EKSKLUZIVE/ Titullarin e Partizanit e do Ferencvaroshi, nisin bisedimet për “xhevahirin” e të kuqve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2022 | 20:42

EKSKLUZIVE/ Titullarin e Partizanit e do Ferencvaroshi, nisin bisedimet për “xhevahirin” e të kuqve

Arinaldo Rrapaj është një nga “xhevahirët” e Partizanit.

rrapaj 1

Mesfushori erdhi në verën e shkuar nga Skënderbeu në këmbim të 50 mijë eurove dhe që në sezonin e parë ka arritur ta justifikojë tërësisht këtë shifër, madje në këtë verë ka shansin ta shumëfishojë, përmes shitjes.

7 gola dhe 1 asist, si dhe paraqitje të vazhdueshme në nivel të lartë e bëjnë vlonjatin një shënjestër të klubeve të ndryshme europiane.

20-vjeçari ka kontratë me Partizanin deri në verën e vitit 2024, me opsionin për të rinovuar edhe një tjetër sezon, por ai mund të largohet që në këtë verë.

E ardhmja e Rrapajt pritet të jetë jashtë Shqipërisë dhe shanset më të mëdha janë që i riu të luajë në Hungari, ku falë Uzunit, ka shumë besim te prodhimi i futbollit shqiptar.

Ferencvaroshi është një nga klubet e interesuara për Rrapajn.

Skautë të gjigantëve hungarezë kanë ardhur gjatë sezonit për të ndjekur ndeshjet e të riut dhe nga ajo që gazeta ka arritur të mësojë, ata e kanë pëlqyer profilin e të riut dhe janë gati të lëvizin për të siguruar shërbimet e tij.

Kontrata me lojtarin nuk do të ishte aspak problem, por Partizani mund të bëhet pengesë për shkak të kontratës afatgjatë që Rrapaj ka firmosur.

Gjithsesi, te “demat” janë të gatshëm të negociojnë për një çmim të arsyeshëm, që do t’i siguronte klubit të ardhura të konsiderueshme për të përballuar sezonin e ri apo për të transferuar lojtarë të tjerë me emër.

Vlera e Rrapajt, sipas “Transfermarkt”, është 400 mijë euro, por te Partizani do të ishin të gatshëm ta lironin për një shifër, që u afrohet 300 mijë eurove dhe të mbanin një përqindje të kartonit të të riut.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"