EKSKLUZIVE/ “Jemi në protestë”, Ardjan Takaj: Ka ardhur momenti të kërkojmë të drejtat tona

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2020 | 10:48

EKSKLUZIVE/ “Jemi në protestë”, Ardjan Takaj: Ka ardhur momenti të kërkojmë të drejtat tona

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka evituar komentet për shitjen në Kroaci të dy xhevahirëve të skuadrës, Jorgo Pëllumbi dhe Agon Elezi. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, numri një i klubit korçar u ndal më tepër te situata që po kalon futbolli shqiptar, teksa drejtuesit e ekipeve të Superiores janë bërë bashkë për të bojkotuar kampionatin deri në miratimin e kërkesave nga qeveria.

takaj

Natyrisht Takaj ka pritur të përfitojë shuma të konsiderueshme nga transferimi i Elezit dhe Pëllumbit, por megjithatë në kushtet kur ngecën bisedimet me klube si Boavista dhe Shturm Grac, u pa si mënyra më e mirë e mundshme bashkëpunimi me kroatët e NK Varazhdinit për dy talentet.

“Me gjithë respektin për atë që po ndodh në lidhje me lojtarët tanë, e shoh të udhës që të mos bëj asnjë koment, sepse realisht jemi në protestë. Në të tilla kushte ku ndodhemi, nuk dua të komunikoj asgjë tjetër që nuk ka të bëjë me të ardhmen e futbollit shqiptar.

Takaj Skenderbeu

Po përballemi me një situatë të pazakontë dhe ka ardhur momenti që të kërkojmë të drejtat tona deri në fund. Ne kemi paraqitur një listë me kërkesa për t’u miratuar nga qeveria për të mirën e sportit. Kjo është çështja jonë madhore. Për këtë arsye nuk dua të komentoj asgjë për sa u përket arritjeve të një klubi apo lojtarëve.

Për ne kjo çështje është primare dhe do të vijojmë deri në fund kështu për të marrë atë që kërkojmë. Jemi për të mirën e sportit. Nëse duam të çojmë përpara futbollin në vend, le të ulemi dhe të diskutojmë. Kjo është zgjidhja e vetme. Të tjerat janë thjesht luftëra të një beteje të madhe”, deklaroi Takaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"