EKSKLUZIVE/ “Nëse i realizojmë rastet, ia dalim në Europë”, Çelhaka: Tirana është pretendente për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 17:33

EKSKLUZIVE/ “Nëse i realizojmë rastet, ia dalim në Europë”, Çelhaka: Tirana është pretendente për titullin

Jurgen Çelhaka ishte pa dyshim zbulimi i sezonit të titullit. Mesfushori i bardhebluve që erdhi në ekipin e parë nga të rinjtë, prej Ohrit në fazën përgatitore të vitit të kaluar ka treguar se është një kampion i vërtetë. Brenda një sezoni, Çelhaka fitoi fanellën e titullarit, është nga më të aktivizuarit si dhe tani pjesë e kombëtares U-21. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori flet për Tiranën e pastitullit dhe çfarë do të bëjnë bardheblutë në fund të sezonit.
celhaka
Çelhaka, keni mbyllur dhe nisur një sezon shumë të mirë me Tiranën. Flas këtu për titullin, Europën dhe ftesën nga 21-vjeçarët?
Të fitosh titullin, të luash në Europë dhe të marrësh ftesë nga Shpresat është një ndjesi shumë e bukur. Mbylla një sezon fantastik me Tiranën. E rinisa me një kualifikim në turin e dytë të Champions-it. Më pas morëm edhe ftesën nga profesor Bushi. Diçka e veçantë. Fituam dy ndeshje me fanellën e Kombëtares. Diçka e madhe. Personalisht kam bërë një ndeshje shumë të mirë me Austrinë. Luajta shumë mirë edhe me Andorrën. Shpresoj që të vazhdoj kështu sa herë të grumbullohem në Kombëtare.
celhaka konference
Për çdo lojtar të mirë, Shpresa është shkalla e fundit e ngjitjes në majë, pra Kombëtare?
Normalisht që është Shpresa kati i fundit i maksimumit. Ama duhet shumë punë për të qenë në Kombëtaren A. Shpresoj që të vazhdojmë kështu në Kombëtaren shpresa. Të fitojmë sa më shumë ndeshje edhe pse jo avash-avash të kalojmë te Kombëtarja A. Do të ishte një ëndërr e realizuar.

Ju keni qenë në çdo skuadër moshash të Kombëtares. Cila është diferenca mes tyre dhe 21-vjeçarëve?
Në ekipin Shpresa luajnë shumë lojtarë. Janë të gjithë ata që veçojnë mbi të tjerët. Për më tepër luajnë në skuadra të mëdha e të njohura. Është lojë më e fortë dhe më e shpejtë. Ne që kemi luajtur në Superiore dhe në nivele të larta gjatë Europës, i përballojmë shumë mirë ato ndeshje.
celhaka
Titullar edhe në dy ndeshjet e Europës që ka luajtur Tirana. Çfarë prisni nga shorti për “play off”-in?
Në radhë të parë pres një short të kalueshëm. Edhe nëse është shumë i fortë, ne do të japim maksimumin. Të shfrytëzojmë rastet tona, siç luajtëm me Zvezdën dhe mund të kalojmë. Është e kotë të them që do të japim 100 për qindëshin tonë ama me një ndeshje të madhe siç bëmë me Zvezdën, fati do të jetë në anën tonë në këtë ndeshje.

Realisht mendoni se Tirana mund t’ia dalë të kalojë në fazën e grupeve?
Normal që mund t’ia dalë dhe të kualifikohet. Ne jemi të bindur që i kemi të gjitha ato që i duhen një skuadre të mirë.

Si e shihni skuadrën në krahasim me ekipin e vjetshëm që u shpall kampione?
Mendoni se skuadra ka bërë afrimet e nevojshme. Unë e shoh grupin të plotë. Të gjithë djemtë e ardhur janë bashkuar mirë me frymën e ekipit. Shpresoj që të përsërisim atë që bëmë vjet. Të fitojmë titullin. Ne jemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion. Mendoj se jemi goxha më të fortë.
Tirana Batha
Për shumë specialistë, dyshja Çelhaka-Batha është forca e ekipit?
Nuk mendoj se jemi vetëm ne të dy në skuadër. Është gjithë skuadra që punon. Ne kemi krijuar një dualizëm në fushë, por edhe djemtë e tjerë bëjnë mirë. Edhe të rinjtë shpresoj që të luajnë.

Cilin shikoni kundërshtarin e Tiranës për titull?
Të gjithë janë të rrezikshëm. E pamë edhe vjet. Flamurtari e Luftëtari i hapën punë çdokujt në kampionat, ndonëse kishin rënë një kategori më poshtë. Në këtë linjë, të gjithë mund të të dëmtojnë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"