EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj si u bëra kapiten në Turqi”, fantazisti Rroca: Kombëtaren e pres derisa të lë… futbollin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2022 | 17:12

EKSKLUZIVE/ “Ju tregoj si u bëra kapiten në Turqi”, fantazisti Rroca: Kombëtaren e pres derisa të lë… futbollin (E PLOTË)

Merhaba” nga Eduart Rroca. Mesfushori i cili luan për Istanbulsporin në Superligë, flet në një intervistë ekskluzive për Panorama Sport” në lidhje me eksperiencën që po kalon në Turqi. Duke nisur nga qyteti, ushqimi, koha e lirë, ekipi, objektivat, si u bë kapiten dhe jo vetëm, pasi 29-vjeçari ka një koment edhe për ish-ekipet e tij, Luftëtarin e Kukësin, por pa harruar edhe ekipin kombëtar. Ai gjithashtu zbulon se për kë bën tifo në Botëror.

1665418221_rroca3

Rroca, ky është sezoni i tretë në Turqi, ju duket sikur ka kaluar vërtet kaq kohë?

Të them të drejtën edhe kur e bisedojmë këtu, më duket sikur ka kaluar koha shumë shpejt, sikur kemi tre muaj, jo tri vite. Edhe sezonet kanë shkuar mirë, kemi pasur sukses si ekip, ngjitja në Superligë ishte historike. Kështu që kur gjërat shkojnë mirë, edhe koha kalon shpejt. Gjërat e bukura kalojnë shpejt.

Keni kohë që jetoni në Stamboll, si jeni përshtatur me qytetin, çfarë ka të përbashkët dhe ndryshe me Tiranën?

Jemi përshtatur mirë, sepse unë që kur kam ardhur në fillim kam marrë edhe familjen këtu edhe çdo gjë ka shkuar mirë. Stambolli është qytet shumë i populluar, shumë i zhurmshëm. Lagjen ku jetojmë e kemi zgjedhur paksa afër klubit, që të kemi më të aksesueshëm dhe më të lehtë vajtjen çdo ditë në stërvitje dhe në stadium. Nuk është se lëvizim shumë jashtë lagjes, sepse është shumë trafik, shumë njerëz, shumë raca të ndryshme. E përbashkëta e vetme me Tiranën mund të them popullariteti dhe zhurma, por nga ana tjetër nuk ka lidhje me Tiranën për nga numri i popullsisë, pasi Tirana një milion, Stambolli 20 milionë, qytet i pafund.

Kalojmë tek ekipi, si mund ta përshkruani këtë periudhë gati 3-vjeçare, nga fillimi e deri tani?

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Viti i parë, 20 ndeshjet e para ishin shumë pozitive, por më pas humba “play off”-in për arsye dëmtimi, ndërsa vitin e dytë humba 25 ndeshjet e para, por luajta 5 ndeshjet e fundit dhe “play off”-in që na dha mundësinë të ngjitemi në Superligën turke. Kështu që dy vitet e para kanë plotësuar njëra-tjetrën, si të thuash dy vite në një.

Ju keni arritur të bëheni edhe kapiteni i skuadrës së Istanbulsporit, sa e vështirë është që një shqiptar të mbajë shiritin në një vend të huaj, për më tepër tani në Superligë?

Në fakt, as unë nuk e prisja të bëhesha kapiteni i ekipit. Pas vitit të parë, lojtari i cili ishte kapiten u transferua diku tjetër pas tetë vitesh në klub. Këtu ka qëndrueshmëri lojtarësh dhe nuk i ndryshojnë shpesh, ka lojtarë prej shtatë vitesh dhe të them të drejtën nuk e prisja të bëhesha unë kapiten. Ky vendim erdhi nga ana e presidentit gjatë një mbledhjeje me ekipin, që kur filloi sezoni im i dytë. Më erdhi surprizë, sepse para saj kisha folur me të, por nuk më kishte komunikuar diçka të tillë, më pati thënë që kishte besim tek unë, pasi në atë kohë unë isha akoma i dëmtuar në kavilje. Më ofroi mbështetjen nga ana e tij, por nuk më tha se do të isha kapiten i ekipit. Sa i përket vështirësive besoj që ka shumë të tilla, jam në një vend të huaj, gjuhën nuk e flas 100 për qind mirë dhe ka vështirësitë e saj. Por deri tani gjithçka ka qenë pozitive dhe jam i lumtur për rolin dhe përgjegjësitë që kam.

Në vitet e fundit, shumë lojtarë shqiptarë po vijnë në Turqi. Mendoni se është një trend menaxherësh apo ka ndikuar përshtatja aty?

Nuk besoj që ka të bëjë me menaxherët, sepse unë kam ardhur pa një menaxher dhe gjithashtu disa të tjerë kanë ardhur pa menaxher. Thjesht siç e besoj, performanca jonë këtu tek Istanbulspori i ka hapur rrugën dhe shumë lojtarëve të tjerë dhe i ka kthyer sytë e shume klubeve turke në Shqipëri. Këtë nuk e them unë, por shumica e menaxherëve që flasim dhe atyre që kemi në klub e thonë shpesh se falë performancës tonë janë kthyer sytë nga Shqipëria.

Jeni pesë shqiptarë në një ekip, çfarë ndjesie ju jep dhe si mund ta përshkruani marrëdhënien me njëri-tjetrin?

Guri, Abazaj, është Etemi dhe Topalli, që për mua jemi të gjithë shqiptarë, pavarësisht se kështu e do politika dhe puna që duhet të luajmë në kombëtare të ndryshme, por për mendimin tim jemi të gjithë shqiptarë. Ne shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin, jemi në të njëjtën lagje, edhe gjatë kohës së stërvitjes shumicën e rasteve shkojmë me dy makina, sepse duam ta ndiejmë atë atmosferën e të qenit bashkë, të flasim shqip dhe pas stërvitjes, kafen e konsumojmë bashkë. Çdo gjë është shumë mirë.

T’ju pyes pak për Luftëtarin, ju vjen keq që klubi ka përfunduar në këtë situatë?

Më vjen shumë keq, sepse ishte klubi ku unë u shfaqa. Aty më kanë dhënë dorën dhe jo vetëm mua, por ka promovuar shumë lojtarë të rinj në atë kohë. Kur klubet e tjera nuk na e dhanë mundësinë, Luftëtari ishte aty për shumë lojtarë, duke u dhënë shansin të luanin në Superiore dhe shumë lojtarë që e kanë nisur nga aty, kanë dalë kampion në Superiore dhe të tjerë kanë ikur jashtë, për këtë arsye më vjen keq. Unë edhe sot e kësaj dite ruaj raporte me shumë tifozë që i kam miq, me vjen shumë keq që ekipi është aty ku është.

Një koment edhe për Kukësin, si e keni parë që nga largimi juaj?

Kukësi ka një metodë punë që është pak e çuditshme. Çdo merkato heq 20 lojtarë dhe afron 20 të tjerë. Është shumë e vështirë të mbash ekipin stabël. Që nga kohë ku ika unë, janë larguar të gjithë lojtarët titullarë të atij viti dhe pastaj u krijua nga fillimi dhe në vitin pasardhës nuk mori pjesë në Europë. Mënyra sesi kërkojnë ta ndërtojnë ekipin, ia kam thënë në konfidencë e sipër edhe presidentit Gjici: Mënyra aq e shpejtë e krijimit të një ekipi nuk është diçka e mirë. Sepse ne jemi futbollist vetë dhe duhet kohë të përshtatesh me ekipin, klubin, stërvitjen, qytetin, tifozët. Mua më vjen keq diçka për Kukësin, sepse vitin e dytë kishim vërtet mundësi të shpalleshim kampion dhe është e vetmja gjë që më ka ngelur peng nga Shqipëria. Tashmë i uroj suksese, sepse që aty arrita të transferohem këtu.

Mendon Rroca që të lëvizë në një ekip tjetër apo dëshira është që të bëjë histori tek Istanbulspori?

Për momentin nuk e shikoj si opsion largimin. Edhe drejtuesit këtë mendim kanë, por nëse vjen ndonjë ofertë e parefuzueshme nga ndonjë ekip tjetër, mund të ulem dhe të flas, por aktualisht jemi të fokusuar tek objektivat që kemi.

Cilat janë objektivat që keni këtë sezon?

Objektivi këtë vit është që të qëndrojmë në Superligë dhe është një gjë shumë e vështirë. Thënë kjo, për faktin e mënyrës së ndërtimit të ekipit tonë. Kemi lojtarë të rinj, promovohen të rinj, nuk bëhet merkato me shuma marramendëse dhe me emra të mëdhenj siç bëjnë të tjerët. Ka një ndryshim në kualitet nga Liga e Parë, ndryshon ritmi, përgatitja fizike dhe kjo gjë po vihet re edhe te ne. Jemi pothuajse ekipi që u ngjit dhe nuk na ka ndihmuar edhe shumë fati kohët e fundit. Tri ndeshjet e para i kemi marrë sikur po luanim kundër kampionëve të Europës, por fundja në Turqi po luanim dhe tani e kemi kuptuar se nuk ka ndonjë gjë speciale të luash kundër tyre, thjesht duhet më shumë përqendrim.

Në Shqipëri vini shpesh, ju mungon?

S’mund të vij aq shpesh sa dua, sepse tani jam me familjen, por gjithsesi dy-tri herë në vit vij. Tani së fundmi isha andej, sepse kishim pushimet në ekip.

Këtë rrugën Turqi-Shqipëri, mendoni se mund ta bëni më shpesh kur në drejtimin e Kombëtares të jetë një trajner tjetër?

Nuk e di, unë e shpresoj shumë atë gjë. Këtë herë isha në stadium, pashë ndeshjen me Italinë. Çdo futbollist e pret atë mundësi dhe siç thashë, edhe unë e kam pritur, e pres dhe do ta pres deri sa të lë futbollin. Nëse do të vijë, do të jetë diçka e madhe për mua, nëse jo, kjo është jeta, vazhdojmë.

Kush e fiton Botërorin?

Unë jam tifoz me Brazilin dhe shpresoj ta fitojnë. Këtu më thonë nuk është mirë se duhet të jesh me një ekip europian, por unë jam me futbollin e bukur.

Po Superioren?

Shoh një garë dyshe ndërmjet Tiranës dhe Partizanit.

Ushqimi në Stamboll ju ka ngjitur ndopak, pasi disa njerëz që kanë qenë, më thanë se nuk iu ka pëlqyer shumë, apo nuk kanë gjetur vendet e duhura?

Nuk e di ku kanë ngrënë ata që kanë ardhur këtu (qesh), pasi ne na pëlqen shumë. Është i shijshëm, pak a shumë si në Shqipëri, por pak më pikant. Ka nga tradicionalet, mishrat dhe deri te frutat e detit, mund të gjesh çdo gjë.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"