EKSKLUZIVE/ Merkato te Tirana dhe Kukësi, ja 3 dëshirat për Dinamon e Shkëmbit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2021 | 23:29

EKSKLUZIVE/ Merkato te Tirana dhe Kukësi, ja 3 dëshirat për Dinamon e Shkëmbit

Dinamo nxiton për elitën. Pasi sigu ruan ngjitjen, drejtuesit kanë gati projektin për sezonin 2021-2022. Nuk kanë në plan që të jenë kalimtarë në Kategorinë Superiore, por do të luftojnë për trofe. Pas 9 vitesh përpëlitje në inferiore, nën drejtimin e Ardian Bardhit, Olger Priftit dhe Gurten Papulit, skuadra pritet të marrë tjetër fizionomi. Do të ruhet një pjesë e mirë e organikës aktuale dhe duhet thënë që “yjet” i kanë me bollëk, por në të njëjtën kohë do të bëhen përforcime “big”. Me kohë ka dalë në skenë emri i Elis Bakajt. Sulmuesin e kanë kontaktuar, megjithatë ende nuk mund të flitet për akord. Ai aktualisht luan në Bjellorusi, por e ka lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje.

dinamo

ZYRTARIZIMI I TRAJNERIT TË RI

Me dorëheqjen e Olsi Ukut, pritet zyrtarizimi i trajnerit të ri. Duhet thënë se për këtë pjesë dilemat janë minimale, pasi në “pole” vazhdon të jetë Bledi Shkëmbi. Ka afro një muaj që lakohet në këtë rol dhe tashmë nuk mbetet tjetër veçse të marrë detyrën. Nuk ishte rastësisht as në “Elbasan Arena” të shtunën, ndërsa ndoqi nga afër finalen e Kategorisë së Parë.

DËSHIRAT NË MERKATO

Ai mund të mos jetë korçari i vetëm që do t’u bashkohet kryeqytetasve. Gazeta “Panorama Sport” zbulon se drejtuesit e rinj kanë gati një listë dëshirash për të rikthyer në nivele të larta “nëndetësen”. Në të janë përfshirë Kristi Vangjeli dhe Bruno Lulaj. I pari është aktualisht pjesë e Tiranës dhe i dyti te Kukësi. Ata janë vëzhguar gjatë gjithë kësaj kohe prej kryeqytetasve, por në vazhdim do të ketë diçka më konkrete. Por, nuk janë të vetmit, pasi në “lupë” është edhe Xhuliano Skuka. Shënuesi i dytë më i mirë i Kategorisë së Parë pëlqehet prej bluve. Gjithsesi, për autorin e 16 golave (në kampionat e Kupë) të Korabit, do të ketë garë të fortë. Janë disa klube që janë vënë pas tij, gjë që e ka konfirmuar edhe më parë administratori i dibranëve, Fehmi Mëziu.

ADELA MERKO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"