EKSKLUZIVE/ Dy stadiume të reja për futbollin shqiptar, Partizani kundër FSHF-së: Po ndihmohen klube me 5-10 vite histori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2020 | 0:20

EKSKLUZIVE/ Dy stadiume të reja për futbollin shqiptar, Partizani kundër FSHF-së: Po ndihmohen klube me 5-10 vite histori

Ndërtimi i stadiumit të Kukësit dhe kompleksi i ri i Partizanit janë dy nga veprat e hapura në futbollin shqiptar. Bëhet fjalë për dy investime të ndryshme, pasi ndërtimi i shtëpisë së Partizanit është një investim i gjithi privat, ndërsa ai i Kukësit një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe FSHF-së.

super-kupa-partizani-kampion

Partizani, një klub me histori shumë herë më të madhe se Kukësi dhe me mbështetje tifozësh në mbarë vendin, është konsideruar si i “njerkës” nga FSHF, sa u përket investimeve në infrastrukturë. Ndonëse janë të anashkaluar prej kohësh, ajo që i ka “acaruar” më shumë të kuqtë në këto momente të vështira, është vendimi i federatës, që 3.2 milionë euro, nga 4.3 milionë që dha UEFA si ndihmë për FSHF-në përmes projektit “HatTrick”, do të shkojnë për ndërtimin e stadiumit të Kukësit. Partizani nuk përfiton asgjë, edhe pse ka një kantier të hapur.

Sa i përket këtij vendimi të fundit të FSHF-së, “Panorama Sport” kontaktoi me klubin e kuq për të marrë një mendim në lidhje me mënyrën se si federata po e trajton fondin e fundit të akorduar nga UEFA. Pyetjes se a është normale që Kukësi përfiton 3.2 milionë euro për ndërtimin e stadiumit dhe Partizani nuk përmendet fare, sekretari i përgjithshëm i klubit kryeqytetas, Gerald Burba, për “Panorama Sport” u përgjigj:

gerald-burba-470x458

“A është normale që të akordohen kaq shume fonde për një stadium në Kukës dhe të mos jepet asnjë lek për një klub që ka bërë historinë e futbollit shqiptar, patjetër që nuk është. Ose a është normale që disa klube, kryesisht provincash, që historinë e tyre e kanë bërë vetëm këto 5-10 vitet e fundit, të trajtohen në mënyrë preferenciale dhe ato që kanë histori, traditë e tifozë më të shumtë në vend, jo vetëm të mos ndihmohen, por dhe shpesh të rëndohen përmes formave të ndryshme, sigurisht që nuk është normale”.

Gazeta u interesua se a ka paraqitur Partizani ndonjë projekt për financim në FSHF dhe a kanë marrë ndonjë ndihmë ndër vite, sekretari Burba u përgjigj: “Sigurisht, që në fillim kur kemi paraqitur planin e ndërtimit të kompleksit të ri e kemi dorëzuar projektin edhe në FSHF dhe prej katër vitesh që nga ai moment, zero ka qenë shuma e dhënë nga federata për Partizanin për shtëpinë e re”.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"