EKSKLUZIVE/ Presidenti Bardhi me ide të qarta për Dinamon, premton 4 “pako”: Portieri dhe sulmuesi nga jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2022 | 10:10

EKSKLUZIVE/ Presidenti Bardhi me ide të qarta për Dinamon, premton 4 “pako”: Portieri dhe sulmuesi nga jashtë

Dinamoja e 2023- shit do të pësojë ndryshime. Do të ketë lëvizje në hyrje dhe në dalje. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” vetë presidenti Adrian Bardhi. Nuk është më sekret që ai pret më shumë nga skuadra aktuale, pavarësisht se ajo kryeson renditjen e Kategorisë së Parë. Qëllimi është që kryeqytetasit të jenë më të përgatitur në momentin e kthimit në Superiore, me një skuadër sa më kompetitive. Po ashtu, synojnë që të shkojnë sa më larg edhe në Kupën e Shqipërisë.

bardhi-dinamo

“POKER” BLERJESH Numri një i klubit pohon për gazetën se ka filluar puna për afrimin e elementëve të rëndësishëm në merkaton e janarit. Elementë që do t’i shërbejnë skuadrës edhe kur ajo të luajë në elitën e futbollit shqiptar.

“Dhuratat në merkato? Patjetër që do të ketë lëvizje në merkaton e janarit dhe e kemi filluar punën për të gjetur lojtarë që na shërbejnë për të rritur cilësinë e skuadrës. I kemi piketuar pak a shumë ata që na nevojiten në vazhdim. Për momentin mund të them se synojmë të bëjmë 4 blerje të rëndësishme në merkaton e dimrit. Janë lojtarë që mund të vijnë nga jashtë, ndoshta një portier dhe një sulmues, por edhe nga ekipe të Superiores aktuale. Duam të sjellim te Dinamo lojtarë me kualitet, që të jenë pjesë e saj edhe në elitë sezonin e ardhshëm, ku na kthehet edhe Albion Marku. Shumë shpejt do të mësoni edhe emrat e tyre”, ka theksuar Bardhi.

Ai është treguar i rezervuar dhe nuk ka përmendur emra konkretë, përderisa gjithçka është në kuadrin e bisedimeve. Gazeta mëson ndërkohë se drejtuesit blu kanë nisur kontakte me lojtarë të Superiores që nuk kanë hapësirat e nevojshme në skuadrat ku luajnë.

Duhet theksuar se Dinamo mbetet një emër që josh shumë lojtarë në futbollin shqiptar, edhe pse aktualisht është pjesë e Kategorisë së Parë. Emri i saj i madh, por edhe garancia financiare, kanë një ndikim shumë të madh në këtë drejtim.

PLANI ME SHITJET Pas Simonit që u shit dhe Rexhinaldos që shpalli “divorc” të parakohshëm, do të ketë të tjera largime, por edhe ndonjë… shitje.

“Merkatoja jonë është në të dyja kahet, në hyrje dhe në dalje. Do të ketë lëvizje, siç e thashë. Mund të ketë ndonjë largim, apo edhe ndonjë shitje. Kemi shitur Simonin, që është një lëvizje e bujshme për futbollin shqiptar. Është një lëvizje që vetëm Dinamo mund ta bëjë. Mund t’u them se ka klube të huaja që na kërkojnë edhe lojtarë të tjerë, por emrat do t’i mësoni në një moment tjetër. Edhe pse Dinamo është në riparim e sipër, lojtarët e saj i duan të gjithë. Por ne së pari duam të rikthejmë Dinamon në ato nivele që i takon dhe pastaj të shesim lojtarë të tjerë”, përfundoi presidenti.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"