EKSKLUZIVE/ “Partizani i frikshëm, ia del me Dajën”, Hasan Lika: Vllaznisë i duhej qendërsulmues, ja kur do të vendoset titulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 23:29

EKSKLUZIVE/ “Partizani i frikshëm, ia del me Dajën”, Hasan Lika: Vllaznisë i duhej qendërsulmues, ja kur do të vendoset titulli

Hasan Lika rikthehet të flasë për kampi onatin shqiptar. Trajneri 61-vjeçar që jeton prej dy vitesh në Amerikë, e ka të pamundur për të mos u përshirë në aktualitetin e futbollit tonë. Ka drejtuar gjysmën e skuadrave të Superiores, ndërsa edhe tani që është larg vendit, ndjek me kureshtje të madhe çdo ndeshje. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Lika pranoi me kënaqësi të bënte një analizë të pjesës së parë të sezonit. Në intervistën ekskluzive për gazetën, ai nuk ngurroi të theksonte se Partizani është bërë i frikshëm dhe do të jetë rrezikues kryesor për Vllazninë deri në fund.
hasan lika
Lika mendon se titulli kampion do të vendoset në një përqindje të madhe pas pesë ndeshjeve të para të fazës së tretë. Ai është i befasuar nga ecuria e shkodranëve, por mundohet të tregojë edhe defektet e tyre. Trajneri që ka fituar Kupën e Shqipërisë me Teutën në vitin 2000, si dhe ka qenë ndihmës i Sulejman Starovës në titullin e Partizanit në sezonin 1992- 1993, i sheh vendimtare ndeshjet direkte mes rivalëve për kreun.

Zoti Lika, së pari si jeni me shëndet në këtë kohë pandemie?

Për fat të mirë nuk kemi pasur shqetësime familjarisht. Jetoj në Nju Jork dhe COVID-19 është i përhapur shumë, por kujdesemi në maksimum. Këtu rregullat zbatohen, kështu që maska është e detyrueshme për të evituar infektimin dhe të gjithë e mbajnë. Shikoj çdo ditë në TV që në Shqipëri gjendja është përkeqësuar, por ne si popull e kemi pak problem të respektojmë rregullat, kështu që duhet të vuajmë pasojat.

Sa e keni ndjekur kampionatin dhe çfarë ju ka bërë përshtypje në këtë pjesë të parë të sezonit?
E kam ndjekur rregullisht kampionatin. Kam parë ndeshje të forta, mbi të gjitha të ekuilibruara. Skuadrat janë paraqitur mirë në përgjithësi. Sigurisht, duke mos pasur tifozë në stadium, që është edhe pjesa më kryesore e futbollit, sërish skuadrat kanë dhënë maksimumin e tyre.
vllaznia-bylis
Cila ju ka befasuar për mirë dhe që ndoshta nuk e keni pritur përpara se të fillonte sezoni?
Natyrisht Vllaznia dhe ndryshimi i madh që ka pësuar si klub. Duke e krahasuar me sezonin e kaluar dhe lëvizjet që u bënë në strukturën e klubit, efekti ishte shumë pozitiv. Kjo është befasia më e bukur e kampionatit, pasi ekipet e tjera që në letër ishin pretendentë, bënë përforcimet me mënyra të ndryshme, ndërsa Vllaznia thuajse mori një ekip të tërë në merkaton e verës. Të bësh një ndryshim kaq të rrënjësor të skuadrës dhe të kesh këtë ecuri kaq të mirë është diçka e madhe.

E nënvlerësuan ekipet e tjera Vllazninë apo është meritë e shkodranëve që janë në këto pozita?
Duke parë ndeshjet që ka zhvilluar, unë mendoj se e ka merituar plotësisht vendin e parë deri më tani. Kam parë gjithmonë një skuadër të ekuilibruar, duke luajtur mirë dhe marrë rezultate pozitive si një rrjedhë logjike e asaj që ka dhënë në fushë. E thjeshtë, ka ditur të fitojë ndeshjet.
Partizani
Partizani është ndjekësi më i afërt, me 6 pikë më pak. Si e keni parë sezonin e të kuqve?
Një sezon shumë pozitiv, duke pasur parasysh problematikën e merkatos në fillim. Ka treguar stabilitet dhe mbi të gjitha lojëra të mira. Në ndonjë ndeshje nuk ka pasur fatin me vete për të fituar, pasi tani mund të ishte edhe më afër Vllaznisë. Mendoj se Partizani është skuadra që mund të shkoj shumë më lart deri në fund të kampionatit.
Ilir Daja Partizani
Çfarë i ka ndryshuar trajneri Daja kësaj skuadre?
Ndryshimi është që Partizani me Dajën ka më shumë stabilitet në lojë. Është një skuadër që tregohet e kujdesshme, por në shumicën e rasteve kërkon të fitojë ndeshjet. Sigurisht që meritë kanë futbollistët, por mbi të gjitha trajneri. Daja ka ditur të marrë gradualisht atë që kërkon, ashtu siç ka bërë jo vetëm te Partizani, por edhe ekipet e tjera që ka drejtuar në të kaluarën. Meritë e padiskutueshme e tij.

Si e parashikoni tashmë luftën për kreun, prisni ndryshime në tabelë apo një Vllazni që nuk do ta lëshojë vendin e parë?
Me përforcimet që kanë marrë, shikoj që Partizani është skuadra më e fortë dhe më e përgatitur drejt synimit madhor. Pres që të bëhet më e fortë me ardhjen në formë të Ferhan Hasanit. Të jem i sinqertë, 6 pikë diferencë, duke ditur se do të luhen edhe 18 ndeshje, nuk janë as shumë, por as pak. Çdo gjë është e hapur, por në syrin tim, këto 4-5 ndeshjet e para të fazës së tretë do të jenë vendimtare. Nëse Vllaznia merr pikë maksimale në këtë fillim të kësaj faze, do të jetë e favorizuar për vazhdimësinë. Gjithsesi, skuadra që mund ta rrezikojë më shumë është Partizani. Nuk e them këtë se kam qenë unë trajner apo futbollist i të kuqve, por e shikoj më të fortë se të tjerët që pretendojnë kreun

Çfarë nuk ju ka bindur te shkodranët?

Besoj se Vllaznisë i është dashur një tjetër qendërsulmues, por gjithashtu një mesfushor në rolin e Krymit. Nuk është rastësi që sa herë ka pasur mungesa, ka vuajtur shumë ekipi shkodran. E ndoqa me Laçin dhe mendoj se mungesa e Krymit u ndje shumë. Pastaj kur u dëmtua dhe Marku pati probleme të mëdha. Ndoshta edhe lojtarët që kanë marrë duan kohën e duhur, por klubi duhet të kishte gjetur alternativa serioze në këtë drejtim. Në aspektin e mesfushës dhe sulmit duhet të forcohej.

Laçi dhe Teuta janë gjithashtu afër. Si e keni parë ecurinë e tyre?

Nuk kanë marrë ndoshta rezultatet që kanë pritur, por nuk mund të themi se Laçi dhe Teuta kanë qenë dobët. Laçi është një skuadër e fortë dhe bashkë me Teutën do të luftojnë deri në fund. Tirana dhe Kukësi janë disi më larg, por në kampionatin shqiptar mendoj se diferencën në këtë pjesë të sezonit do ta bëjnë ato skuadra që ia dalin në duele të forta direkte. Ky grup skuadrash ka pak diferenca, por unë prapë mendoj se Partizani ka diçka më tepër se të tjerët.

Tirana dhe Kukësi janë 11 pikë larg, a mund të bëhen faktorë…

Në futboll çdo gjë është e mundur, prandaj duhet të besosh deri në fund. Me një humbje dhe dy barazime, të kap tjetri… Prandaj them që garën për titull do ta vendosin ndeshjet direkte mes rivalëve. Kush do të fitojë në duelet mes këtij grupi skuadrash pretendente, do t’ia dalë në vazhdimësi. Kjo do të vendosë titullin.

lika-hasan-vllaznia-770x465

Te Partizani janë bërë tre Hasanë, mungoni vetëm ju tani…

(qesh). Kanë mbiemrin Hasani, jo emrin. Më vjen mirë gjithsesi që Partizani ka disa lojtarë cilësorë, pavarësisht emrit apo mbiemrit të tyre. Ferhani që i pëlqen ta thërrasin “Buba” mund të bëjë diferencën. Jasiri e ka bërë, tashmë pritet Ferhani.

Si e shpjegoni faktin që duke u ankuar vazhdimisht për alternativat e pakta në mbrojtje, klubi i kuq më shumë u fokusua te merkato në sulm, ndërsa në repartin e prapavijës erdhi vetëm një lojtar nga El Salvadori…?

Mund të ketë qenë strategji si duket kjo puna e mbrojtjes. Megjithatë, fakt është që kanë pasur nevojë për alternativa në mbrojtje. Pastaj, pjesa e sulmit mendoj se është bërë mirë që janë afruar lojtarë, të cilët mund të bëjnë disa role në këtë repart. Qoftë mesfushorë-sulmues apo gjysmësulmues. Kjo është pozitive.

Një koment për pjesën e poshtme të tabelës. Ishte diçka e pritshme për ju pozicioni i Skënderbeut, Bylisit dhe Apolonisë?

Skënderbeu e ka të vështirë, por uroj që gjërat të përmirësohen. E shoh disi të larguar nga vendi që të shpëton direkt dhe pavarësisht dëshirës apo përpjekjeve të mëdha të klubit, e shoqëruar kjo edhe me ndonjë ndeshje të mirë, sërish nuk mjafton. Duhet të marrësh pikë me skuadrat e forta, jo me ato që janë pranë teje.

A ka diçka që ju ka lënë një shije të hidhur deri më tani në kampionat?

Nuk kam parë diçka negative. Thjesht më duhet të them që të kalojë sa më shpejt kjo situata e pandemisë dhe tifozët të kenë mundësi të shikojnë ndeshjet nga stadiumi.

JORGIS MEMO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"