EKSKLUZIVE/ “Më mirë ta mbyllim sezonin”, Egbo: Lojtarët janë kthyer në maratonistë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2020 | 21:35

EKSKLUZIVE/ “Më mirë ta mbyllim sezonin”, Egbo: Lojtarët janë kthyer në maratonistë (E PLOTË)

Emanuel Egbo nuk dëshiron që futbolli të nisë pa teste dhe masa mbrojtëse. Thotë që më shumë se të gjithë është Tirana që dëmtohet në rast se plas një infektim në futboll. Në intervistën për “Panorama Sport” trajneri i bardhebluve pohon se problemi më i madh i të gjithëve është ana fizike dhe një lojtari i duhet më shumë se një muaj për të marrë veten, ndërsa e pranon titullin në tavolinë. Krahasimet me shtete si Gjermania dhe Italia numri një i stolit bardheblu i konsideron utopira.
egbo
Si është gjendja e lojtarëve? Di që flisni shpesh me ta për të kontrolluar gjendjen e tyre?
Është normale që gjendja e skuadrës nuk është njëlloj ashtu siç ishte kur ndali kampionati. Normal që tani lojtarët janë 50-60 për qind të formës së tyre.

Sa do të ndikojë në kthimin në fushë?
Mjekët thonë që dëmtimet mund të jenë nga më të ndryshmet… Do ta kemi shumë të vështirë. Këtu e lidh me faktin se si po mendohet që të fillojë futbolli, me dy javë stërvitje do të kemi probleme. Në Gjermani ka një muaj që stërviten dhe tani do të nisin kampionatin. Skuadrat duan më shumë se një muaj përgatitje, por nuk e di se si do të zgjidhet. Do të kemi më shumë se një ndeshje, do të jetë e vështirë për lojtarët, pasi do të luajnë çdo tri ditë. Gjithsesi, akoma nuk kemi një ide të qartë me datat për të bërë planifikimet.

Ju duket larg 18 maji për stërvitje individuale?
Unë them që kur bëjnë pesë apo gjashtë lojtarë në grup, është njëlloj sikur bën vetëm apo kur bën në grup. Është pothuajse e njëjta gjë. Ndeshja luhet 11 me 11 dhe stërvitja me grupe të vogla nuk është se të hyn në punë. Me pesë kundër pesë nuk jemi në basketboll. Për mua kjo çështja e stërvitjes është e koklavitur. Them kështu, sepse u stërvite një javë individualisht, po më pas çfarë do të bësh. Nuk është normale. Është e vështirë për të gjithë, jo vetëm për ne.
emanuel egbo

FIFA ka vendosur që të ketë pesë zëvendësime në një ndeshje futbolli me kthimin e kampionatit?                           Kjo është një lëvizje me spec për skuadrat. Në pamje duket se të ndihmon shumë për fillimin e kampionatit. Ama në Shqipëri shumica e skuadrave nuk kanë 25 lojtarë për lojë. Maksimumi janë 14-15 lojtarë për të luajtur. Këtu duhet të llogarisim dëmtimet. Ku janë lojtarët e tjerë? Dua të shtoj diçka. Nuk duhet të krahasojmë kampionatin shqiptar me kampionatet e tjera si ai gjerman, italian apo ndonjë tjetër. Nuk jemi në të njëjtin nivel. Janë më të pasur, më lart se ne. Kanë shumë mundësi dhe para. Lojtarët tanë e vuajnë këtë gjë. Shumica e kampionatit vuan çështjen e parave. Vetëm U-17 dhe U-19 mund të bëjnë pesë zëvendësime.

Jeni nëntë përpara në kampionat. I druheni anës fizike apo psikologjike të skuadrës?                                                     Është njësoj për të gjitha ekipet. Lojtarët do ta fitojnë ritmin me ndeshje, por normal që nuk do të kthehen si më parë. Besimin e kanë, sepse besimi fitohet dhe nuk humbet kollaj për dy muaj. Ana fizike është e rrezikshme, ndërsa nga ana psikologjike, gjithçka është normale. Mjafton që të fillojë gara.

Ju e prekët më lart. Kaq e vështirë është që të nisësh direkt, kur dihet që fizikisht lojtarët kanë punuar individualisht?
Kjo është më e keqja. Në dy muaj të bësh vetëm vrapime dhe ushtrime force nuk krahasohesh dot me topin. Vrapimi është vrapim. Tani lojtarët janë bërë si maratonistë. Me këto ushtrime kanë aktivizuar fibrat e ngadalta. Problemi më i madh është ndryshimi i ritmit, drejtimit, lëvizjet lart e poshtë nëpër fushë me top. Si mund ta marrin veten lojtarët duke prekur topin vetëm dy javë? Dy muaj pushim nuk kanë ndodhur asnjëherë. Edhe në pushimet e verës, lojtarët luajnë kalçeto, luajnë në plazh. Mbajnë trupin në formë dhe nuk bëjnë pushime pasive.

Me kënaqësi e pranoni titullin nëse nuk luhet futboll këtë sezon?
Nuk është problem. E pranojmë me kënaqësi. Në këtë moment ne flasim që nuk e dimë nëse do të fillojë apo jo futbolli. Tani në Itali kanë nisur stërvitjet, por kanë dalë pozitivë. Nëse nis këtu dhe dalin lojtarët pozitivë, si i bëhet? Duhet të bëhen teste për futbollistët para se të nisë sporti. Nëse në një ekip ka pesë të infektuar, me cilët lojtarë do të luajë kjo skuadër?

A e keni menduar skuadrën e Champions-it?                                                                                                                                           Ju e dini filozofinë time. Mendoj për të tashmen dhe nuk mendoj për të ardhmen. Tani kemi kampionatin. Nuk kemi nisur, por duhet ta nisim dhe mbyllim kampionatin dhe më pas të mendojmë për Europën dhe lojtarët. Qeveria nuk ka vendosur kur do të nisë futbolli apo për protokollin që do të ndjekim. Nuk e di, por a bën FSHF-ja teste çdo javë apo çdo tri ditë? Ne duhet të shohim si shembuj kampionatet e vogla dhe jo Gjermaninë.

Ne duhet të mendojmë për shëndetin e lojtarëve dhe vetes tonë. Ne përballemi me një të panjohur fatale ku rrezikojmë të shpërndajmë sëmundjen kudo në fushë dhe në shtëpi. Duhet të marrim një vendim të matur. Nëse skuadra ime infektohet nga një kundërshtar, unë mbetem pa lojtarë dhe nuk luaj dot më, duke humbur shumë. Për mua vendimi më i mirë është që më mirë të mos fillojë, sesa të fillojë dhe të ndalet sërish kampionati. Duhet ta marrim të gjithë vendimin.

Për fjalët e kundërshtarëve që po bëni stërvitje, keni diçka?                                                                                                           Do të them vetëm që të gjithë lojtarët po bëjnë vrapime individuale, të çdo skuadre. Po përgatiten me grupe të vogla. Ne nuk ankohemi për të tjerët, por shohim djemtë tanë dhe punën tonë.

OLSI AVDIAJ 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"