EKSKLUZIVE/ “Nuk kam kohë të lirë të shpenzoj për të qëndruar në Korçë në Kategorinë e Parë”, Takaj thyen heshtjen: Ata nën kontratë do qëndrojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 3, 2022 | 22:35

EKSKLUZIVE/ “Nuk kam kohë të lirë të shpenzoj për të qëndruar në Korçë në Kategorinë e Parë”, Takaj thyen heshtjen: Ata nën kontratë do qëndrojnë

E vështirë për t’u për typur, por në Korçë e kanë pranuar tashmë realitetin: sezonin 2022-2023 do të militojnë në Kategorinë e Parë. Të shumtë janë faktorët që çuan në rënien e Skënderbeut, por Ardjan Takaj është i bindur që më së shumti ndikuan të jashtmit. E pranon që edhe skuadra ka bërë gabime, por evidenton se gjykimi bëri të vetën. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti rrëfen çfarë nuk shkoi si duhet dhe paralajmëron rikthimin e shpejtë në elitën e futbollit shqiptar. Nëse ndonjë ka pasur dyshime deri më sot nëse ai do të vazhdojë të investojë te bardhekuqtë, mendon vetë ai që t’ua bëjë të qartë: “Do qëndroj, nuk vij për turizëm në Korçë…”.

Takaj

Skënderbeu do të militojë në Kategorinë e Parë. Si ndihet Takaj?
Normalisht që më vjen keq, pasi nuk ishim një ekip për të rënë nga kategoria… Ne kishim një grup të mirë lojtarësh, që prej tri vitesh luanin edhe bashkë, ndaj besuam te ta. Ky ishte projekti ynë për këtë skuadër dhe qëllimi të rrisnim lojtarët e rinj e t’i promovonim në futbollin e huaj.

Çfarë faktorësh ndikuan që sollën këtë verdikt?
Faktorë? Futbolli kështu e ka, ka faktorë nga më të ndryshmit. Gjithmonë do të ketë faktorë që ndikojnë, por e keqe është kur nuk të prishin punë faktorët e brendshëm, por bëhen palë edhe ata të jashtmit.

Shpesh keni qenë kritik si klub edhe ndaj arbitrave. Ju kanë dëmtuar shumë këtë sezon?
Faktet tregojnë se nga vendimet e arbitrave Skënderbeut i mungojnë shumë pikë. Jemi përballë një fakti. Por ndoshta situata e krijuar ishte e atillë, që Skënderbeu u pa si ekipi më i lehtë, si klubi që mund të sulmohet më kollaj dhe vepruan ashtu duke dhënë sinjale.

Çfarë sinjalesh?
Kur sulmohet, sinjalet janë të shumta. U jepen sinjale të tjerëve, por edhe ekipit që sulmohet, intimidohen lojtarët, acarohen, gabojnë. Gjithçka, janë të lidhura bashkë.

Po ekipi a ka pjesën e vet të fajit?
Normalisht që ka. Unë nuk po shmang lojtarët e mi nga përgjegjësitë. Jemi të vetëdijshëm se kemi gabuar shumë gjatë këtij rrugëtimi. Unë mund ta quaj pikën kyçe ndeshjen direkte me Egnatian. Atje do të niste gjithçka ndryshe besoj. Gabuam atje. Gabuam me Dinamon në shtëpi, por që ishte më herët. Janë gabime që rëndojnë.

Me gjithë këto sa thatë, duket sikur Skënderbeu ishte i destinuar të binte nga kategoria…
Jo, nuk e mendoj aspak kështu. Nuk ishim ekipi që duhet të zbrisnim për nga cilësia që kishim në grup. Me pak kujdes më shumë nga ana jonë dhe ata faktorë që thashë më sipër mund të kishim shpëtuar.

I ka mbetur ndonjë merak Takajt për këtë sezon, diçka që mund të bënit ndryshe dhe mund të ndryshonte situatat?
Ka shumë, por është e thjeshtë tani që u mbyll gjithçka të vësh gishtin dhe të akuzosh. Nuk dua ta bëj një gjë të tillë.

A do të vijojë projekti juaj me Skënderbeun edhe në Kategorinë e Parë?
Pa dyshim që po, do të vijojë. Por të jeni të bindur se unë nuk vij për turizëm në Korçë. Nuk kam kohë të lirë të shpenzoj për të qëndruar në Korçë në Kategorinë e Parë.

Si ta kuptojmë këtë?
Kjo kuptohet që Skënderbeu vërtet do të jetë në të Parën, por do të ndërtojmë një ekip Superioreje. Për këtë të jeni të bindur. Do të jetë ekip superior sërish dhe do të tentojmë të kthehemi shpejt.

Sa e vështirë do të jetë të bindni lojtarët e Superiores që t’ju bashkëngjiten në Kategori të Parë?
Unë nuk kam objektiv të bind lojtarët që nuk kanë dëshirë. Ne do të bëjmë planin tonë dhe ofertat tona. Kush e ndien Skënderbeun, do të vijë. Nuk kemi pse bindim asnjë.

A ka nisur planin e veprimit Takaj?
Jo, jemi ende duke punuar në letër për të ndërtuar ekipin siç i ka hije Skënderbeut. Nuk kemi asnjë lëvizje konkrete për momentin. Do ta ndërtojmë fillimisht në letër e më pas do ta vëmë në zbatim. Por që të jeni të qartë, lojtarët që janë në kontratë me Skënderbeun do të jenë pjesë e Skënderbeut edhe në sezonin që vjen. Do të marrim edhe lojtarë nga elita. Por gjithçka do të ketë radhën e vet.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"