EKSKLUZIVE/ “Duhen 4 afrime”, Gvozdenoviç e nis direkt me kërkesa te Skënderbeu dhe projekton ndryshime në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2022 | 14:28

EKSKLUZIVE/ “Duhen 4 afrime”, Gvozdenoviç e nis direkt me kërkesa te Skënderbeu dhe projekton ndryshime në merkato

Ivan Gvozdenoviç vjen menjëherë me ndry shime te Skënderbeu. Pasi është njohur me grupin e lojtarëve dhe ka zhvilluar seancat e para stërvitore, ka krijuar bindjen se ekipi ka nevojë për përforcime.

GVOZDENOVIC

Burime të sigurta pranë trajnerit, zbulojnë për gazetën “Panorama Sport” kërkesën që i ka bërë Ardjan Takaj. Ai ia ka bërë të qartë presidentit se pret 3-4 afrime në merkaton e janarit.

Duke forcuar më shumë organikën, mund të arrihet edhe objektivi që klubi ka.

44-vjeçari është i mendimit që korçarëve u duhen përforcime në mbrojtje dhe mesfushë, pasi ka hasur direkt brishtësi te këto reparte.

Për të rritur alternativat cilësore dhe efikasitetin në lojë, ndërhyrjet janë domosdoshmëri.

Porta dhe sulmi mund të quhen të kompletuara deri më tani, madje vija e parë ka mbingarkesë.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë prej lojtarëve aktualë të ekipit të largohet nga Korça, nëse Ivan Gvozdenoviç nuk do të jetë i kënaqur nga rendimenti i tyre.

E thënë “troç” 4 ndeshjet e mbetura të kësaj faze, do të jenë vendimtare për të qartësuar edhe më shumë idetë.

FJALIMI – Që në ditën e parë që “zbarkoi” në fushë, Ivan Gvozdenoviç u mundua që të injektonte mentalitetin e tij: atë të fituesit. Jo më kot edhe vetë presidenti e përmendi se ka marrë një kampion në stol (tre tituj i ka vetëm si lojtar me Skënderbeun).

Gjatë një fjalimi që mbajti para lojtarëve, ai thoshte:

“Unë jam këtu për të dhënë maksimumin dhe për të marrë më të mirën nga ky ekip.

Vij në familjen time dhe për këtë fakt nuk do të toleroj asnjë mungesë korrektësie karshi kësaj steme dhe këtij klubi. Kjo fanellë që ju të gjithë mbani veshur, peshon.

Është një markë e rëndësishme në Shqipëri. Prandaj duhet dëshirë, pasion dhe mbi të gjitha angazhim për ta mbajtur veshur. Skënderbeu nuk mund të jetë në këtë nivel, meriton shumë më shumë.

Bashkë do të punojmë fort dhe mua më keni në krahun tuaj për të marrë më të mirën.

Dua që të fusni në kokë mentalitetin e fituesit.

Skënderbeu nga sot do të hyjë në fushë vetëm për fitore, qoftë në shtëpi apo në transfertë. Kjo është pak, por e sigurt”.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"