EKSKLUZIVE/ Derbi i kryeqytetit, Ngo: Mund të rikthehem tek Tirana, ja cila skuadër është favorite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2021 | 13:39

EKSKLUZIVE/ Derbi i kryeqytetit, Ngo: Mund të rikthehem tek Tirana, ja cila skuadër është favorite

Majkëll Ngo ishte një nga elementet që formësuan pazëllin fitues të Tiranës me titullin e 25-të zyrtar. Sulmuesi anglez, i cili ka realizuar 25 gola dhe dhuruar 24 asiste me bardheblutë, analizon sipas mënyrës së tij se çfarë nuk është bërë mirë në krahasim me vjet. 28-vjeçari, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, përgjigjet me nënkuptime kur pyetet për një rikthim të mundshëm, por se nuk e mohon si mundësi.

majkell ngo

Ngo, si ka qenë ky sezon për ju dhe sa i kënaqur jeni me çfarë keni bërë deri më tani?

Ka qenë i qetë dhe gjërat kanë shkuar mirë. Kam qenë gjithmonë duke dhënë më të mirën time për të ndihmuar skuadrën, e cila nuk është më e mira e kampionatit. Sidoqoftë, ky është një stacion në karrierën time.

Pse mendoni se nuk keni pasur të njëjtin shkëlqim dhe statistika si me Tiranën vitin e shkuar?

Ka një diferencë mes dy klubeve. Tirana është skuadra më e madhe dhe më e titulluar në Shqipëri, ndërsa Paralimini këtu ku jam, nuk është në të njëjtin nivel, pra klubi më i madh qipriot. Megjithatë, kam bindjen se mund të bëhet i tillë.

Majkëll, a do të riktheheshit sërish te Tirana nga një ofertë prej saj?

Me siguri…

Ku mendoni se ka gabuar Tirana këtë sezon, ndryshe nga vjet, që nuk është mes pretendenteve kryesore për titullin?

Unë mendoj që një skuadër e cila shpallet kampione, sezonin pasardhës supozohet të ndërtohet mbi baza të sigurta dhe jo mbi pasiguri.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Në momentin që klubi la të largoheshin pjesët kryesore të punës dhe suksesit, aty mendoj se është momenti që ata pësuan rënie.

I referoheni vetëm mosrinovimit tuaj?

Jo, ka disa të tillë. Ishte trajneri Egbo, drejtori Arbi Laçi, menaxheri Mario Nikolli, unë, Albi Doka etj.

Luhet derbi nesër (sot). Cili ekip mendoni se do të fitojë?

Nuk dihet. S’e parashikon dot një ndeshje derbi. Ndoshta barazim apo edhe një fitore e mundshme e Partizanit.

Pse mendoni se mund të fitojë Partizani?

Ndoshta fiton edhe Tirana. Jua thashë që nuk mund të parashikosh një derbi, pasi mund të rrjedhë ndeshja në cilindo mënyrë.

Cili është momenti më i bukur që kujtoni nga përballjet me Partizanin?

Sigurisht që fitorja 5 me 1 sezonin e shkuar dhe normalisht ai gol i Ernest Muçit për ta përmbyllur derbin. Ishte diçka spektakolare.

Cili ka qenë mbrojtësi më i vështirë për t’u kaluar nga Partizani?

Kanë qenë të dy mbrojtës të mirë, edhe Belica edhe Bitri. Ndoshta do të vlerësoja më tepër numrin 2 (Belicën).

Ngo, çfarë diferencash ka nga jeta në Tiranë te kjo aktualisht në Qipro?

Moti. Është shumë ngrohtë këtu. Jo vetëm kaq, por edhe kampionati është shumë më mirë këtu sesa në Shqipëri.

Çfarë ka më mirë?

Po ju them diçka tjetër që në Shqipëri njerëzit janë më të mirë.

Ngo, sipas jush, cili është më pranë titullit këtë vit?

Partizani, sepse janë në një pozitë shumë herë më komode sesa Tirana. Për Tiranën duhet të ndodhin shumë kombinime, përveçse që Tirana t’i fitojë të gjitha ndeshjet deri në fund. Por, Tirana e ka të nevojshme që të sigurojë të paktën një vend në Kupat e Europës.

E kisha fjalën në përgjithësi për kampionatin, jo vetëm mes dy ekipeve të kryeqytetit?

Aha, për kampionatin kam parë që shumë herë janë këmbyer ekipet në vendin e parë. Mendoj se ndoshta Teuta është më pranë titullit për vetë ekipin që ka.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"