi, Zvicër, etj, ku kanë shkuar kanë mbledhur nga 200-300, në një kohë që është fare e thjeshtë për t’i identifikuar talentet që mundet të bëjnë progres e të përfaqësojnë Shqipërinë. Këto janë thjesht metoda korruptive. Ato vazhdojnë të mjelin lopën dhe shqiptarët si zakonisht janë tifozë të çmendur futbolli, të gjithë mendojnë se fëmijët e tyre kanë cilësitë e Peles, Maradonës, Mesit, Ronaldos.

Të gjithë mendojnë se njëri prej fëmijëve të tyre mund të bëhet dhe bien viktimë e këtyre preditorëve që kanë funksionuar në Shqipëri. Kështu që, unë nuk mund të them kur të ikë Duka. Ai ka për të vazhduar me të njëjtën formulë. Po erdhi një tjetër në vend të Dukës, ka për të vazhduar formulën e tij. Do i vjedhin biznesin Dukës dhe kanë për t’ia dhënë atij që është po si Duka. Dhe ky tjetri me të njëjtën formulë ka për të bërë të njëjtën gjë dhe këtu mbaron historia.

Unë Dukën sinqerisht as nuk e urrej, por më vjen keq për shtetin tim, që e ka kapërdirë dhe vazhdon ta kapërdijë gjithë këtë situatë, duke promovuar modele të tilla. Duka është produkt i ambientit, pasi e morën dhe i thanë ke për t’u bërë president i FSHF-së. Por, i thanë bëhu se ke për të mësuar zanatin dhe ai e kuptoi si funksionon, pasi e ka përmendur vetë, duke thënë se 4 vitet e para nuk e dinte çfarë ishte. Shqipëria nuk ka nevojë për lopçarë.

Lopçarët t’i çojë nëpër ferma lopësh, jo në institucione të rëndësishme sportive, sepse një lopçar duhet të paraqitet si sportist kur s’ka lidhje me sportin.

Ju duhet të luftoni fenomenin e lopçarit, sepse atë qumësht që ka t’ia merrni të tërë në mënyrë të barabartë, t’ia pini, t’ia thithni e t’iu bëjë mirë të tërëve, jo vetëm këtyre lopçarëve.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"