EKSKLUZIVE/ “I humbi çanta, në Rinas e priti Edi Rama”, Uvil Zajmi: Kam arbitruar Paolo Rosin, ja biseda ime e fundit me të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2020 | 21:27

EKSKLUZIVE/ “I humbi çanta, në Rinas e priti Edi Rama”, Uvil Zajmi: Kam arbitruar Paolo Rosin, ja biseda ime e fundit me të

Ka qenë tetori i vitit 2000 kur në Tiranë, në “Qemal Stafa”, zhvillohej një miqësore spektakolare, Shqipëri-Itali “Over 45”. Shumë shikues dhe emocione, sepse për herë të parë në Tiranë luajnë “Axurrët”, ish-kampionë bote në Spanjë 1982. Midis tyre, Paolo Rosi, “Topi i Artë”, “Këpuca e Artë”, bomberi që shkëlqeu me 6 gola në atë edicion.

Uvil Zajmi Pernaska Rosi logo

Dy kapitenët Rosi dhe Përnaska së bashku me gjyqtarët

Ikonë e një brezi, jo vetëm atij italian, por edhe atij shqiptar. Ish-lojtari i Viçencës, Peruxhas, Juventusit, Milanit, Veronës kishte shumë fansa edhe në vendin tonë. Rosi u nda nga jeta dy ditë më parë, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 64- vjeçare.

Paolo Rosi me Uvil Zajmin logo

Paolo Rosi me Uvil Zajmin

Ndeshjen e ka drejtuar ish-gjyqtari Uvil Zajmi, i cili tregon për “Panorama Sport” detaje nga ardhja e Rosit në Tiranë, mikpritja, ndeshja ku ai ishte arbitër, çanta që i humbi, mungesa e energjisë elektrike, penalltia e pritur nga Musta si dhe biseda e fundit e Zajmit me të.

Paolo Rosi kunder shqiperise LOGO

Çast loje, Musta dhe Rosi

 

Zajmi, si u mundësua ajo ndeshje?

Vetëm kur pamë posterat, që i ruaj ende në arkivin tim, u konfirmua se do të vinte edhe “Pablito”. Bëhej fjalë për një ndeshje simbolike Shqipëri-Itali “Over 45” (ish-lojtarë që kishin kaluar moshën 45 vjeç). Ishte e rrallë për kohën. Me Italinë kishim luajtur vetëm në rang kombëtaresh U-21 pothuajse një dekadë më parë. Ishte hera e parë që në Shqipëri vinin “Axurrët”, ndonëse bëhej fjalë për yje që ishin tërhequr nga futbolli, por ishin ish-kampionë të botës, gjithsesi… Organizatorët u përpoqën ta bënin gjithçka sa më mirë dhe mbaj mend që jemi nisur në Rinas në pritje të delegacionit italian.

Edi Rama Paolo Rosi logo

Edi Rama, kryetar i bashkisë, në Rinas me drejtues të Italia ’82 “Over 45”, duke folur me Paolo Rosin

Edhe z. Edi Rama, asokohe kryetar bashkie, erdhi në aeroport tejet i interesuar për mikpritjen dhe zhvillimin normal të aktivitetit. Ishte një angazhim i të gjithëve, përfshirë gazetarë, televizione, pasionantë të futbollit etj. Skuadra mbërriti paradite me “Alitalia”. Në mbrëmje do të luhej ndeshja.

Nga një idhull në TV për brezin tuaj, te mundësia ta shihnit Paolo Rosin në “Qemal Stafa”… Çfarë ndjesie ishte?

Shikoni, ka qenë një pasion i hershëm, një lidhje emocionale e kahershme me Serinë A, që ndiqej edhe te ne çdo fundjavë në radio. Njiheshin edhe në Shqipëri lojtarët dhe klubet e tyre. Personalisht e kam ndjekur që nga viti 1966. Vitet 1980 ishin të veçanta për futbollin italian, me skandale, dënime, pezullime për trukime, midis tyre, i përfshirë edhe Paolo Rosi. Dhe sa për kuriozitet: një gol i Rosit ishte një shuplakë edhe për diktaturën dhe censurën.

Rosi u shndërrua në idhull në Botërorin e vitit 1982… Në Shqipëri si shiheshin ndeshjet e atij kompeticioni?

Kujtoj se Botërorin e ’82-shit e jepte “TVSH”, pasi kanalet e “RAI”-t ishin të mbyllura që nga viti 1973. Pas fitores së Italisë, aq më shumë me 6 golat e Paolo Rosit, neve na jepnin një kënaqësi edhe më të madhe sepse ishte edhe si një revoltë në heshtje ndaj sistemit. Pas fitores me Brazilin apo finales me Gjermaninë, në rrugët e Tiranës ka pasur entuziazëm që ishte e pamundur ta ndaloje.

“Qemal Stafa” ka qenë plot në atë miqësore… Çfarë domethënieje kishte ajo ndeshje për Shqipërinë që sapo kishte dalë nga trazirat e vitit 1997?

Ka qenë mbrëmje vjeshte, 30 tetor 2000, në mos gaboj. Hyrja ishte e lirë, vetëm tribuna qendrore me pagesë. Një stadium i mbushur si asnjëherë, pasi ishte koha që në mjedise të tilla mungonte spektatori. Jemi pas 1997-ës. Familjarë, gra, fëmijë, të gjithë në stadium për të parë Italinë ish-kampione bote e mbi të gjitha Paolo Rosin, për nga fama që kishte. Ka qenë një festë e jashtëzakonshme.

Rosi me Kombetaren shqiptareOVER 45

Është folur asokohe për një detaj të veçantë, kur Rosit i humbi çanta… E vërtetë është?

Po. E vërtetë. Befas u informuam se Paolo Rosit i kishte humbur çanta, jo se ia kishin marrë. Diku e kishte lënë. U krijua një shqetësim, por situatën e zgjidhi presidenti i “Adidas”-it, asokohe me një dyqan pranë Estradës, i solli një çantë me materiale sportive të reja, që e habitën Rosin.

Z. Zajmi, ndeshjen e arbitruat ju?

E kam pasur këtë fat. Është një ndër kujtimet e mia më të veçanta. Në atë kohë, punoja në FSHF dhe ne si dikaster, edhe me sekretarin Sulejman Starova, ndihmuam në organizimin dhe zhvillimin e takimit. Kujtoj edhe angazhimet e Mirian Hakanit, të Kostandin Shkurtit, që i sistemoi në hotel “Tirana” etj. Emocion i madh. Nga njëra anë Kombëtarja jonë me Ilir Përnaskën kapiten, nga krahu tjetër Paolo Rosi. Pjesën parë e drejtoi M. Konomi, një ish-arbitër, koleg, ndërsa të dytën unë. Ndeshja filloi diçka para orës 19:00 dhe mbaroi në 20:00. U luajtën 2 x 35 minuta. Kujtoj se kur fotografët para takimit po fiksonin fotot, Bardh Jera i tha Rosit të ulej në gjunjë, pranë tij. Dhe, ai iu përgjigj me shaka: “Çfarë gjuri, nuk më mbajnë”, aq të dëmtuar i kishte. Nga ndeshja me U-21, Shqipëri-Itali në 1984, vetëm Jera, Demollari ishin sërish pjesë e kësaj skuadre.

Pse u luajt me minutazh të reduktuar ndeshja?

Kur kishin mbetur edhe pak minuta lojë, i afrohem Rosit dhe i them: “Paolo, ndeshja do të luhet deri në 20:00”, dhe i tregoj orën, pra edhe pak takimi do të mbyllej. “Pse, si ka mundësi, – më pyeti i habitur. – Ne kur luajmë në shtete, vende të tjera, si në Brazil, takimi zgjat me orë që publiku të argëtohet, pse kaq shpejt?”…

Dhe cili ishte motivi?

Motivi? I thjeshtë fare… Në atë periudhë, në orën 20:00 ulej leva e energjisë elektrike për Tiranën, sepse ishte koha e krizës. Kush e kujton, e di mirë atë situatë të vështirë, por absurde për ndeshjen.

Si përfundoi ndeshja?

Ajo u mbyll në barazim pa gola. Paolo Rosi humbi një penallti në pjesën e parë, të cilën e priti Perlat Musta në të djathtë të tij nga porta jugore. Në përfundim u ekzekutuan penalltitë simbolike dhe fitoi Shqipëria 3-4. Nuk e kujtoj, e priti Kaçi apo doli topi jashtë, që humbën italianët.

Itali-Shqiperi Over 45 logo

Pati jehonë ndeshja në Itali?

Ishte revista e njohur “Guerin Sportivo” që i bëri jehonë ndeshjes, ndërsa shkruante: “Një entuziazëm i madh e ka përfshirë Tiranën për takimin midis ekipeve me lojtarë të famshëm të viteve ’80. Një ndeshje e zhvilluar në ‘Qemal Stafa’, ku luan edhe skuadra kombëtare e Shqipërisë.

Logo Rosi ne Shqiperi

I veçanti i përballjes dhe kapiteni i përfaqësueses “axurre” ka qenë Paolo Rosi, shumë popullor në Shqipëri. Ndeshja e zhvilluar me dy pjesë nga 35 minuta secila përfundoi 0-0 e me penallti kanë fituar 5-4 shqiptarët. Legjendari ‘Pablito’, me të cilin ishte realizuar edhe posteri i ndeshjes, këtë herë ishte personazhi ‘negativ’ i ndeshjes, pasi penalltinë e gjuajtur prej tij e priti portieri Perlat Musta. Një gabim që e bëri akoma më shumë simpatik te shqiptarët”.

A ishte kjo hera e parë që kishit një kontakt me një skuadër italiane?

Jo. Kam parë ndeshjen Shqipëri-Itali U21 në 1984. Erdhën këtu Mançini, Vinjola, Galderizi, trajneri Viçini. Por, edhe në Katania në 1993, kam ndjekur triangolaren Partizani-Italia ’82 dhe Katania. Në finale Partizani fitoi me penallti trofeun ndaj Italia ’82. Aty kam njohur De Sistin, Xhentilen, Dosenën, Altobelin.

A keni pasur më kontakte me Paolo Rosin pas asaj ndeshjeje?

Po. Madje, e kam shumë të veçantë këtë kujtim. Në qershor të këtij viti kam komunikuar me Poalo Rosin dhe e ruaj ende në “Whatsapp” mesazhin e tij. Një bashkëbisedim i gjatë, jo vetëm një herë. Nuk e dija që para një viti ishte diagnostikuar me sëmundjen e rëndë. Ka qenë një komunikim tejet entuziast, i paharruar. Më ka goditur një shprehje e thënë sot nga shtypi italian, pas vdekjes së tij. Lidhur me Botërorin “Spanjë ’82”: “Paolo Rosi i riktheu buzëqeshjen një populli, Italisë në kohën më të errët të saj, me vrasje nga ‘Brigate Rosse'”. Ai ishte një sportist i jashtëzakonshëm, por i tillë ishte edhe si njeri. Shumë human, komunikues, i respektueshëm, i sjellshëm.

Paolo Rosi

Z. Zajmi, përveç Paolo Rosit, a keni miqësi me figura të tjera sportive në Itali?

Ruaj miqësi dhe komunikoj edhe sot me shumë personalitete të medias, sportistë të njohur italianë, ndër ta ishte edhe Poalo Rosi apo Bepe Savoldi, Tardeli etj. Gjatë pandemisë, duke e pyetur për situatën, i dërgova Rosit disa foto të ndeshjes së Tiranës, të realizuar nga fotografi dhe miku ynë, Fredi Hazizllari.

A e kujtonte Tiranën? Çfarë mbante mend?

E kujtonte me nostalgji Tiranën, ndeshjen, mikpritjen. Një tjetër befasi për të ishte kur biseduam për dy librat e tij autobiografikë, që i kam në bibliotekë. Në veçanti i fundit, i publikuar një vit më parë, “Quanto dura un attimo”. Për kuriozitet po ju lexoj diçka nga çfarë më shkruante: “Kam një kujtim të bukur nga Tirana. Ishte një ndeshje që transmetonte emocione për ne, por edhe për ju, për t’i jetuar bashkërisht ato momente magjike që sjell futbolli, historia për ju edhe për ne. Jam i kënaqur që libri im lexohet te ju e kjo më bën të lumtur”.

OLSI TUAJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"