EKSKLUZIVE/ “Presioni te Tirana”, rrëfimi i ish-mbrojtësit Kraja: Duhet Vllazni sulmuese, në ndeshjen e parë skuadra ishte… pa busull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2022 | 21:18

EKSKLUZIVE/ “Presioni te Tirana”, rrëfimi i ish-mbrojtësit Kraja: Duhet Vllazni sulmuese, në ndeshjen e parë skuadra ishte… pa busull

Ervis Kraja, ish-mbrojtë si i Vllaznisë që mo mentalisht jeton në Australi, një nga stacionet e para me të mbërritur në Shkodrës ka edhe ekipin e tij të zemrës. I shfaqur shumë kritik pas humbjes që Vllaznia pësoi ndaj Erzenit në javën e parë, nuk duket se është i tillë për takimin e dytë, atë që Vllaznia fitoi ndaj Kukësit.

ervis kraja

Sipas tij, Vllaznia ka paraqitur një fytyrë tjetër në këtë takim, teksa beson se edhe ndaj Tiranës, ekipi i tij i zemrës do të tregojë një lojë të mirë dhe, pse jo, do të kërkojë një fitore në këtë takim. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai theksoi se presioni është te Tirana dhe Vllaznia mund të dalë më tri pikë nga kjo sfidë.

Si ka qenë për ju personalisht kjo periudhë larg Vllaznisë?

Ju falënderoj shumë për intervistën. Kjo periudhe larg Shkodrës e Vllaznisë ishte tepër stresues, por inshallah gjithçka kaloi e shpresoj tani e mbrapa s’do të jem kaq gjatë i ndarë nga Shkodra, po ashtu dhe nga Vllaznia.

Kraja, një koment juaji për fitoren e fundit të Vllaznisë ndaj Kukësit. Si ishte Vllaznia për ju në këtë ndeshje?

Vllaznia ishte krejt ndryshe nga ndeshja e parë, ku skuadra ishte e shthurur dhe pa busull. Në ketë ndeshje ishte më kërkuese në çdo repart, ku angazhimi i lojtarëve m’u duk krejt ndryshe dhe, nga këmbëngulja e tyre deri në minutat e fundit, arritën ta fitonin ndeshjen. Pra, pashë atë Vllazni që prisja në nisje të sezonit.

Një Vllazni tjetër kjo ndaj Kukësit në krahasim me atë ndaj Erzenit, çfarë mendoni se ndryshoi?

Ndryshimi ishte i dukshëm në çdo repart: një lojë e bukur, me karakter dhe me shumë luftë sportive, por përsëri Vllaznia jonë duhet të jetë më sulmuese, ku besoj që në ndeshjet në vazhdim do të shfaqin edhe lojëra më të bukura, duke pasur parasysh punën e mirë të profesor Mirelit bashkë me stafin. Vllaznia do jetë aty ku çdo tifoz e dëshiron.

Si e shikoni takimin ndaj Tiranës?

Ndaj Tiranës është një ndeshje ku do të matet forca e skuadrës për vazhdimësinë, ku ekipi ynë duhet të tregojë që jemi skuadër e ndërtuar për të shkuar lart në renditje, është ndeshje ku çdo sportist jep 100%, sepse vetë kundërshtari të karikon. Kështu do të shikojmë një ndeshje të bukur, ku shpresoj të fitojë Vllaznia e të ecim përpara.

Një sfidë që përherë ndjell emocione, shpeshherë për kampion, por në disa raste edhe për mbijetesë?

Shpresoj që sfida të tilla gjithmonë të na emocionojnë për titull kampion e jo më për mbijetesë. Duhet harruar e shkuara, tani shohim përpara. Me presidencën e re, gjërat kanë ndryshuar, ku Albani ka bërë një punë shumë të mirë në këto dy vite e ne si ish-sportistë na bëhet shumë qejfi që një person korrekt ka marrë drejtimin e këtij klubi.

kraja

Sa janë shanset, sipas jush, që Vllaznia të jetë fituese në këtë sfidë?

Ekipi është ndërtuar për të qenë një skuadër pretendente, kështu që shanset janë 50 me 50. Aspekti fushë nuk duhet të ndikojë, se mendoj më shumë tifozë do të jenë nga Shkodra për Vllazninë sesa tifozët e Tiranës, kështu që u them çunave presioni është mbi Tiranën e, me pak kujdes, mundësitë janë që të dalim me fitore.

A mendoni se Vllaznia në fund të sezonit do të shpallet kampione?

Unë jam i mendimit t’i marrim ndeshjet me radhë, sepse është shumë herët të flasim për kampionë. Por nga ana tjetër, kushtet i janë plotësuar skuadrës, por të mos harrojmë se edhe skuadrat e tjera investojnë, kështu që nuk më pëlqen të themi jemi për kampionë, por më pëlqen të them se, në qoftë se do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe do t’i fitojmë një e nga një, pastaj “inshallah” në fund do të jemi ne skuadra që kemi gabuar më pak.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"