EKSKLUZIVE/ Dosja “Skënderbeu”, juristi Eno Bushi: Jashtëzakonisht e vështirë, gjejnë mundësi vetëm nëse… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2021 | 23:33

EKSKLUZIVE/ Dosja “Skënderbeu”, juristi Eno Bushi: Jashtëzakonisht e vështirë, gjejnë mundësi vetëm nëse… (E PLOTË)

Mundësia që Skënderbeu të rinisë një betejë ligjore nga e para mbetet e hapur. Kjo, pasi vetë klubi është ende në pritje të vendimit që do të marrë gjykata e Zvicrës për Ridvan Boden dhe një biznesmen shqiptar. Ish-ministri i Financave dhe biznesmeni kanë bërë padi ndaj dy ish-inspektorëve që hartuan raportin e Skënderbeut, me pretendimin se janë përmendur dhe janë akuzuar me pa të drejtë si njerëz të implikuar në trukime ndeshjesh.

7B8BB584-77D8-4311-B6C5-5CA6D3E4DF2F

Për këtë, Bode pretendon dëmshpërblim dhe ndëshkim për prishjen e imazhit. Më 26 janar të këtij viti Bode dhe një biznesmen shqiptar (nuk është raportuar emri nga mediat zvicerane) kanë bërë një kallëzim për shpifje dhe cenim të imazhit ndaj dy ish-inspektorëve të UEFA-s, Karl Dhont dhe Migel Lietard.

Nëse Bode e fiton gjyqin, kjo mund të shërbejë si precedent për Skënderbeun që të kërkojë që të rishikohet çështja. Po a është kaq e lehtë? A ekzistojnë mundësitë që kjo të realizohet? Duket e vështirë, por jo e pamundur. “Panorama Sport” kontaktoi me juristin e njohur, Eno Bushi, ish-kryetar i Komisionit të Disiplinës në FSHF. Arsyeja është e qartë: është një jurist që njeh me detaje edhe rregulloret sportive.

Bushi pohon se çështja është e komplikuar dhe duhen shumë elementë që Skënderbeu të mund të përfitojë nëse Bode ia del mbanë në betejën ligjore që ka nisur me dy ish- inspektorët e UEFA-s në Zvicër.

VËSHTIRËSIA PËR SKËNDERBEUN….

“Me aq sa unë arrij të kuptoj nga raportimet për këtë çështje, kemi të bëjmë me një padi për shpifje nga ana e zotit Bode, por jo për elementin sportiv, – thotë Eno Bushi për gazetën. – Pra, jemi në një situatë ku Bode pretendon se, duke qenë se i është përmendur emri në raportin e UEFA-s për dënimin e Skënderbeut, ai i konsideron ato si shpifje. Mirëpo, nuk mund ta themi me siguri se kjo prek çështjen e Skënderbeut. Në një çështje të tillë, që nuk është penale, por edhe sikur të ishte, duke parë pretendimet e Bodes, atëherë gjykata merret vetëm me elementin: ka shpifje ose nuk ka. Sërish nuk mund të themi se do të merreshin me elementin e klubit. A mund të hapet një spirale për Skënderbeun? Në teori them jo, por nëse do të ketë elementë të tjerë shtesë, që shqyrtohen, duhet parë. Nuk duhet të harrojmë se çështja e Skënderbeut nuk kaloi asnjëherë penalisht dhe natyrisht s’do ketë të dhëna në këtë aspekt”, ka deklaruar fillimisht juristi i njohur.

E MEGJITHATË KA SHPRESË… Megjithatë, kurrë mos thuaj kurrë dhe një ekspert si Eno Bushi nuk e përjashton as mundësinë që të hapen skenarë të rinj, por sipas tij fillimisht duhet të kemi të bëjmë me një kallëzim penal dhe jo padi civile. “Teorikisht, nëse flasim për shpifjen dhe rastin e Bodes në raportin e hartuar nga dy inspektorët e UEFA-s, kjo është një histori që ka lidhje vetëm me personin në parim. Po nëse ka ndonjë element të ri që mund të dalë pas kësaj dhe që mund të jetë vërtetë element i rëndësishëm, edhe pse e shoh shumë vështirë, atëherë do të ishte mirë të ndodhte. Nëse e marrim të mirëqenë faktin se është bërë kallëzim penal ndaj atyre që kanë bërë raportin, atëherë po, mund të themi se është një çështje që i intereson drejtpërdrejt Skënderbeut. Kjo duhet sqaruar, sepse gjithmonë kallëzimi është penalja, ndërsa padia është civile. Për një thënie që është shpifje në parim shkon në civile dhe kërkohet dëmshpërblim. Në këtë situatë duhet të kuptojmë diçka, që çështja e Skënderbeut është hetuar dhe gjykuar nga të gjitha nivelet sportive. Vendimi për klubin është bërë definitiv, pra nuk ka më ku të shqyrtohet”, ka deklaruar Bushi.

SHANSET PËR RISHIKIM PROCESI

Ajo që lë të kuptohet Eno Bushi është që nëse kemi të bëjmë me kallëzim penal ndaj dy ish-inspektorëve të UEFA- s dhe nëse Bode ia del të fitojë në gjykatat e Zvicrës, atëherë duhet patjetër që gjatë këtij procesi të dalin, apo të zbardhen detaje të tjera që mund të komprometojnë gjithë raportin e hartuar për Skënderbeun.

skenderbeu uefa

Ai e konsideron të vështirë edhe këtë variant dhe sqaron se ndoshta do të kishim pasur një situatë tjetër nëse Skënderbeu, krahas procesit sportiv që u zhvillua në disa shkallë, të kishte bërë vetë edhe një kallëzim penal. “Sigurisht, rishikimi njihet nga kodi i drejtësisë sportive, por ky është vetëm një element. Në rastin konkret, UEFA apo organet e tjera, nuk e kanë ndjekur penalisht çështjen e Skënderbeut në juridiksionin gjyqësor, qoftë në vendin tonë apo diku tjetër. Këtë linjë nuk e ka ndjekur as Skënderbeu si klub, por gjithmonë u janë referuar drejtësisë sportive.

Nga procesi që ka hapur Bode, mund të nxjerrin të dhëna në varësi të gjërave që dalin. Tashmë janë të detyruar ta provojnë pse e kanë përmendur Boden në raport, por nëse kjo nuk ekziston, atëherë mund të ketë një shpresë për rishikim. Por, në raport nuk është vetëm Ridvani. Ata mund të thonë: na fal se të kemi përmendur emrin, por mbetën këta të tjerët. Është diçka e koklavitur dhe me këtë lloj padie që është bërë, nuk besoj se do të ketë ndonjë element. Ishalla ka dhe këtë shpresojmë, por si jurist, duke parë llojin e gjykimit, më duket jashtëzakonisht e vështirë”, përfundoi Bushi, që prej dy dekadash është pjesë e komisioneve juridike të FSHF-së.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"