EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Gurit: Më pëlqejnë kritikat, nga Pejiç kam mësuar shumë. Jam gati për Panuçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2018 | 22:56

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Gurit: Më pëlqejnë kritikat, nga Pejiç kam mësuar shumë. Jam gati për Panuçin

Sindrit Guri është kthyer në “shpëtimtarin” e Kukësit. Golat e tij kualifikuan verilindorët në gjysmëfinalen e kupës dhe i dhanë një trepikësh të artë ndaj Partizanit në kampionat. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari vjen në një rrëfim ndryshe.

Ai ndihet gati për të marrë peshën e sulmin, ndërsa me shumë modesti e pranon se Pejiç është një shembull për të. Nuk ngurron që të flasë për Kombëtaren, por as për objektivat.

Guri

Përmbysët i vetëm Partizanin, e priste Sindriti atë dygolësh?

E dinim që do ishte e vështirë, por duke parë mënyrën sesi e pësuam golin dhe si po luanim, na motivoi për përmbysjen dhe fatmirësisht ia dolëm. Jam shumë i lumtur që arritëm të fitonim në këtë transfertë të rëndësishme, jemi një ekip që luajmë futboll. Në një- farë mënyre, i kthyem reston e fazës së parë, kur edhe ata fituan me përmbysje.

Mos ndoshta e nënvlerësuat pak kundërshtarin prej mungesave?

Jo. Trajneri na porositi për këtë gjë, ndaj e dinim ç’na priste. Nuk u befasuam, i kishim paraprirë.

Një gol në 20 nëntor dhe dy gola të hënën, është Guri “ndëshkuesi” i madh i të kuqve?

Nuk mund ta them këtë, por do mundohem të shënoj sa më shumë, këto gola shijojnë më tepër kundër ekipeve që janë dhe me pretendime.

I prisje golat dhe sa i kënaqur je?

Unë jam sulmues, e pa dyshim që prisja të shënoja. Jam shumë i kënaqur për veten, po ashtu dhe për ekipin se e dëshironim këtë fitore.

GURI

Ke premtuar 15 gola në kampionat, ju duhen dhe 8 që t’ia dilni…

Do mundohem të shënoj sa më shumë. Kjo është një shifër që unë e kam premtuar, ndaj do kërkoj që ta arrij dhe pse mos ta kaloj.

Me Laçin keni pasur gjithmonë rivalitet, çfarë pret nga ndeshja e sotme?

Laçi ka një ekip mjaft të mirë dhe është për tu vlerësuar, por ne do bëjmë gjithçka që të arrijmë fitoren. Vetëm duhet të përqendrohemi që në fillim të takimit të japim më të mirën dhe të triumfojmë. Besoj shumë që do t’ia arrijmë, pasi kemi një ekip me mjaft cilësi.

Si e shikon garën për vendin e dytë?

Mendoj se vendi i dytë është i arritshëm dhe besoj se do e arrijmë shumë shpejt madje.

Pejiç pret shumë nga ju dhe ka deklaruar se me pak më shumë hapësirë ju do mbani peshën e sulmit te Kukësi. A ka ardhur ai moment?

Kam mësuar shumë nga Peron kur e kisha në ekip. Është sulmues tipik, më ka bërë shumë mirë konkurrenca me të, jam rritur mjaftueshëm nga ana profesionale, aq sa të mbaj peshën e sulmit të Kukësit. Pero gjithmonë kishte besim te aftësitë e mia, më ka ndihmuar shumë dhe e falënderoj.

guri

Mund të jetë Guri një “Pejiç i ri” në kampionatin shqiptar?

Unë jam Guri dhe po rritem nga dita në ditë, Pero të jepte garanci në sulm me eksperiencën e tij, por dhe unë nga ndeshja në ndeshje po krijoj më shumë besim në vete dhe eksperienca nga ndeshjet vjen dhe besoj tani jam plotësisht gati të mbaj peshën sulmit të Kukësit. Natyrisht që Pejiç është një shembull shumë i mirë për tu ndjekur.

E mendoni Kombëtaren, golat ndaj Partizanit ishin një sinjal për Panuçin?

Mendoj se jam plotësisht gati, dua të vazhdoj kështu me këtë ritëm se kjo është me e rëndësishmja të kem vazhdimësi dhe besoj po të kem këtë ritëm pse jo dhe një ftesë nga trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi.

Tashmë që je pajisur dhe me pasaportë italiane, a mendon që je gati për t’u larguar edhe jashtë?

Sa të jem në Shqipëri nuk kam pse të ndërroj ekip, jam komod te Kukësi. Dua të kem një eksperiencë jashtë shtetit, në një kampionat më të vështirë, pasi pres të shoh ku jam. Për çdo gjë duhet të flas me drejtuesit e Kukësit, ata vendosin për të ardhmen time, mendoj se po të ketë ndonjë ofertë të mirë, nuk do më pengojnë.

Guri

Si ndihet Guri kur merr kritika?

Kritikat i marr në mënyrën më pozitive se gjithkush dhe gjithmonë ka vend për përmirësim, i vlerësoj ato që më kritikojnë.

Veç golave, çfarë pret nga ky sezon?

Pres fitimin e Kupës së Shqipërisë, vendin e dytë në kampionat dhe pse jo një paraqitje pozitive në Europë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"