EKSKLUZIVE/ “Egbo është trajner portierësh”, Starova: Ja pse duhet një ekspert për Tiranën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2020 | 22:51

EKSKLUZIVE/ “Egbo është trajner portierësh”, Starova: Ja pse duhet një ekspert për Tiranën (E PLOTË)

“Unë mendoj se Tirana do të kërkojë trajner tjetër pas përfundimit të sezonit. Egbo po bën një punë shumë të mirë, por gjithsesi mbetet një trajner portierësh. Shumë i zoti edhe në atë fushë’, pat thënë Starova dy javë më parë në emisionin “Pressing” në ABC News. Deklaratë që më pas u komentua edhe në studio të tjera, aq sa pas një “tjerrjeje” të vazhdueshme e detyroi klubin e Tiranës të dalë me një qëndrim kritik, ndonëse pa e përmendur “Bobin”.

Starova

Ish-trajneri kampion i bardhebluve nuk është nga ata që tërhiqet për qëndrimet publike që mban, por saktëson se nuk kishte tendencë që të ulte punën e Emanuel Egbosë dhe aq më pak të mos ketë vlerësim ndaj një kolegu të tij, kushdo qoftë.

“Unë vazhdoj t’i qëndroj besnik mendimit se Tiranës i duhet një trajner ekspert në të ardhmen. Por kjo nuk do të thotë se Egbo nuk po bën një punë të lavdërueshme. Ai ka punuar shumë mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë”, thotë Starova për “Panorama Sport”.

Starova, ç’mendim keni ju për Egbonë?

Ka punuar shumë mirë. Më duket njeri serioz dhe ishte zgjidhja më e pranueshme pas largimit të Memës dhe Ahmatajt.

Por ju ama mendoni se Tiranës i duhet trajner tjetër, pasi të përfundojë sezoni…

Po, pikërisht kështu.
egbo

Pse nuk mund të vazhdojë Egbo trajner i parë?

Nuk kam thënë që nuk mund të vazhdojë, aq më tepër që nuk e vendos unë. Por mendimi im është ky pra, që Egbo është trajner portierësh.

Pse, nëse je trajner portierësh, nuk mund të bëhesh trajner i parë?

Shikoni, unë vazhdoj t’i qëndroj besnik mendimit se Tiranës i duhet një trajner ekspert në të ardhmen, por kjo nuk do të thotë se Egbo nuk po bën një punë të lavdërueshme. Ai ka punuar shumë mirë dhe rezultatet e tregojnë këtë.

Dakord, por kjo nuk i ka pëlqyer shumë klubit të Tiranës, madje ka pasur edhe një komunikatë për këtë?

Nuk kam ndërmend që të hyj në polemika. Kam një jetë në futboll dhe kurrë nuk kam nënvlerësuar kolegët. Përkundrazi, gjithnjë kam vlerësuar punën e tyre. Por kjo nuk më pengon mua të them mendimin tim.

Madje për saktësim, kur kam thënë se Tiranës i duhet një trajner ekspert, pra një trajner karriere, nuk e thashë se kisha ndonjë informacion nga klubi i Tiranës. Thjesht shpreha mendimin tim. Unë jam specialist futbolli dhe askush nuk më heq të drejtën të them atë që mendoj. Brenda etikës sigurisht.

Pse i duhet patjetër Tiranës një trajner karriere në të ardhmen, ndërkohë që Egbo po thyen rekorde?

Sepse Egbo është i specializuar për të qenë trajner portierësh. Është i zoti në punën që bën dhe është një profesion shumë i vlerësuar.

Por mendimi im është që në të ardhmen i duhet një trajner me më shumë eksperiencë si trajner i parë. Tirana është një klub i madh, që kërkon shumë dhe është e rrethuar edhe nga një presion që pak klube e kanë. Por ky është mendimi im. Drejtuesit e klubit i dinë vetë punët e tyre, unë nuk kam ndërhyrë dhe as ndërhyj. Thjesht jap mendimin tim, si shumë të tjerë.

Ju keni punuar ndonjëherë me Egbonë?

Jo, jo, kur unë kam drejtuar Tiranën, Egbo ishte trajner portierësh te Bylisi. Nuk kemi punuar asnjëherë bashkë.

Si ju duket kampionati shqiptar pas rifillimit?

Më duket mirë. Tirana praktikisht e ka siguruar kampionatin. Pas humbjes së Kukësit në Laç, më duket se gjithçka ka përfunduar në këtë aspekt.

A është një triumf i merituar për Tiranën?

Padyshim që po. Përfitoi nga rënia e Partizanit, Kukësi gjithashtu pati shumë luhatje. Por fundja është skuadra që ka investuar më shumë. Është logjike kjo që ndodhi.

Që do të thotë?

U pa që në verën e shkuar se me investimet që po bënte Tirana do të ishte një skuadër pretendente. Afroi lojtarë shumë të mirë dhe unë këtë quaj investim. Ka një ekip të kompletuar dhe me lojtarë ekspertë. Përfitoi edhe nga ndalesat e rivalëve dhe sot praktikisht ka siguruar titullin. Mendoj se e kanë merituar plotësisht. Tani me të ardhurat edhe nga pjesëmarrja në Europë rregullojnë ndjeshëm bilancet financiare dhe fitojnë terren ndaj të tjerëve. Do jenë akoma më të fuqishëm.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"