EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Lutaj: Flamurtari po falimenton, kanë abuzuar. 1 pikë e merr edhe me… lojtarë plazhi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 22:31

EKSKLUZIVE/ Ish-trajneri Lutaj: Flamurtari po falimenton, kanë abuzuar. 1 pikë e merr edhe me… lojtarë plazhi

Ish-trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, mendon se dyert e stadiumit u mbyllën në ndeshjen ndaj Laçit për mungesë lekësh për të paguar policinë private.

edmond lutaj

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai deklaron se ajo që ndodhi në ndeshjen e fundit ishte papërgjegjshmëri. Lutaj bën thirrje që bashkia të marrë frenat e klubit në dorë, ndërsa e shikon situatën në klub drejt falimentimit.

Zoti Lutaj, klubi i Flamurtarit mbylli dyert e stadiumit të dielën për tifozët. Ju bëri përshtypje ky vendim?

Mbyllja e stadiumit ishte një veprim shumë i çuditshëm, por i pritur.

Pse mendoni kështu?

Ky veprim tregon edhe një herë se papërgjegjshmëria dhe abuzimi mbizotëron te klubi i Flamurtarit. Po nuk pagove faturat, nuk të vjen asnjë stjuart në stadium. Nuk e kam dëgjuar kurrë një ngjarje të tillë. Nuk e di se si është shkruar kontrata midis bashkisë dhe kompanisë turke që investon te Flamurtari. Ekipi po shkon drejt greminës dhe nuk po shikoj që Bashkia e Vlorës të reagojë.

Lutaj

Në fakt, sipas Idrizit, shkak është bërë mosmarrja përsipër e ndeshjes nga policia dhe mungesa e forcave të duhura të sigurisë private…

Sipas ligjit të ri, Policisë së Shtetit i është hequr e drejta për të menaxhuar mbarëvajtjen e ndeshjeve brenda stadiumeve dhe kjo gjë unë mendoj se është shumë e mirë për dy aspekte. E para, policia duhet të merret me mbarëvajtjen e rendit në Shqipëri, sepse nevojat janë të mëdha. E dyta, është se nëse do të ecim drejt Evropës, dhe ky hap është në të njëjtën linjë me atë se si menaxhohet siguria e ndeshjeve në vendet europiane. Dëgjova që nuk kishte 100 policë privatë në Vlorë.

Po t’i paguash ata, vijnë me vrap edhe nga Fieri. Pastaj, nëse është realiste që një klub duhet të paguajë 5 milionë lekë për 100 stjuartë privatë për mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli, ky është një diskutim tjetër që duhet bërë me federatën. Këtë informacion unë e kam lexuar në media sipas asaj që janë prononcuar drejtuesit e Flamurtarit. Për mua, personalisht, kjo shumë është tepër e lartë për çdo klub në Superligë.

Të kalojmë në aspektin sportiv, Flamurtari barazoi me Laçin dhe mori pikën e parë. A mund të themi se ky është një sinjal shprese?

U gëzova shumë për pikën e marrë ndaj Laçit dhe mendoj se kjo ishte një shkëndijë pozitive për ekipin dhe trajnerin. Nuk dua të keqkuptohem nga futbollistët apo nga Dritan Sadedini, por në Vlorë ti mund të shkosh në plazh të gjesh 11 vlonjatë, t’u veshësh fanellën e Flamurtarit dhe t’i çosh në stadium për ndeshje.

lutaj-ne-kembe

Çfarë doni të thoni me këtë?

Atëherë, unë ju premtoj se një ekip i marrë nga plazhi do ta marrë minimumi 1 pikë në 5 ndeshje, sepse ata do të kenë grintën vlonjate që sot për sot po shkelet me këmbë. Nëse mbledh grupe çunash nga “Skela”, “Orizi”, “Tri Racat” dhe “Varoshi”, e merr në Superligë një pikë në pesë ndeshje. Këto grupime çunash në vitet ’80-’90 që luanin në plazh bënin një superekip. Mos harroni se duhet bërë edhe një gjë tjetër. Duhet të hapen dyert e stadiumit dhe të mbushet me tifozë. Meqë m’u dha rasti, po bëj një urim për Sadedinin për detyrën që ka marrë në këtë moment shumë të vështirë. I uroj që gjendja të ndryshojë në klub dhe Dritanit si trajner t’i jepet një mundësi reale për të treguar vlerat e tij, sepse në këtë situatë që është klubi, do të ishte shumë e vështirë për çdo trajner.

Mendoni se Flamurtari rrezikon më shumë se kurrë të bjerë nga kategoria këtë sezon?

Në këtë gjendje që është Flamurtari mua nuk më duket i rënë, por më keq se kaq: i falimentuar. Prandaj, i drejtohem kryebashkiakut Leli që të marrë në dorë frenat e klubit, siç ka marrë frenat e qytetit. Vlora është bërë një qytet që të bën krenar ta vizitosh dhe mendoj se Flamurtari duhet të jetë në të njëjtin nivel, pasi e meriton.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"