EKSKLUZIVE/ “Projekti i ri vazhdon me trajnerin Vanoli”, presidenti Bardhi: Drejtori sportiv? Do të kemi një… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2022 | 19:09

EKSKLUZIVE/ “Projekti i ri vazhdon me trajnerin Vanoli”, presidenti Bardhi: Drejtori sportiv? Do të kemi një… (E PLOTË)

Dinamo ra në Kategorinë e Parë, por entuziazmi i presidentit të saj, Adrian Bardhi, mbetet i njëjtë. Për “Panorama Sport” ai ka folur për zhgënjimin që ka ndier me rënien e skuadrës nga elita, si dhe për hapat që do të ndiqen për rindërtimin e Dinamos. Kreu i klubit kryeqytetas pohon se çdo gjë do të nisë nga e para, me një buxhet më të reduktuar, sigurisht. Presidenti Bardhi thekson se përparësi do të ketë shtëpia e re e Dinamos, por mbi të gjitha krijimi i një skuadre me karakter, që t’u përgjigjet kërkesave të të gjithë dinamovitëve.

bardhi dinamo

ZHGËNJIMI – “Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Për shumë arsye. Janë gjëra që i kemi thënë shpesh, për besim të shpërdoruar dhe mungesë karakteri. Unë u mundova të bëj diçka ndryshe, por nuk doli. Tani do të fillojmë gjithçka nga e para.

Nuk më shqetëson fakti që do të luajmë në Kategorinë e Parë, që do të jetë shumë e bukur sezonin e ri, me skuadra me emër. Nuk më dhemb shpenzimi që kam kryer, e them sinqerisht, më dhemb më shumë fakti që u hodh baltë mbi një markë, siç është Dinamo.

Nëse do ta kishim një skuadër me karakter, gjithçka do të ishte ndryshe, e them me bindje. Ne u nisëm për diçka tjetër, por doli kështu. Tani duhet të rinisim punën, duke mësuar nga gabimet që kemi bërë, në mënyrë që ato të mos përsëriten.

Megjithëse unë vazhdoj të mendoj se nuk është gabim të besosh te njerëzit”, ka thënë fillimisht për gazetën presidenti Bardhi.

RINDËRTIMI – Më pas kreu i klubit blu fokusohet të Dinamo e re: “Nuk e nisim nga zeroja, sepse kemi disa lojtarë që do të qëndrojnë. Por parësore për ne do të jetë infrastruktura, pra shtëpia e Dinamos.

Këtu do të përqendrohet puna jonë tani, ndërsa buxheti për skuadrën e sezonit të ri kuptohet që do të jetë më i reduktuar.

Do të bëjmë përforcime, patjetër, sepse duam të ndërtojmë një Dinamo të denjë, që të synojë rikthimin në elitë dhe mbi të gjitha të jetë një skuadër me karakter, siç e duan të gjithë dinamovitët. Një skuadër që të përligjë fanellën dhe stemën e Dinamos”.

VANOLI-LOJTARËT – “Projekti ynë për Dinamon e re vazhdon me trajnerin Rodolfo Vanoli. E thashë që kemi disa lojtarë. Pastaj, edhe të tjerët që janë nën kontratë, nëse duan të vazhdojnë, le të vazhdojnë, por me një buxhet tjetër”, u shpreh Bardhi.

DREJTOR SPORTIV – Presidenti i Dinamos ka pohuar se do të ketë një organizim ndryshe edhe të strukturave drejtuese të klubit.

“Do të ketë një strukturim të ri të Dinamos. Drejtor sportiv? Po, do të ketë një drejtor të ri sportiv, një person adapt për këtë detyrë, por le t’i marrim gjërat me radhë. Avantazh është që kam gjithë kohën e nevojshme për t’i bërë gjërat si duhet.

Punën e fillojmë javën e ardhshme. Shpresoj shumë që të ndërtojmë një Dinamo ndryshe nga kjo e këtij sezoni, me karakterin dinamovit mbi të gjitha”, ka përfunduar kreu i klubit blu, Adrian Bardhi.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"