EKSKLUZIVE/ Flamurtari humb një tjetër gjyq, ish-trajneri i merr 100 milionë lekë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 23:00

EKSKLUZIVE/ Flamurtari humb një tjetër gjyq, ish-trajneri i merr 100 milionë lekë (E PLOTË)

Flamurtari humb një tjetër gjyq. “Panorama Sport” zbulon se gjyqi më i fundit që Flamurtari ka humbur është me ish-trajnerin Stanislav Levi. Çeku ka hedhur në gjyq klubin dhe madje e ka fituar atë.

levi-ne-durres2

Edhe pse klubi nuk e bën publik një fakt të tillë, gjithçka tashmë është zyrtare. Ish-trajneri çek kërkon 6 paga nga janari deri në korrik së bashku dhe me kamatëvonesat. Por duke marrë parasysh edhe faktin se kishin kaluar 90 ditë pa u paguar, gjasat janë që Levi të përfitojë 10 muaj, shto këtu edhe kamatat. Shuma shkon afërsisht në 100 milionë lekë.

Trajneri çek e ka fituar tashmë gjyqin në FIFA dhe klubi vlonjat do të jetë i detyruar që të paguajë. Nuk dihet se si do të rrjedhin më tej gjërat, duke pasur parasysh faktin se si do të reagojë klubi. Kujtojmë se Stanislav Levi u largua nga Flamurtari pa komunikuar me drejtuesit, si pasojë e vonesës së pagave.

VskktkpTURBXy85M2QwYTU2NzlkODg1YWQ0YjNmZWM5OGViNGQ0YjhjNi5qcGeRkwIAzQHk

ÇFARË THA IDRIZI – Në vitin 2016, pak kohë kur trajneri Stanislav Levi u largua nga Flamurtari, administratori Sinan Idrizi tha se klubi vlonjat ishte në gjyq me ishtrajnerin çek, jo në FIFA, por në KAS, madje hodhi edhe akuza shumë të rënda për çekun e kuqezinjve. “E kemi hedhur në gjyq ish-trajnerin për prishje të imazhit. E mbani mend që Levi iku në fund të pjesës së parë, duke lënë ekipin në Kukës dhe u tha se u largova për arsye shëndetësore. Nuk ishte ajo arsyeja. Levi ishte i dehur. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dy herë të tjera. Për këtë ka edhe një raport mjekësor”, deklaroi atëherë Idrizi. Administratori e akuzoi Levin edhe për braktisje të detyrës. “Levin e akuzoj edhe për moskryerje të detyrës në fazën përgatitore në Slloveni. Ne e çuam për punë, ai shkoi për pushime, madje mori edhe familjen me vete”, thoshte dikur Idrizi. Atë kohë, Idrizi i cilësoi absurd dhe të pavend pretendimet e Levit për pagat. “Levi kërkon 6 paga, nga janari në korrik kur nuk ishte pjesë e ekipit. Është absurde. Ne e kemi paguar deri në dhjetor dhe nuk kemi më detyrim ndaj tij. Pasi iku, kërkoi të kthehej sërish, por unë nuk pranova. Kush ka ikur me polemika nuk ka shanse të kthehet te Flamurtari”, deklaronte asokohe Idrizi.

RASTI BUVAL – Edhe Bedi Buval fitoi gjyqin me Flamurtarin. Ish-sulmuesi francez hodhi në gjyq klubin dhe fitoi 60 mijë euro. Klubi ka nisur t’i paguajë Buvalit këtë detyrim. Pagesa do të bëhet me këste. Kësti i parë është paguar para pak ditëve, ndërsa është kaluar në llogarinë e lojtarit 40 për qind e shumës. Sinan Idrizi tha pak ditë më parë për gazetën se ka detyrimin ndaj lojtarit, por pagesa është vonuar për shkak se nuk po gjenin adresën dhe kontaktin e tij. “Ne e njohim detyrimin që kemi ndaj lojtarit. Gjatë kësaj kohe i kemi shkruar në adresat që kemi pasur për t’i kaluar detyrimin, por nuk kemi mundur të kontaktojmë me të. Tani që e gjetëm, para pak ditëve i kemi kaluar këstin e parë të shumës, duke likuiduar 40 për qind”, u shpreh Idrizi.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"