EKSKLUZIVE/ “Klubi nuk e pranon propozimin që kam bërë”, rrëfehet Aurelio: Jam gati t’i fal diçka Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 8:52

EKSKLUZIVE/ “Klubi nuk e pranon propozimin që kam bërë”, rrëfehet Aurelio: Jam gati t’i fal diçka Luftëtarit

Luftëtari vazhdon të jetë i bllokuar nga FIFA sa i përket merkatos, teksa kjo javë pritet të jetë vendimtare për klubin. Sipas rregullores, çdo vendim që i ndalon klubet të regjistrojnë ndonjë lojtar të ri, mund të hiqet menjëherë pasi të paguhet shuma. Mirëpo, teksa pritej të gjendej një marrëveshje me ishlojtarin brazilian, Marko Aurelio, gjërat duket se nuk janë në rrugën e duhur.


AURELIO RIBEIRO

Është vetë 36- vjeçari, i cili në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, sqaron se klubi nuk e ka pranuar propozimin e fundit që ai i ka bërë për borxhin. Madje, Aurelio ndihet i habitur për mënyrën se si po sillen drejtuesit, duke theksuar edhe se është gati t’i falë diçka klubit.

REAGIMI – “Për fat të keq, ata nuk duan të më paguajnë. Ata janë borxhlinj ndaj meje dhe vazhdojnë të më japin urdhra. Unë po dal më i keqi në këtë histori. Nuk e di kush është i pari në klub në këtë periudhë…?! Nëse ata nuk më paguajnë, unë do t’ua mbyll të gjitha dyert. Unë akoma jam duke u përpjekur që t’i ndihmoj ata me një marrëveshje të re, duke u falur diçka nga shuma që më detyrohen”, deklaroi dje Aurelio, duke shfaqur në këtë mënyrë edhe indinjatën e tij.

Edhe pse palët zyrtarisht nuk kanë pranuar të japin detaje rreth borxhit, mësohet se bëhet fjalë për një shifër që i kalon 60 mijë euro. Megjithatë, vetë drejtuesit gjirokastritë janë shprehur të bindur se do të gjejnë një zgjidhje dhe FIFA do të zhbllokojë merkaton e klubit, duke e lejuar të bëjë federime gjatë këtij muaji. aurelio-1-696x371

I pyetur nga gazeta për deklaratat e drejtuesve, të cilët kanë thënë se janë duke arritur një marrëveshje me lojtarin, vetë braziliani u shpreh: “Jo, nuk është e vërtetë. Më besoni, u kam bërë një propozim për gjetjen e zgjidhjes, por ata nuk e pranuan”.

Ditët po ikin dhe Luftëtari është në një udhëkryq si kurrë më parë, teksa po ndien keqmenaxhimin që i është bërë klubit kur president ka qenë Grigor Tavo. Pranë skuadrës janë afruar tetë lojtarë që presin të federohen, por mbetet për t’u parë tashmë nëse klubi do të gjejë marrëveshjen me Aurelion dhe FIFA do të japë OKin për hapjen e merkatos, në mënyrë që skuadra të kompensojë largimet.

I.Cara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"