EKSKLUZIVE/ Gega e do në ekip, Kukësi i ofron rinovimin titullarit të rëndësishëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2022 | 14:34

EKSKLUZIVE/ Gega e do në ekip, Kukësi i ofron rinovimin titullarit të rëndësishëm

Te Kukësi ka ende një çështje për t’u zgjidhur, para se të nisë puna për afrimin e lojtarëve të rinj nga merkatoja. Bëhet fjalë për ata futbollistë që u ka mbaruar kontrata dhe që klubi dëshiron t’i mbajë ende në skuadër.

BRUNO LULAJ

Njëri prej tyre është edhe mbrojtësi Bruno Lulaj, i cili në fund të sezonit doli një lojtar i lirë dhe aktualisht nuk ka një marrëveshje për të vazhduar më tej.

Burime të gazetës pohojnë se trajneri Skënder Gega e do me çdo kusht në skuadër dhe e sheh një pikë referimi në mbrojtje, ndaj klubi i ka ofruar rinovimin e kontratës.

Mirëpo, 26-vjeçari ka në tavolinë edhe dy oferta të tjera, njëra prej të cilave jashtë vendit dhe për momentin ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë.

“Panorama Sport” mëson se brenda javës do të vendoset përfundimisht nëse Lulaj do të pranojë rinovimin apo do të vazhdojë karrierën diku tjetër.

Në të njëjtën situatë është edhe mbrojtësi tjetër, Redon Dragoshi, i cili gjithashtu ka dalë lojtar i lirë me përfundimin e kontratës.

Fakti që këtë sezon nuk ishte një titullar fiks në skuadër, ka bërë që të shohë të tjera oferta, por ardhja e Gegës pritet të ndryshojë shumë gjërat dhe 22-vjeçari mund të vazhdojë sërish aventurën me verilindorët.

Në listë ka ende lojtarë të tjerë që u ka mbaruar kontrata me mbylljen e sezonit, por burimet pranë klubit pohojnë se pjesës më të madhe i është ofruar rinovimi dhe ata që nuk ishin më në planet e tyre, u larguan në javët e fundit.

LARGIMET

Deri më tani nga Kukësi janë larguar zyrtarisht plot 9 lojtarë: Ardit Hila, Emiliano Musta, Pablo de Lukas, Filip Gligorov, Kristi Marku, Dashamir Xhika, Vitor Feizhao, Vasil Shkurtaj dhe Jorgo Pëllumbi, duke bërë praktikisht një formacion të tërë.

Megjithatë, pritet që këtë javë të qartësohet plotësisht se cilëve lojtarë klubi do t’u ofrojë rinovim dhe cilët do të mbyllin përfundimisht rrugët.

Nëse vazhdohet me ndryshimet e shumta, praktikisht Gega do të duhet ta ribëjë skuadrën nga e para dhe në Kukës e kanë të qartë se “revolucioni” çdo sezon shpeshherë ka rezultuar një dështim, siç ndodhi dy vitet e fundit.

MERKATO

Deri më tani Kukësi nuk ka bërë asnjë afrim në merkato dhe gjasat janë që për pak kohë të mos ketë prurje. Edhe pse janë lakuar disa emra ditët e fundit, të gjitha kanë qenë në kuadrin e dëshirave, sepse biseda konkrete nuk ka pasur.

Fakti që Kukësi nuk është pjesë e Europës, ka bërë që klubi t’i marrë gjërat me qetësi dhe të mendohet mirë para se të firmosin me ndonjë lojtar për të bërë goditjen e duhur.

Duke marrë shkas nga largimet e deritanishme, ekipit i duhen të paktën 7 afrime, në mënyrë që të ketë një grup të kompletuar.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"