EKSKLUZIVE/ “Partizani vuan gabimet e verës”, ish-kapiteni Demiri: Tirana në avantazh, “demat” janë për kampion nëse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 19:24

EKSKLUZIVE/ “Partizani vuan gabimet e verës”, ish-kapiteni Demiri: Tirana në avantazh, “demat” janë për kampion nëse…

Partizani, pas gjashtë vitesh, është i detyruar që derbin e radhës ta përgatisë me statusin e të mundurit nga sfida paraardhëse me baradheblutë. Në një situatë të tillë, që bëhet fjalë para 6 viteve, në derbin pasardhës “demat” arritën të barazojnë 1- 1, pikërisht me një gol në minutat shtesë të shënuar nga Nderim Nexhipi. Kapiten i Partizanit të atij sezoni ka qenë Ertan Demiri, që njëkohësisht mbahet mend për golin që i dhuroi skuadrës në derbin e parë pas një degdisjeje katërvjeçare të klubit në kategoritë inferiore.demiri 123

Ish-kapiteni, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, oshilacionet e kampionëve i lidh me ndryshimet që ndodhën në verë, ku sipas Demirit Partizani duhet të kishte vazhduar me trajnerin Skënder Gega dhe të ruhej grupi triumfues. Ndonëse e kanë humbur derbin e fundit, ai mendon se gjithçka është e mundur për Partizanin, por e pranon se kësaj radhe Tirana është më favorite.

Ky perceptim i Demirit nuk vjen nga renditja, por edhe nga situata që kanë dy skuadrat. Sipas ish-mesfushorit, largimi i Asanit, pezullimi i Malës dhe dëmtimi i Trashit janë faktorë kundër për “demat”. Ai nuk dëshiron të bëjë parashikim, në mënyrë që të fitojë Partizani. Për ish-kapitenin, një fitore e derbit nga Partizani e fut në luftë për titull, në të kundërt do të jetë shumë e vështirë.

Ertan, si e shpjegoni transformimin dhe luhatjet e Partizanit pas fitimit të titullit?

Sipas mendimit tim, Partizani patjetër duhet të vazhdonte me trajnerin Gega. Ai ishte gabimi kryesor që solli këtë situatë. Është fakt që Partizani nuk ka stabilitet, por në çdo ndeshje mund të surprizojë. Këtë sezon skuadra nuk e ka mentalitetin e kampionit.

U cenua baza e skuadrës kampione, u investua në sulm, por të ardhurit nuk po bindin. Mos do të ishte mirë që të kishin afruar vetëm një “pykë” cilësore duke marrë përsipër edhe kostot e pagës?

Pas fitimit të titullit kampion medoemos puna e parë që një klub bën është ruajtja e grupit dhe përforcimi me dy lojtarë cilësorë për ta ngritur akoma më shumë nivelin, gjë e cila nuk ndodhi dhe nuk ke çfarë t’i komentosh më shumë.

Pas 6 vitesh Partizani vjen në derbi si i mundur, sa të vështirë do ta ketë kësaj radhe për të lënë gjurmë?

Në ndeshjet derbi gjithçka mund të ndodhë, ndaj për ndeshje të tilla ekziston shprehja: Janë të paparashikueshëm. Por realisht Tirana ka më shumë avantazhe këtë radhë.
ertan-demiri

Si e parashikoni duelin e së premtes dhe kush mund ta zgjidhë?

Më mirë të mos e parashikoj dhe… fiton Partizani (qesh). Asani i larguar dhe Trashi i dëmtuar. Sa peshojnë këto mungesa në derbi?

Asani dhe Mala ishin lojtarë kyç për Partizanin në vitin e kaluar, ndaj kjo e vështirëson akoma më shumë situatën. Për Trashin nuk ka zëvendësim adekuat. Për këto arsye, më lart thashë se Tirana është në avantazh për derbin e së premtes.

A e shikoni Partizanin akoma në lojë për titull dhe kë mendoni favorit këtë sezon?

Lufta për titullin kampion në Superiore akoma nuk ka mbaruar, pasi janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur. Me një fitore në derbi Partizani futet seriozisht në garë, ndërsa nëse fiton Tirana, largohet në +9 prej “demave të kuq”. Kjo diferencë është shumë në kampionatin shqiptar.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"