EKSKLUZIVE/ “Ferhan Hasani lider, Ibraimi bën diferencën”, Cuculi: Ja kush e vendos ndeshjen Kukësi-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 23:53

EKSKLUZIVE/ “Ferhan Hasani lider, Ibraimi bën diferencën”, Cuculi: Ja kush e vendos ndeshjen Kukësi-Partizani

Mund të quhet një sfidë derbi e futbollit shqiptar, si dhe tashmë, edhe dueli “mini-Shkëndija”. Kukësi-Partizani, takim që do të luhet në “Elbasan Arena” ditën e diel, pa diskutim që ka vëmendjen më të madhe të sportdashësve shqiptarë për këtë javë. Një sfidë që vë përballë shumë ish-shokë skuadre, si dhe mund të vendosë edhe fatet e sezonit për dy ekipet. Ardian Cuculi, ishmbrojtësi i Partizanit dhe Kukësit, ka folur për “Panorama Sport” sa i takon sfidës mes këtyre dy skuadrave, që vitet e fundit kanë luftuar gjithmonë për vendet e kreut. Cuculi e konsideroi si një prej sfidave më të rëndësishme në Shqipëri. Kush më mirë se ish-mbrojtësi i Kukësit dhe Partizanit mund të flasë për këtë sfidë, jo vetëm për faktin se ka mbrojtur të dyja fanellat, por ka luajtur me të gjithë ish-lojtarët e Shkëndijës që sot janë te verilindorët dhe tek të kuqtë.
cuculi
Në intervistën e tij, mbrojtësi i Dritës në Kosovë, pranoi se Partizani është më i avantazhuar, si dhe tregoi se cili lojtar është më i miri tek të dyja skuadrat. Nuk munguan elozhet për dy lojtarët më me emër në Shqipëri, si Agim Ibraimi dhe Ferhan Hasani, teksa për “Bubën”, tregoi dhe një histori të bukur gjatë kohës që luante te Brondbi në Danimarkë. Ndërsa për një parashikim të rezultatit, Cuculi nuk preferoi të vendosë pikat mbi “i”, duke thënë se kjo ndeshje, i ka brenda të tria rezultatet.

Si e shihni ndeshjen Kukësi-Partizani, duke pasur parasysh edhe lojtarët e shumtë që kanë ardhur nga një tjetër ish-ekip i juaji si Shkëndija?
Gjithmonë, Partizani dhe Kukësi është një derbi i madh në kampionatin shqiptar, pavarësisht se ku ndodhen dy skuadrat në renditje. Tani, janë dhe shumë lojtarë që dikur kanë qenë shokë skuadre. Pra, është një duel tepër delikat, por në fund të fitojë më i miri.

Ku mendoni se Kukësi është më mirë se Partizani dhe anasjelltas?
Në fazën ofensive, Kukësi ka bërë goxha mirë, kurse Partizani është më mirë në prapavijë. Në tërësi, duke i marrë në krahasim të dyja, do të thosha që Kukësi me gjithë ndryshimet e bëra në fillim të vitit, kanë ndikuar disi për keq, pasi nuk janë ende grup dhe në 100% të tyre. Ndërsa Partizani ka favorin më të madh që ka grupin e njëjtë, që e ka pasur 2-3 vite, plus që ka shtuar cilësinë dhe është përforcuar goxha mirë me lojtarë shumë cilësorë. Përparësia e Partizanit është te forca e grupit.
-800-0-superiore
Nëse do ketë një lojtar që do ta vendosë këtë sfidë individualisht, cili do të jetë?
Duke parë Kukësin, them se Ibraimi luan shumë rol të rëndësishëm dhe është lojtari kyç, ka bërë shumë gola dhe asiste për Kukësin. Cilësitë e tij dihen, dhe jo më kot në është në krye të Superiores sa i takon golave të shënuar. Ndoshta dhe Limaj mund të bëjë diferencën, por dhe Eze është i rrezikshëm. Ndërsa te Partizani, Asani i vogël (Jasiri) dhe Ferhan Hasani, janë problemet më të mëdha për Kukësin. Mos të harrojmë dhe Bardhin. Këta lojtarë, mund të vendosin sfidën individualisht.

Keni luajtur për shumë vite te Shkëndija, në etapa të ndryshme. Mund të na thoni një ndryshim mes kushteve të Shkëndijës dhe ekipeve shqiptare?

Vala e stërvitjes është gati e njëjtë. I vetmi ndryshim është se te Shkëndija, aspekti organizativ është më i theksuar se në klubet shqiptare, pasi ka fushën e vet, fushën për stërvitje, fitnesin, të gjitha bashkë. Në këtë pjesë, janë disi më mirë. Ndërsa në aspektin taktikofizik, ndryshimet janë të vogla, pasi në çdo ekip profesionist, punohet mirë.

Keni luajtur me të gjithë ish-lojtarët e Shkëndijës që sot janë te Partizani dhe Kukësi. I njihni shumë mirë, çfarë mund të na thoni më shumë?

Me Agim Ibraimin, kam luajtur te kombëtarja e Maqedonisë. Me Gjelbrim Taipin, kam luajtur 1 sezon e gjysmë apo 2 te Shkëndija. Me Zhuniorin dhe “Bubën”, po e po, kemi luajtur për një kohë të gjatë së bashku. Me Hasanin kam luajtur shumë më gjatë dhe jam më i afërt. Sa i takon seriozitetit dhe profesionalizmit, të gjithë janë të shkëlqyer. Ndërsa në aspektin individual dhe të cilësive, mund të veçoj Hasanin. “Buba” është lojtar që bën diferencën dhe që ka cilësi të jashtëzakonshme, por nuk dua të anashkaloj dhe Ibraimin, që me fanellën e Maqedonisë, padiskutim që ishte ndër më të mirët. Gjithsesi, mund të zgjedh Hasanin, pasi kam luajtur shumë më të dhe e njoh më mirë.

Cuculi5

Diçka më shumë për Ferhan Hasanin, pasi e njihni më mirë se të tjerët?

Hasani është pa diskutim një lider, gjithmonë ka qenë, kudo ku ka luajtur. Edhe kur ishte te Helsinki, ishte një ndër lojtarët kryesorë dhe ishte absolutisht lider në fushë. Duke e ndjekur nga TV dhe duke e njohur mirë, e kam kuptuar dhe më shumë se ai ishte me të vërtetë lideri i skuadrës. Edhe te Brondbi në Danimarkë, ishte një ndër 2 apo 3 lojtarët më të rëndësishëm, ndërsa për tifozët, ishte më i dashuri. Madje, dua t’ju tregoj edhe një detaj që më ka pëlqyer shumë. Kur isha në Danimarkë për të ndjekur një ndeshje të “Bubës”, isha në tribunë dhe kur lojtarët po zbrisnin në fushë, tifozëria e Brondbit shpalosi një banderolë të madhe me foton e Hasanit. Ishte diçka që më habiti shumë dhe që më pëlqeu.

Nëse Cuculi do e kishte mundësinë që vetëm për këtë ndeshje të zgjidhte një prej fanellave, kë do të zgjidhte, të Kukësit apo të Partizanit?

(Qesh) Më ke zënë pak ngushtë, por dua të jap një përgjigje jo-diplomatike, por shumë të sinqertë. Do doja të vishja dhe një herë fanellën e Partizanit, që të luaja sërish me Ferhan Hasanin, por duke parë momentin e Kukësit, do të zgjidhja fanellën e tyre, pasi kanë pasur disa luhatje në prapavijë.

Si e parashikoni rezultatin e Kukësi-Partizani dhe cili futbollist do ta vendosë takimin?

Nuk e di, ndikojnë dhe kushtet atmosferike. Nuk mund të bëj një parashikim, i ka të tria rezultatet. Është ndeshje derbi dhe prandaj janë të tria rezultatet në lojë.

Në rast se fiton Kukësi, a rikthehet në garë për titullin kampion?

Unë mendoj se jo. Edhe nëse fiton kundër Partizanit, nuk e shoh në garën për titullin kampion.

Po në rast se fiton Partizani, a e afron edhe më shumë me titullin kampion?

Pa diskutim që po. Madje, Partizani edhe nëse e humb takimin, është ende kandidat për fitimin e titullit. Partizani i ka të gjitha elementet për titull. Gjithsesi, nuk mendoj se ky Partizan është ndërtuar për titull 100% që këtë sezon, por për vitin tjetër, do të tentojnë me çdo kusht fitimin e titullit.

VERONIK ISTREFAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"