EKSKLUZIVE/ Ernest Gjoka “driblon” thumbat e Kolës: Agustini bën mirë që flet, duhet dëgjuar!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 22:45

EKSKLUZIVE/ Ernest Gjoka “driblon” thumbat e Kolës: Agustini bën mirë që flet, duhet dëgjuar!

Kur flet një legjendë, ka vend që të mbahen shënime. Të tilla ishin edhe shumë prej citimeve që përmendi Agusitn Kola në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në numrin e datës 22 gusht. Ish-legjenda e Kombëtares dhe Tiranës etiketoi jo pak edhe dy trajnerë kampionë në vendin tonë: Ernest Gjokën dhe Mirel Josën. Duke ruajtur etikën e një trajneri kampion, por edhe respektin për një ikonë dhe legjendë të futbollit shqiptar, Gjoka e analizon në tërësi problematikën e futbollit shqiptar, pa dashur që të replikojë personalisht me Kolën.

Gjoka

Kola shprehet se trajnerët në Shqipëri janë të tillë që edhe fitojnë titullin, por edhe bien nga kategoria…

Në çdo punë, si për suksesin edhe për dështimin, gjithçka është e barasvlershme me grupin. Grupi është një i ingranazh që funksionon, ose në mënyrë të suksesshme, ose të pasuksesshme. Nëse ky ingranazh do të funksionoje me përputhje të plotë që nga presidenti tek institucioni i klubit, te stafi, te skuadra, atëherë rrugëtimi do të shkojë drejt suksesit. Nëse jo, atëherë nuk do të ketë sukses dhe për të mos përmendur fjalën dështim si një fjalë të madhe, do të kesh mosarritje të objektivave. Jo vetëm në futboll, por kështu funksionon edhe familja, edhe një ndërmarrje biznesi, shteti dhe çdo gjë është në bazë të një ingranazhi. Askush nuk mund të thotë se për diçka të suksesshme ishte i vetëm dhe askush nuk mund të akuzohet për një mosarritje apo dështim si ‘koka e tij’. Janë shumë faktorë.

Në fakt, etiketimi i tij është për ju dhe Mirel Josën…

Agustini është një nga figurat e futbollit shqiptar dhe bën mirë që flet. Sa herë që flet Agustini, duhet ta dëgjojmë me vëmendje, sepse ka bërë shumë gola të bukur në jetën e vet sportive.

Çfarë ndodh me futbollin shqiptar, që krijon dy skaje të tilla?

Për të folur për futbollin shqiptar, më duhet të them që përderisa nuk ka kaluar tërësisht drejt privatit, atëherë do të ketë amulli dhe probleme. Kjo për faktin se nëse futbolli do të jetë i gjithi i privatit, apo i një grupi njerëzish që do e kenë të tyren një skuadër futbolli, gjërat do të ndryshojnë tërësisht. Sepse privati kërkon që në biznesin e tij të mos ketë humbje, por vetëm fitim. E në këtë mënyrë, për të qenë i suksesshëm, do të bësh çdo gjë nevojitet për të arritur drejt tij. Po të shohësh, skuadrat që gjithmonë kanë rrezikuar në futbollin shqiptar janë kryesisht ato të bashkive.

A ka një përgjigje pse ndodh kjo?

Sepse përgjegjësia është shumë e madhe dhe gjithmonë anashkalohet. Sipas meje, ky është një nga problemet kyç të futbollit shqiptar.

Ky ka qenë problemi që dy emra si Tirana dhe Vllaznia ranë?

Nuk kam dëshirë që t’i hyj kësaj historie, pasi mendoj se jeni ju mediat që duhet ta shikoni historinë e çdo gjëje, në të paktën gjashtë vitet e fundit, për të nxjerrë edhe konkluzionet. Ne shkojmë në punë për ta bërë siç duhet sepse askush nuk do që të dështojë në punën e tij. Të gjithë duan të bëhen të suksesshëm, gjë e cila në një moment mund të arrihet dhe në një tjetër jo. Por, fajin dhe meritën nuk e ka një individ, pasi ndahet gjithmonë në pjesë të barabarta.

Në Superiore këtë sezon, tetë prej trajnerëve janë shqiptarë…

Unë mendoj se është diçka e mirë kjo. Në dhjetë vitet e fundit, cili trajner i huaj ka dalë kampion dhe cili ka shkuar në Europa Ligë me ekipet shqiptare? Askush! Futbolli kërkon patjetër një trofe apo një vend në Europa Ligë për të shpëtuar financat duke qenë se është një nga burimet më të mira për të rikthyer harxhimet e një sezoni. Kur trajnerët vendës janë më të suksesshëm se të huajt, atëherë pse të mos jenë shqiptarët dominantë në ekipet tona?! Mendoj se është zgjedhje shumë e mirë. Ju garantoj se trajnerët shqiptarë e kanë rritur shumë trajningun dhe nuk kanë asgjë mangët sesa kolegët e tyre. Thjesht çështje pasaporte.

Agustin Kola e kritikon futbollin shqiptar edhe në këtë aspekt, pasi sipas tij “nuk mund të ketë futboll me vetëm dy orë stërvitje”…

Absolutisht që një skuadër futbolli ta bësh sa më të suksesshme, përgatitja është baza. Por që të themi vetëm përgatitja e stërvitjes nuk mund të thuhet, pasi nevojitet përgatitja fizike, psikologjike, është ushqimi, është qendra e ekipeve, regjimi etj. Sa u përket qendrave, ne i kemi mangët me përjashtim të Skënderbeut dhe Partizanit që kanë hotelin e tyre në dispozicion të grumbullimeve. Për sa kohë të mos ketë kushte të tilla, do të jemi mes futbollit profesionist dhe amator.

Olsi Tujani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"