EKSKLUZIVE/ Lëvizje surprizë! Mposhtet konkurrenca e Tiranës dhe e Partizanit, Dinamo blen ish-lojtarin e “demave”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2022 | 19:40

EKSKLUZIVE/ Lëvizje surprizë! Mposhtet konkurrenca e Tiranës dhe e Partizanit, Dinamo blen ish-lojtarin e “demave”

Dinamo militon në Kategorinë e Parë këtë sezon, por kjo nuk i ka penguar drejtuesit për të bërë një goditje të madhe në merkato.

ALBION MARKU

Blutë kanë marrë nga Lokomotiva e Zagrebit mbrojtësin 21-vjeçar Albion Marku, një nga lojtarët me të kërkuar në merkaton e verës edhe nga skuadrat e Superiores.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë klubit kryeqytetas se Dinamo e ka blerë kartonin e Markut nga kroatët.

Për momentin nuk ka detaje në lidhje me shifrën që ka paguar klubi blu te Lokomotiva, por kjo lëvizje tregon qartë ambiciet e mëdha të drejtuesve të Dinamos për të ardhmen.

Afrimi i mbrojtësit të krahut të djathtë, pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, është goditja më e bujshme e merkatos së kësaj vere për Dinamon.

Një goditje e denjë për një ‘nëndetëse’, po të kemi parasysh faktin se këtë lojtar e ka kërkuar me ngulm Partizani, por edhe klube të tjera të Superiores.

Lojtari nga Rrësheni ka luajtur në Superiore me fanellën e Laçit dhe të Partizanit, ku ka ardhur si i huazuar nga Lokomotiva e Zagrebit.

Tashmë kartoni i tij i takon Dinamos, që kuptohet se nuk po mendon thjesht për rikthimin në Superiore, por edhe për të ndërtuar një skuadër cilësore për nivelin elitar të futbollit shqiptar.

ALBION MARKU (1)

HUAZIM NË SUPERIORE – Po a mund të luajë një lojtar si Albion Marku në Kategorinë e Parë?

Burime të gazetës bëjnë me dije se mundësia më e madhe është që mbrojtësi të huazohet për një sezon në Superiore dhe pastaj, me rikthimin e bluve në elitë, do të ribashkohet me ta.

Partizani mund të jetë një pistë, një ambient që lojtari e njeh, pasi ka luajtur aty më parë, por drejtuesit e Dinamos do ta vlerësojnë me qetësi situatën.

Mund të ketë edhe klube të tjera të interesuara aktualisht për lojtarin e Shpresave.

Me kalimin e ditëve do të mësohet se çfarë do të ndodhë konkretisht me Markun.

Për Dinamon është një investim shumë i rëndësishëm, duke ditur kualitetin e lojtarit dhe moshën e tij të re.

Blutë e kanë bërë të qartë politikën e tyre për të thithur sa më shumë elementë të rinj me kualitet.

Me kapitalin që kanë po e tregojnë se po bëjnë goditje që i ka zili edhe Superiorja.

MERKATO E MBYLLUR – Në klubin kryeqytetas, ku këtë verë kanë zgjedhur të operojnë në heshtje të plotë, pa bujë, pohojnë se merkatoja e verës mund të konsiderohet e mbyllur me Albion Markun dhe mbrojtësin që pritet të vijë nga Bylisi, Stivian Janku.

Megjithatë, duke parë dhe mënyrën si është vepruar deri tani, mund të ketë edhe ndonjë surprizë tjetër deri në fund. E kush e priste që Dinamo do të blinte Albion Markun?!

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Ditë vendimtare për Taulant Seferin, derbi Tirana-Partizani në merkato për…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"