EKSKLUZIVE/ “Një gjyqtar kumarxhi trukon ndeshjet”, akuzat e trajnerit të Shkumbinit: Paço ka fiksuar 4 deri tani… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 19:03

EKSKLUZIVE/ “Një gjyqtar kumarxhi trukon ndeshjet”, akuzat e trajnerit të Shkumbinit: Paço ka fiksuar 4 deri tani… (E PLOTË)

Trajneri i Shkumbinit dhe një prej emrave të njohur të trajningut shqiptar, Artan Bano, vendos të flasë hapur. Si rrallëherë, është i drejtpërdrejtë dhe i pakursyer në akuzat që bën ndaj gjyqtarit kryesor, Alvi Paço. “Kjo nuk është ndeshja e parë që gjyqtari Alvi Paço paracakton. Sipas informacioneve që kam unë, kjo është ndeshja e 4- t që ky arbitër e paravendos me dashje.

Me keqardhje po e them, por gjyqtari Paço është kumarxhi. Dhe i dikton rezultatet e ndeshjeve që pa nisur. Një kumarxhi që ka numër llogarie nëpër kompanitë e basteve dhe ka borxhe 2 milionë lekë apo 5 milionë lekë bën këto gjëra. Ka numra llogarie në qytetin e Fierit që luan kumar dhe ka borxhe pa fund”, thotë ndër të tjera Bano në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Panorama Sport”. Tekniku reagon pas dënimit shembullor ndaj skuadrës peqinase pas sfidës së javës së kaluar, Naftëtari-Shkumbini.

Bano Artan ne ndeshjen ndaj Lacit

Përveç humbjes në tavolinë 3-0, Shkumbinit iu hoqën edhe tri pikë nga renditja pas ndeshjes në Kuçovë. E konsideroni një luftë ndaj skuadrës peqinase nga ana e FSHF-së, në një kohë që ka raste ekstreme kur gjyqtari është dhunuar, por nuk ka pasur heqje pikësh?

Kam 6-7 muaj që drejtoj Shkumbinin, por nuk di ta përcaktoj ekzaktësisht mënyrën e sjelljes nga FSHF ndaj këtij klubi. Nuk di të them nëse e kanë me qytetin apo individin, siç përflitet mes tifozëve. Unë mendoj se nuk ka asgjë personale me Shkumbinin në këtë mes. Nuk besoj se komisionet e federatës apo drejtuesit të merren me Shkumbinin.

Ju duk i ekzagjeruar dënimi?

Dënimi është dhënë tashmë, por po ju them se ne e kemi dërguar menjëherë në Komisionin e Apelit dhe ju garantoj se do ta fitojmë këtë çështje dhe pikët e hequra do të na kthehen sërish. Për këtë ju garantoj se çështjen e kemi të fituar. Ne e kemi të gjithë ndeshjen të filmuar 94 minuta dhe kasetën e kemi dërguar në FSHF që përpara një jave duke mos e censuruar asnjë sekondë. Dhe për sa i përket të gjithë asaj ndeshjeje, nuk ka asnjë moment që ne të meritojmë atë dënim që të na hiqen tri pikë apo të humbasim ndeshjen në tavolinë. Madje, mund t’iu them se gjatë kontaktit që kam pasur me punonjës të federatës pas dhënies së vendimit, edhe ata kanë mbetur të habitur nga ajo që është vendosur.

Çfarë ndodhi realisht në Kuçovë që të meritonit atë dënim?

Edhe kur kemi qenë në inferioritet numerik me dy lojtarë më pak në fushë, na janë mohuar dy gola më se të rregullt, të cilët janë të filmuar dhe duken qartë. Përveç golit që ka qarkulluar në rrjet që është më se i rregullt, është edhe një gol spektakolar i Rramazanit që na është anuluar në mënyrë të turpshme. Edhe pse ishim në inferioritet numerik dhe po humbnim 3-2, ndeshja mund të kishte shkuar në 4-3 për ne. Ne nuk kemi asnjë faj në të gjithë këtë histori dhe shkaku i vetëm është gjyqtari.

Pse gjyqtari?

Kjo nuk është ndeshja e parë që gjyqtari Alvi Paço paracakton. Sipas informacioneve që kam unë, kjo është ndeshja e 4-t që ky arbitër e paravendos me dashje. Dhe institucioni i federatës për këtë qëllim është, që të merret me gjyqtarët dhe gabimet që ata bëjnë, për më tepër kur janë me dashje. Me keqardhje po e them, por gjyqtari Paço është kumarxhi. Dhe i dikton rezultatet e ndeshjeve që pa nisur. Një kumarxhi që ka numër llogarie nëpër kompanitë e basteve dhe ka borxhe 2 milionë lekë apo 5 milionë lekë bën këto gjëra. Ka numra llogarie në qytetin e Fierit që luan kumar dhe ka borxhe pa fund.

Nuk është hera e parë që e bën. E ka bërë në ndeshjen Naftëtari-Tomori para dy vitesh. Ka nxjerrë jashtë ishtrajnerin e skuadrës beratase dhe dy lojtarë me kartonë të kuq. Naftëtari ka fituar 1-0 dhe ka qenë një ndeshje bastarde. E njëjta histori ndodhi edhe vjet në ndeshjen Përmeti-Këlcyra ku ishte pikërisht ky gjyqtar, Alvi Paço. Dhe gjithë ajo nuk ndodhi për faj të përmetarëve apo këlcyrjotëve, por për faj të gjyqtarit. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e kaluar në Kuçovë ku ai arbitër e kishte vendosur sesi do të dilte takimi ende pa nisur. FSHF duhet të merret me këta kumarxhinj dhe t’i shporrin nga futbolli. Ky është dëm për të gjithë, për federatën, për klubet dhe për drejtuesit e institucionit, pasi njerëzit fillojnë dhe aludojnë se Armand Duka e ka fajin. Unë jam i bindur se presidenti i FSHF-së nuk është i një niveli të ulët që të merret me Shkumbinin.

Si zgjidhet kjo çështje?

Kaseta filmike e gjithë ndeshjes është në FSHF dhe le ta shikojnë me kujdes dhe do të binden se nuk ka faj që të dënohet Shkumbini. Ta shporrin atë gjyqtar kumarxhi dhe të shpallet “non-grata” dhe më pas të vazhdojë gara normalisht. Ne nuk kemi ushtruar për asnjë moment dhunë ndaj atij gjyqtari në ndeshjen e luajtur në Kuçovë. Nuk e ka goditur asnjë prej lojtarëve apo stafit gjyqtarin në atë takim dhe gjithçka është e filmuar dhe mund të vërtetohet lehtësisht. FSHF duhet të marrë masa në lidhje me këtë rast, pasi është një gjyqtar kumarxhi dhe këtë e them me kompetencë. Shteti po merret me gjyqtarët dhe po i fut në veting.

Mendoj se kjo duhet bërë edhe me arbitrat e futbollit. 50 gjyqtarë janë dhe le t’i hetojnë dhe të merren me jetën e tyre private. Të hetojnë nëse është kumarxhi, çfarë vesesh ka, me se merret dhe gjëra të tjera që gjithçka të jetë sa më e pastër dhe transparente. Federata të marra masa ndaj atij gjyqtari që nuk ka punë me futbollin. Të ikë të qëndrojë në kazino dhe në loto.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"