EKSKLUZIVE/ “Janë pa sedër”, rrëfimi i ish-mbrojtësit Bakalli: Dinamos i duhej Ilir Daja, gabuan rëndë me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 12, 2022 | 20:36

EKSKLUZIVE/ “Janë pa sedër”, rrëfimi i ish-mbrojtësit Bakalli: Dinamos i duhej Ilir Daja, gabuan rëndë me…

Engert Bakalli është një nga pjesëtarët e familjes së madhe dinamovite, por ai gjithashtu bën pjesë në “klubin” e ngushtë të bluve 24-katarësh, që kanë banuar pranë ish-kompleksit të skuadrës kryeqytetase. Ish-mbrojtësi i linjës së majtë ka lindur dhe është rritur me Dinamon në zemër, ndaj dhe është një prej atyre që u dhemb më shumë ta shohin këtë skuadër në gjendjen aktuale.

Bakalli2

Bakalli ka veshur edhe fanellat e Partizanin dhe Tiranës, por kuptohet që lidhjen e ka me blutë. Për “Panorama Sport”, ai shprehet se janë një sërë faktorësh dhe gabimesh, që e rrëzuan Dinamon pa u kthyer mirë në Superiore.

GRUPI

Për Bakallin, gabimi i parë është ndërrimi i gjithë grupit të futbollistëve në verën e kaluar. “Të vjen keq ta shikosh Dinamon kështu. U gëzuam që u kthye, por u mërzitëm më shumë tani që po bie përsëri. Për mua, nuk duhej ndërruar gjithë grupi i lojtarëve. Nuk mund të hiqen 18-20 lojtarët dhe të merren po kaq të tjerë. Ndryshimi bëhet gradualisht, ruhet një bosht dhe pastaj vijnë të tjerët.

Kështu ka ndodhur gjithmonë me Dinamon. Edhe në kohën tonë, para se të dilnim kampionë në vitin 2002, krijuam një grup dhe dolëm në vend të 4-t. Pastaj fituam Kupën, forcuam grupin me lojtarë të tjerë dhe fituam titullin. Është e vështirë që një skuadër të ketë frymën e grupit, kur ndërrohen të gjithë lojtarët në të njëjtën kohë. Dhe aq më tepër Dinamo, që është dalluar gjithmonë për grupin”, ka thënë Bakalli.

TRAJNERËT

Ish-dinamoviti kalon te çështja e trajnerëve dhe thekson se Dinamo meritonte një emër të rëndësishëm në stol. “Për mendimin tim, Dinamos i duhej një trajner me emër, një trajner me eksperiencë dhe mundësisht dinamovit, që ta mblidhte në këtë sezon të rikthimit në elitë. Bledi Shkëmbi është një djalë shumë i mirë, por ndoshta nuk pati fatin në anën e tij. Ndoshta duhej të ishte bërë lëvizja më parë.

Bakalli

U fol për Ilir Dajën dhe besoj se do të kishte qenë shumë mirë, por nuk u realizua. Nuk është se jam kundër trajnerëve të rinj, përkundrazi, më bëhet qejfi si në rastin e Shehit. Por e ritheksoj se Dinamo kishte nevojë për një emër të njohur në këtë moment. Ardhja e trajnerit italian pastaj më duket një tjetër gabim, siç po e tregojnë edhe rezultatet. Nuk ka nevojë për shumë komente”, ka shtuar ish-lojtari.

LOJTARËT

Kritikave të Bakallit nuk u shpëtojnë as lojtarët, të cilët, sipas tij, kanë mëkatet e tyre. “Dinamo nuk ishte për të rënë me këta lojtarë që afroi. Janë emra të njohur dhe lojtarë me cilësi, por që nuk janë përshtatur, nuk kanë gjetur atë mënyrën e duhur për të arritur rezultate.

Ndonjëherë, kur të merr për poshtë, është e vështirë të reagosh, por gjithsesi diçka duhej bërë. Dinamo në fillim ka bërë disa ndeshje të mira, kurse tani ka lënë shumë për të dëshiruar në fushë. Lojtarët më janë dukur pa sedër dhe nëse në futboll nuk ke sedër, nuk shkon asgjëkundi. Ne në kohën tonë kemi kaluar momente të vështira, që në futbolli ndodhin, por na mbante sedra. Dilnim në fushë dhe sakrifikonim.

Ndoshta është edhe ajo që thashë që në fillim, se janë lojtarë të mbledhur dhe nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me fanellën e Dinamos. Është keqardhje e madhe ta shikosh Dinamon të përfundojë kështu, aq më keq kur nuk i kanë munguar financat. Duhej një organizim shumë më ndryshe, por tani është vonë”.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"