EKSKLUZIVE/ “Gati ta rimarrim Dinamon”, Saliaj: Asgjë s’është realizuar nga projekti italian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2020 | 10:58

EKSKLUZIVE/ “Gati ta rimarrim Dinamon”, Saliaj: Asgjë s’është realizuar nga projekti italian

Për situatën e krijuar së fundi te skuadra e Dinamos, me largime lojtarësh dhe akuza për mospagesa, ka reaguar edhe Ismet Saliajt, i cili është ende administrator i klubit blu me dokumente.dinamoooo

Në një prononcim ekskluziv për gazetën “Panorama Sport”, Ismet Saliaj ka shpërthyer në deklaratat e tij kundër palës italiane, duke pretenduar se ajo nuk e ka respektuar marrëveshjen. “Jam njohur me problematikën e disa lojtarëve sot (dje), ndër të cilët është edhe një lojtar me shumë eksperiencë, si Erxhan Muça.

Jam vënë në dijeni për çdo aspekt këto muaj për ecurinë dhe mbarëvajtjen e klubit, që nuk ka qenë ajo çka ne kemi rënë dakord dhe na është premtuar. Në bazë të projektit që na është prezantuar, nuk është realizuar asgjë, rezultatet janë mjaft të dobëta, ka probleme të theksuara me pagesat e lojtarëve, mospagesa fushe e të tjera problematika që nuk do t’i dëshironim kurrsesi. Merkato e janarit lë shumë për të dëshiruar, kështu që na mbetet të thërrasim në takim zotërinjtë që ua kemi lënë ekipin në mirëbesim dhe më pas do të kemi edhe një qëndrim zyrtar për situatën.Ismet Saliaj

Një gjë ua them me bindje, Dinamo dhe tifozët e saj janë të shenjtë. Do të ndërhyjmë që Dinamo të qëndrojë në Kategorinë e Parë dhe nëse do të jetë e nevojshme, do ta marrim sërish drejtimin e skuadrës deri në qershor. Premtoj se do të përpiqem që nesër t’u mundësoj lojtarëve nga një rrogë mujore”, ka thënë Saliaj për gazetën.

Drejtuesit e mëparshëm të Dinamos hasën vështirësi të mëdha gjatë verës, çka u reflektua në fushë me fillimin e kampionatit, pasi ekipi ishte me djem të rinj. Më pas doli në skenë pala italiane dhe pas bisedimeve për një kohë të gjatë, u arrit një marrëveshje. Sipas drejtuesve të rinj italianë, kjo marrëveshje pritet të marrë formë zyrtare brenda 10 ditësh, sipas akordit të arritur në fillim. Këto janë llogaritë, nëse nuk do të ketë kthim prapa, pasi fjalët e Ismet Saliajt ngrenë dyshime.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"